Kisha Orthodhokse e Gjeorgjisë hyn në një epokë të re me fronëzimin e Patriarkut Shio III

2824
17:57
7
Kisha Orthodhokse e Gjeorgjisë hyn në një epokë të re me fronëzimin e Patriarkut Shio III

Në një atmosferë plot përulësi shpirtërore dhe me rëndësi të veçantë historike, Kisha Orthodhokse e Gjeorgjisë hyri sot, të martën më 12 maj 2026, në një etapë të re të jetës së saj kishtare.



Pas gati gjysmë shekulli, drejtimi i Kishës kaloi në duart e Fortlumturisë së Tij, Patriarkut Shio III, fronëzimi i të cilit u krye në Katedralen historike dhe simbolike të Trinisë së Shenjtë në Svetitskhoveli.

Ceremonia u zhvillua sipas rregullave të lashta kishtare, duke theksuar vazhdimësinë e traditës së shenjtë gjeorgjiane dhe lidhjen e gjallë të Kishës me trashëgiminë e saj shekullore.

Momenti më kulmor i ceremonisë ishte vendosja e mitrës së lashtë patriarkale mbi kryet e Kryebariut të ri nga Mitropoliti i Çiaturës, z. Daniel. Ky akt shënoi zyrtarisht marrjen e detyrës së lartë patriarkale nga Patriarku Shio III.

Gjatë shërbesës së fronëzimit, Patriarku Shio III u vesh me rrobat kryepriftërore dhe me enkolpionet hierarkike, në një rit të shenjtë që lidh të tashmen me të kaluarën bizantine dhe gjeorgjiane të Kishës.

Thirrja karakteristike “I denjë!”, e cila jehoi tri herë nën kupolat e katedrales, përbëri vulosjen shpirtërore të zgjedhjes dhe pranimit të tij nga Kisha.

Fronëzimi i Patriarkut Shio III konsiderohet një moment historik për Gjeorgjinë, pasi figura e Patriarkut ka mbetur gjithmonë thelbësore jo vetëm në jetën kishtare, por edhe në identitetin shoqëror, kulturor dhe kombëtar të vendit.

Në fjalën e tij të parë para klerit dhe popullit, Patriarku i ri Shio III drejtoi një thirrje të fuqishme për dashuri, shërbim dhe përkushtim. Ai e lidhi kremtimin e Hyjlindëses dhe të Apostullit Andrea me sfidat bashkëkohore që përballon sot Kisha e Gjeorgjisë.

Në qendër të fjalës së tij ishte nevoja që Kisha të mbetet me “dyer të hapura plotësisht” për të gjithë. Ai theksoi se fuqia e besimit nuk kufizohet në fjalë, por shprehet në dashuri të ngjashme me Krishtin dhe në mbështetje konkrete ndaj popullit.

Në një tjetër pjesë të fjalës së tij, Patriarku nënvizoi domosdoshmërinë për t’u afruar edhe me ata “bij plangprishës” që ndodhen jashtë mureve të kishës, duke u ofruar kujdes, mirëkuptim dhe përqafim shpirtëror pa përjashtime.

Duke iu referuar vështirësive të kohës, z. Shio përshkroi një botë ku zemrat e njerëzve largohen nga njëra-tjetra dhe ku vlerat morale tronditen nga tundime të shumta.

Një vend të veçantë në fjalën e tij zunë fëmijët, të cilët ai i quajti e ardhmja e vendit. Patriarku i Gjeorgjisë u bëri thirrje klerikëve dhe besimtarëve të bëhen vetë shembuj të denjë, në mënyrë që brezi i ri të rritet me respekt për traditat, me besim të gjallë dhe me ndjenjë përgjegjësie ndaj kombit.

Me emocion të dukshëm, Kryebariu i ri kujtoi trashëgiminë shpirtërore të të ndjerit Patriark Ilia II, duke premtuar se do të vazhdojë rrugën e vështirë, por të bekuar, të shërbimit ndaj Perëndisë dhe Atdheut.

Duke u përulur shpirtërisht para paraardhësve të tij, ai e cilësoi detyrën patriarkale si një “zgjedhë të ëmbël” dhe një “barrë të lehtë”, të cilën shprehu gatishmërinë ta mbajë me vetëflijim, përkushtim dhe dashuri.

Në përfundim, Patriarku Shio III shprehu mirënjohjen e tij ndaj Sinodit të Shenjtë, klerit dhe popullit të Gjeorgjisë. Ai u kërkoi të gjithëve të shtojnë lutjet, që përmes unitetit, përulësisë dhe dashurisë të përmbushet vizioni i Kishës: që mbarë njerëzimi të bëhet “një grigjë nën një Bari”, i themeluar mbi dashurinë dhe paqen. 

Me info nga Romfea.gr

Nëse vëreni një gabim, zgjidhni tekstin e nevojshëm dhe shtypni Ctrl+Enter ose Dërgo një gabim për ta raportuar tek redaktorët.
Nëse gjeni një gabim në tekst, zgjidhni atë me mousen dhe shtypni Ctrl+Enter ose këtë buton Nëse gjeni një gabim në tekst, theksoni atë me mousen dhe klikoni këtë buton Teksti i theksuar është shumë i gjatë!
Lexo gjithashtu