E Diela e të Verbërit -Nga verbëria e syve te drita e shpirtit
E Diela e të Verbërit na kujton se Krishti nuk shëron vetëm trupin, por hap edhe sytë e shpirtit për të njohur të vërtetën dhe për ta pohuar pa frikë
Joani 9,1-38
Pjesa e Ungjillit.
Edhe duke shkuar, pa një njeri të verbër që prej lindjes.
Edhe nxënësit e tij e pyetën, duke thënë: Rabi, cili mëkatoi, ky apo prindërit e tij, që të lindë i verbër?
Jesui u përgjigj: As ky mëkatoi, as prindërit e tij, po që të tregohen punët e Perëndisë tek ai.
Unë duhet të bëj punët e atij që më dërgoi, deri sa është ditë; vjen nata, kur asnjë s’mund të punojë.
Sa të jem në botë, jam drita e botës.
Pasi tha këto, pështyu përdhe dhe bëri baltë prej pështymës, dhe leu sytë e të verbrit me baltën;
Edhe ai i tha atij: Shko e lahu në pellgun e Siloamit, që e përkthyer domethënë i Dërguar. Shkoi pra e u la, dhe erdhi duke parë.
Fqinjët pra, dhe ata që e kishin parë më përpara se ishte i verbër, thoshin: A nuk është ky ai që rrinte e lypte?
Të tjerë thoshin se ky është; dhe të tjerë se i shëmbëllen; por ai u thoshte se unë jam.
I thoshin pra: Si t’u hapën sytë?
Ai u përgjigj e tha: Një njeri që quhet Jieu bëri baltë dhe më leu sytë e më tha: Shko në pellgun e Siloamit dhe lahu. Edhe si shkova e u lava, hapa sytë.
I thanë pra: Ku është ai? Thotë: Nuk e di.
E sjellin te Farisenjtë atë që ishte njëherë i verbër.
Edhe ishte e shtunë, kur bëri baltën Jesui dhe i hapi atij sytë.
Përsëri pra e pyesnin edhe Farisenjtë: Si i hapi sytë? Edhe ai u tha atyre: Vuri baltë mbi sytë e mi, dhe u lava, dhe shoh.
Disa pra prej Farisenjve thoshin: Ky njeri nuk është nga Perëndia, sepse nuk ruan të shtunën. Të tjerë thoshin: Si mund të bëjë të tilla çudira një njeri mëkatar? Edhe kishte një përçarje në mes tyre.
I thonë përsëri të verbrit: Ti ç ‘thua për atë, sepse të hapi sytë? Edhe ai tha se është profet.
Judenjtë pra nuk besuan për atë se ishte i verbër dhe hapi sytë, deri sa thërritën prindërit e atij që iu hapën sytë.
Edhe i pyetën duke thënë: Ky është biri juaj, për të cilin ju thoni se ka lindur i verbër? Si sheh pra tani?
Prindërit e atij iu përgjigjën atyre, e thanë: E dimë se ky është biri ynë, dhe se ka lindur i verbër.
Po si sheh tani nuk e dimë; ose cili i hapi sytë, ne nuk e dimë; ai moshën e ka, pyeteni. Ai do të flasë për veten e tij.
Këto thanë prindërit e tij, sepse kishin frikë nga Judenjtë; sepse Judenjtë tani kishin lidhur fjalë, që ai që ta pohojë për Krisht të nxirret jashtë sinagogës.
Prandaj prindërit e tij thanë se moshën e ka, pyeteni.
Thirrën pra për së dyti njeriun që kishte qenë i verbër, dhe i thanë: Jepi lavdi Perëndisë; ne e dimë se ky njeri është mëkatar.
Ai pra u përgjigj e tha: Në është mëkatar, nuk e di; një gjë di, se qeshë i verbër, dhe tani shoh.
Edhe i thanë përsëri: Ç’të bëri? Si t’i hapi sytë?
Iu përgjigj atyre: Tani jua thashë juve, dhe nuk dëgjuat; ç ‘doni përsëri të dëgjoni? Mos edhe ju doni të bëheni nxënës të tij?
E shanë pra, dhe thanë: Ti je nxënës i atij, po ne jemi nxënës të Moisiut.
Ne dimë se Perëndia i foli Moisiut, po këtë nuk e dimë nga është.
Njeriu u përgjigj e u tha atyre: Në këtë është me të vërtetë çudia, se ju s’e dini nga është, dhe mua më hapi sytë.
Edhe e dimë se Perëndia nuk dëgjon mëkatarë; po në pastë ndonjë frikë Perëndie dhe të bëjë dëshirën e tij, këtë e dëgjon.
Që prej fillimit të jetës nuk është dëgjuar se hapi njeri sytë e ndonjërit që ka lindur i verbër.
Po të mos ishte ky nga Perëndia, nuk do të mund të bënte asgjë.
U përgjigjën e i thanë: Ti ke lindur i tërë në mëkate, dhe ti na mëson? Dhe e nxorën jashtë.
Jesui dëgjoi se e nxorën jashtë; dhe si e gjeti, i tha: I beson Birit të Perëndisë?
Ai u përgjigj e tha: Cili është ai, Zot, që t’i besoj?
Edhe Jesui i tha: Edhe e ke parë, dhe ai është që flet bashkë me ty.
Edhe ai tha: Besoj, o Zot, dhe iu fal.
Predikim
Τë dashur motra dhe vëllezër më Krishtin!
Kor lexon mrekullitë e Zotit tonë Jesu Krisht, nga njëra anë prekesh nga dashuria e tij dhe tronditesh nga gjithëpushtetshmëria e tij, ndërsa nga ana tjetër, çuditesh me ligësinë dhe nga shtrembërimi shpirtëror i farisenjve të asaj kohe por dhe të të gjitha kohërave, e sidomos të kohërave në të cilat jetojmë.
Para se të kryente mrekullinë Krishti sqaron, arsyen për të cilën ai person është i verbër. Cilido nga ne, pasi ka dëgjuar këtë shpjegim kupton se sa të mistershme janë rrugët e Zotit, se sa gjëra ne nuk dimë dhe se sa lehtë mund të keqkuptojmë e keqinterpretojmë, situata dhe probleme që mund të përballojmë vetë apo të shohim të tjerë që i përballojnë. Për këtë arsye duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe të pranojmë gjithçka na jep Zoti me përulësi, durim, shpresë, besim dhe të jemi të sigurt që Zoti është Dashuri dhe jep e do të japë gjithmonë atë që është më e mira për jetën tonë shpirtërore por dhe atë trupore.
Vetë Zoti në mrekullinë që dëgjojmë sot tregoi që ai përkujdeset për njeriun në tërësi, ashtu siç përkujdeset për shpirtin ashtu përkujdeset dhe për trupin. Si krijues i gjithësisë, ashtu si krijoi njeriun e parë, ashtu rikrijon dhe pjesë nga trupi i këtij njeriu sot, duke treguar qartë që ai është Zoti dhe Krijuesi ynë, duke na kujtuar dhe prej çfarë jemi ndërtuar dhe nga ku varet shëndeti ynë trupor, i cili humbet në tërësi kur jeton larg Zotit dhe porosive të Tij.
Më së miri këtë e ndjeu ai i që fitoi dritën e syve, ai i cili nuk ngurroi ta pohojë Zotin me bindje para farisenjve frikacakë të cilët me besimin formal dhe të përciptë që kishin u alarmuan se mos humbnin rehatllëkun dhe gjithçka kishin. Kjo i bëri të gjenin justifikime nga më qesharaket që të shtrembëronin të vërtetën por dhe të ndryshonin me çdo kusht ato sa përjetoi vetë i verbëri.
Të gjithë u distancuan nga frika e farisenjve, akoma dhe prindërit e të verbrit, të gjithë e shikonin mrekullinë por asnjëri nuk donte ta besonte as ta pohonte. Kjo ndodh dhe sot në ditët tona, shumë njerëz kërkojnë mrekulli që të besojnë por nuk kuptojnë që njeriu i verbër shpirtërisht çfarëdo lloj mrekullie që t’i ndodhë sërish nuk do të besojë.
Mrekullitë janë kudo dhe në çdo çast. Mrekulli është sa herë që lindet një fëmijë i shëndetshëm, Mrekulli është sa herë dalim nga shtëpia për punë dhe kthehemi në shtëpi shëndoshë e mirë. Mrekulli është që dielli del çdo mëngjes dhe nuk errësohet nga mëkatet tona, e shumë e shumë të tjera nga jeta jonë e përditshme.
Për të mos përmendur të gjitha mrekullitë në Kishën tonë, Mrekullinë e shndërrimit të bukës dhe verës në Trup dhe Gjak Krishti, mrekullinë e Ujit të Bekuar, mrekullinë e Dritës së Shenjtëruar e plot të tjera. Me mijëra mrekulli që i përjetojmë çdo ditë dhe besimi ynë zvogëlohet sepse nuk kemi më shqisa shpirtërore, jemi bërë si farisenjtë, përpiqemi të justifikojmë veten për mëkatet duke mohuar Jesu Krishtin dhe trupin e tij që është Kisha jonë.
Dëshirojmë të pajtojmë dinakërinë e botës me Hirin e Zotit sepse kemi frikë të humbasim lidhjen me çfarë do lloj pasioni, padrejtësie shpirtërore, gjendje shpirtërore të sëmurë. Kjo bëhet arsye që të na mungojë prezenca Hyjnore dhe të jemi të verbër shpirtërisht.
Duhet të kemi kujdes sytë tanë sepse janë drita e trupit që të mos na errësojnë shpirtin dhe të na futin në vorbullën shkatërruese të pasioneve që të kemi mundësi të shohim Zotin.
Kjo situatë e sëmurë kishte pushtuar dhe Ariosin i cili mohonte që Krishti ishte Zot, sepse nuk shikonte dot me sytë e shpirtit dhe indinjoi kaq shumë Shën Nikollën që kujtojmë sot sa ai e goditi me shuplakë.
Shën Nikolla që i vogël u kujdes për sytë e shpirtit të tij duke qëndruar dhe jetuar me njerëz të mëdhenj në moshë që në vogëli, duke përdorur pasurinë e madhe të tij në dobi të të tjerëve, duke jetuar me përpikmëri të gjitha porositë e Krishtit.
Atë, pasi i dha shuplakën Ariosit për blasfeminë, e futën në burg por për çudi të të gjithëve natën e vizitoi Krishti dhe Hyjlindësja të cilët i kthyen rrobën e hequr, i hoqën zinxhirët dhe i dhanë një ungjill për të vërtetuar dhe mbështetur veprimet dhe fjalët e tij.
Pasi u mësuan këto nga të gjithë u rivendos në vendin që i takonte për të mbrojtur të vërtetën të cilën ai e kishte përjetuar, me shqisat e shpirtit të tij, kishte parë me sytë e shpirtit të tij dhe nuk kishte asnjë dyshim. Kjo e vërtetë nuk ishte tjetër veçse që Jesu Krishti ishte Zot.
Kështu pra dhe ne duke pasur parasysh të gjitha këto, duhet të çlirohemi nga errësira që na zhyt kjo dritë e rremë e kësaj bote dhe të shkojmë drejt Krishtit që të përfitojmë sytë që do të na ndihmojnë të shohim të vërtetën. Amin.