Qeveria shqiptare ndërpret veprimtarinë e shkollës private “Kryqi i Nderuar” në Gjirokastër
Qeveria shqiptare i jep fund veprimtarisë së institucionit arsimor privat parauniversitar të arsimit të mesëm të lartë “Kryqi i Nderuar” në Gjirokastër.
Sipas mediave të ndryshme në vend por dhe faqes web të kryeministrisë, vendimi është marrë nga Këshilli i Ministrave, pas propozimit të Ministrit të Arsimit.
Shkolla, e themeluar në shtator të vitit 1998 me nismën dhe bekimin e të ndjerit Kryepiskop të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Anastasit, funksiononte si institucion arsimor privat, dygjuhësh dhe fetar, në përputhje me legjislacionin shqiptar. Krahas ofrimit të arsimit të përgjithshëm, qëllimi i saj kryesor ishte kultivimi i besimit orthodhoks dhe i moralit të krishterë te nxënësit, si edhe përgatitja e të rinjve për studime në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” në Durrës.
Sipas vendimit qeveritar, pezullimi i veprimtarisë së shkollës bëhet në kuadër të zbatimit të Kushtetutës dhe të ligjit “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”. Njëkohësisht, shfuqizohet vendimi nr. 279, datë 10 qershor 1999, me të cilin ishte dhënë leja për funksionimin e këtij institucioni.
Vendimi detyron shkollën t’u dorëzojë nxënësve të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për transferimin e tyre në institucione të tjera arsimore, si edhe të mbulojë shpenzimet përkatëse të kësaj procedure. Gjithashtu parashikohet kthimi i çdo tarife shkollimi apo pagese tjetër që lidhet me pjesën e papërfunduar të vitit shkollor.
Institucioni duhet të bashkëpunojë plotësisht me autoritetet arsimore, duke vënë në dispozicion çdo informacion të nevojshëm dhe duke dorëzuar dokumentacionin përkatës në Arkivat Vendore Shtetërore, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi.
Për administrimin e procesit të ndërprerjes së veprimtarisë dhe transferimit të nxënësve, Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar Gjirokastër–Libohovë dhe institucionet arsimore përkatëse duhet të krijojnë një grup të posaçëm pune brenda tre ditëve nga hyrja në fuqi e vendimit.
Zbatimi i këtij vendimi i ngarkohet Ministrisë së Arsimit, Agjencisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar, autoriteteve vendore arsimore, vetë shkollës “Kryqi i Nderuar”, si edhe Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.