ZBULESA

2826
10:00
3
ZBULESA

“Si dele u çua në thertore,
dhe si qengj i heshtur përpara atij që e qeth,
ashtu nuk e hapi gojën e tij;
në përuljen e tij iu hoq gjykimi;
dhe brezin e tij kush do ta tregojë?
Sepse jeta e tij u mor nga toka.”

 Nëse shqyrtoni një libër të teologjisë Orthodhokse, do të zbuloni se e vërteta nuk mund të gjendet nga fuqitë e njeriut të pandihmuara. Mund të lexoni Shkrimet ose çfarëdo libri të shenjtë dhe të mos kuptoni as çfarë thonë. Ekziston një shembull i tillë në librin e Veprave, në historinë e Apostullit Filip dhe eunukut Etiopian:

Atëherë engjëlli i Zotit i tha Filipit: “Çohu dhe shko drejt jugut, në rrugën që zbret nga Jerusalemi për në Gazë (është rrugë e shkretë).” Dhe ai u nis e shkoi. Dhe ja, një njeri Etiopian, eunuk, funksionar i Kandakes, mbretëreshës së Etiopianëve, i cili ishte përgjegjësi i thesarit të saj, kishte ardhur në Jerusalem për peligrinazh dhe po kthehej. I ulur në karrocën e tij, po lexonte profetin Isaia. Atëherë Fryma i tha Filipit: “Afrohu dhe bashkohu me këtë karrocë.” Kur Filipi u afrua, e dëgjoi duke lexuar profetin Isaia dhe i tha: “A e kupton vallë atë që lexon?” Ai u përgjigj: “Si mund ta kuptoj nëse nuk më udhëzon dikush?” Dhe iu lut Filipit të ngjitej dhe të ulej me të. Pjesa e Shkrimit që po lexonte ishte kjo:

“Si dele u çua në thertore,
dhe si qengj i heshtur përpara atij që e qeth,
ashtu nuk e hapi gojën e tij;
në përuljen e tij iu hoq gjykimi;
dhe brezin e tij kush do ta tregojë?
Sepse jeta e tij u mor nga toka.”

Atëherë eunuku i tha Filipit: “Të lutem, më thuaj, për kë e thotë këtë profeti? Për veten e tij apo për ndonjë tjetër?” Atëherë Filipi hapi gojën dhe, duke filluar nga ky Shkrim, i shpalli lajmin e gëzuar për Jezusin. Ndërsa po vazhdonin rrugën, arritën në një vend ku kishte ujë, dhe eunuku tha: “Ja, ujë; çfarë më pengon të pagëzohem?” Dhe Filipi i tha: “Nëse beson me gjithë zemër, mundesh.” Ai u përgjigj: “Besoj se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë.” Dhe urdhëroi të ndalej karroca; dhe të dy zbritën në ujë, Filipi dhe eunuku, dhe ai e pagëzoi. Kur dolën nga uji, Fryma e Zotit e rrëmbeu Filipin dhe eunuku nuk e pa më; dhe ai vazhdoi rrugën e tij i gëzuar.

(Veprat e Apostujve 8:26-39)

Ka shumë elemente të mbinatyrshme dhe mistike në këtë ngjarje: engjëlli i thotë Filipit ku të shkojë (ndonëse për Etiopianin duket thjesht si një takim i rastësishëm në një rrugë të shkretë), dhe më pas, pas pagëzimit, Fryma e Zotit e merr Filipin, i cili zhduket përpara syve të eunukut. Por nuk është kjo ajo që e bën eunukun të dëshirojë të pagëzohet dhe të bëhet i krishterë. Është diçka tjetër që e tërheq: jo mrekullitë, por diçka në zemrën e tij. Mrekullitë, megjithëse ndonjëherë e ndihmojnë dikë të arrijë në besim, nuk janë arsyeja e duhur për të pranuar Krishterimin. Në të njëjtin libër të Veprave lexojmë historinë e Simon magjistarit, i cili donte të paguante para për të hyrë në Kishë dhe për të fituar dhuntitë e Shpirtit të Shenjtë, sepse ato ishin shumë spektakolare dhe të mrekullueshme. Ai ushtronte “profesionin” shumë fitimprurës të magjisë, në një kohë kur sa më shumë gjëra të mbinatyrshme mund të bënte dikush, aq më shumë para dhe prestigj mund të fitonte, duke qenë se ndodhnin më shumë ngjarje të tilla (të mbinatyrshme) në Krishterim sesa në botën pagane. Siç dimë nga libri i Veprave, kërkesa e Simonit nuk u pranua nga Apostulli Pjetër dhe ai pati një fund të keq, duke na dhënë fjalën “simoni” për kuptimin e përpjekjes për të blerë hirin e Perëndisë.

Përkundrazi, kur Filipi i foli eunukut Etiopian, diçka në zemrën e tij ndryshoi. Në Veprat lexojmë se ai arriti të besojë; domethënë zemra e tij u zbut nga e vërteta që dëgjoi. Fjalët e Shkrimit janë shumë të fuqishme, dhe kur u jepet interpretimi i duhur, diçka në zemër hapet nëse zemra është e gatshme. Prandaj, eunuku e pranoi Krishtin me gjithë shpirtin e tij; ishte një njeri i ndryshuar. Kjo nuk ndodhi për hir të mrekullive, por për hir të asaj që Krishti erdhi të sillte në tokë.

Të njëjtën gjë mund ta shohim në një vend tjetër të Dhiatës së Re, kur dy nga dishepujt e Krishtit po ecnin në rrugën për në Emaus (sipas Lukës, kap. 24). Vetë Krishti, pikërisht ditën e Ringjalljes së Tij, i takoi dhe eci me ta, duke i pyetur pse ishin kaq të trazuar. Ata nga ana e tyre filluan ta pyesnin nëse ishte i vetmi që nuk dinte çfarë kishte ndodhur në Jerusalem. I thanë se kishte qenë një profet i madh që ishte vrarë dhe pastaj kishte pasur pretendime se ishte ngjallur prej së vdekurish; por ata nuk dinin çfarë të besonin. Atëherë Krishti filloi t’ua hapte zemrat dhe t’u shpjegonte se çfarë thoshte Dhiata e Vjetër për atë që do t’i ndodhte Mesias. Gjatë gjithë asaj kohe dishepujt nuk e njohën, sepse Ai nuk erdhi për t’i mahnitur me shenja dhe mrekulli.

Më vonë, kur arritën në Emaus, Krishti bëri sikur do të vazhdonte më tej, dhe do të ishte larguar prej tyre pa u njohur, nëse ata nuk do t’i kërkonin – nga dashuria e thjeshtë për një të huaj që ndodhej në vështirësi – të kalonte natën me ta. Më në fund, kur u ul me ta në tryezë dhe theu bukën si në Darkën e Fundit, sytë e tyre u hapën, panë se ishte vetë Krishti, dhe atëherë Ai u zhduk pikërisht përpara syve të tyre. Filluan të pyesnin veten dhe të kujtonin se, gjatë gjithë kohës që Ai ishte me ta, kishin një zjarr në zemrat e tyre, megjithëse ende nuk e kishin njohur. Ajo që më në fund i bëri ta njohin Krishtin ishte kjo zemër që digjej, dhe jo thjesht fakti që Ai u zhduk para tyre, sepse këtë mund ta bëjnë edhe magjistarët. Për këtë arsye, nuk janë mrekullitë ato që zbulojnë para së gjithash Perëndinë tek njerëzit, por diçka lidhur me Perëndinë që zbulohet në një zemër që është e gatshme për këtë. Këtë nënkuptojmë kur themi “zemër që digjet”, përmes së cilës dy dishepujt patën kontakt me Perëndinë e Mishëruar.

Këtu shohim si lind ajo që quhet zbulesë: zemra preket dhe ndryshohet nga prania e Perëndisë, ose nga dikush që është i mbushur me Frymën e Tij, ose thjesht duke dëgjuar të shpallet e vërteta për Të. Po kështu Apostujt patën fuqinë të shkonin pothuajse në të gjithë botën e njohur – në Indi (dhe ndoshta edhe më larg, në Kinë), në Rusi në Veri ku jetonin Skithët, në Britani në Perëndim, dhe në Abisini në Jug – për të predikuar Ungjillin tek të gjithë popujt brenda dekadave të para pas Νgjalljes së Krishtit.

Kështu ndodh edhe sot, megjithëse njerëzit janë bërë shumë më të pandjeshëm dhe të cekët shpirtërisht, shumë më pak të thjeshtë, dhe nuk i përgjigjen aq lehtë së vërtetës. Në rastin e Kryepeshkopit Joan, ata që erdhën në besim përmes tij nuk u lëvizën para së gjithash nga mrekullitë e tij, por nga diçka tek ai që prekte zemrat e tyre.

Do të jap një shembull nga jeta e tij, një ngjarje që ndodhi në Shangai, ku ishte peshkop gjatë Luftës së Dytë Botërore. Na e tregoi një mikeshë e mirë që vdiq disa vite më parë, një mësuese e artikulimit të quajtur Ana. Siç na shpjegoi, agjërimi i Kryepeshkopit Joan ishte aq i rreptë sa nofulla e tij e poshtme humbiste forcën gjatë periudhave të agjërimit dhe ai fliste shumë paqartë. Ajo kishte detyrë t’i jepte mësime për të ushtruar nofullën dhe për ta ndihmuar të fliste më qartë. Ai vinte tek ajo rregullisht, dhe kur mbaronte çdo mësim, zakonisht linte një kartëmonedhë amerikane prej njëzet dollarësh.

Gjatë luftës, kjo grua u plagos dhe po vdiste në një spital francez në Shangai. Ishte vonë natën; jashtë kishte një stuhi të tmerrshme dhe komunikimet në qytet nuk funksiononin. Por ajo kishte vetëm një mendim në zemër. Meqenëse mjekët i kishin thënë se do të vdiste, shpresa e saj e vetme ishte që të vinte Kryepeshkopi Joan, t’i jepte Kungimin e Shenjtë dhe në njëfarë mënyre ta shpëtonte. U lutej njerëzve t’i dërgonin një mesazh, por ata thoshin se ishte e pamundur. Telefonat nuk punonin për shkak të stuhisë dhe spitali (duke qenë kohë lufte) ishte i mbyllur për natën. Prandaj, e vetmja gjë që mund të bënte ishte të thërriste: “Ndihmë! Kryepeshkop Joan, eja!” Natyrisht, njerëzit thoshin se gruaja e shkretë po fliste në delir, sepse ishte e pamundur të kontaktohej me të.

Por atë natë, ndërsa Ana thërriste këto fjalë, dyert u hapën dhe në mes të stuhisë Kryepeshkopi Joan hyri me Kungimin e Shenjtë. U afrua pranë saj, e rrëfeu, e qetësoi (ajo ishte, natyrisht, e mbushur me gëzim), e kungoi dhe u largua.

Pas kësaj gruaja fjeti për 18 orë dhe, kur u zgjua të nesërmen, ndjeu se ishte shëruar. “Duhet të jetë për shkak se erdhi Kryepeshkopi Joan,” tha. “Cili Kryepeshkop Joan?” pyetën infermieret, duke thënë se ishte e pamundur që të hynte në spitalin e mbyllur një natë të tillë. Personi në shtratin pranë saj tha se dikush kishte ardhur vërtet atje, por përsëri askush nuk e besonte. Ajo filloi të dyshonte mos kishte pasur halucinacione. Por kur atë ditë infermieret po rregullonin shtratin e saj, zbuluan nën jastëk një kartëmonedhë amerikane prej njëzet dollarësh. “Aha,” tha ajo, “kjo është prova që ai ishte këtu!”

Si, mund të pyesë dikush, e dinte Kryepeshkopi Joan? Si arriti atje, kur ishte e pamundur që komunikimi njerëzor t’i kishte transmetuar mesazhin? Dikush mund të thotë se kjo iu zbulua, sepse atij i zbuloheshin shumë gjëra të tilla. Por si iu zbulua? Pse atij dhe jo dikujt tjetër? Pse e vërteta zbulohet tek disa dhe jo tek të tjerë? A ekziston ndonjë organ i veçantë për të marrë zbulesa nga Perëndia? Po, sigurisht që ekziston një organ i tillë, megjithëse zakonisht e mbyllim dhe nuk e lejojmë të hapet: zbulesa e Perëndisë i jepet asaj që quhet zemër që dashuron.

Ne dimë nga Shkrimet se Perëndia është dashuri; Krishterimi është feja e dashurisë. (Mund të shikoni dështimet, të shihni njerëz që e quajnë veten të krishterë dhe nuk janë, dhe të thoni se nuk ka dashuri atje; por Krishterimi është vërtet feja e dashurisë kur arrihet dhe ushtrohet në mënyrën e duhur). Vetë Zoti ynë Jezu Krisht thotë se dishepujt e Tij të vërtetë dallohen mbi të gjitha nga dashuria e tyre.

Nëse pyesni këdo që e njohu Kryepeshkopin Joan (Maksimoviç) se çfarë ishte ajo që tërhiqte njerëzit tek ai – dhe që ende tërheq njerëz që nuk e kanë njohur kurrë – përgjigjja është gjithmonë e njëjtë: ai ishte i tejmbushur me dashuri; sakrifikonte veten për bashkëqytetarët e tij, nga një dashuri plotësisht jo egoiste për Perëndinë dhe për ta. Për këtë arsye i zbuloheshin gjëra që të tjerët nuk mund t’i zbulonin dhe që nuk mund t’i kishte mësuar me mjete natyrore.

Ai vetë mësonte se, pavarësisht gjithë “misticizmi” së Kishës Orthodhokse që gjendet në jetët e Shenjtorëve dhe në shkrimet e Etërve të shenjtë, Orthodoksi i vërtetë qëndron gjithmonë me të dy këmbët fort në tokë, duke përballuar çdo situatë që ndodhet pikërisht përpara tij. Ai pranon realitetin e dhënë, gjë që kërkon një zemër që dashuron. Kjo zemër që dashuron është arsyeja pse dikush arrin në njohjen e së vërtetës, megjithëse ndonjëherë Perëndia duhet ta thyejë dhe ta përulë një zemër për ta bërë të pranueshme – si në rastin e Apostullit Pavëll, i cili dikur frymonte kërcënime kundër të krishterëve dhe i përndiqte. Por për Perëndinë, e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja e zemrës njerëzore janë të gjitha të pranishme, dhe Ai sheh ku mund të ndërhyjë dhe të komunikojë.

E kundërta e zemrës që dashuron dhe pranon zbulesë nga Perëndia është llogaritja e ftohtë, nxjerrja e përfitimit nga njerëzit. Në jetën fetare kjo prodhon mashtrim dhe sharlatanizëm të çdo lloji. Nëse shikoni botën fetare sot, e shihni këtë në shkallë të gjerë: kaq shumë mashtrim, shtirje, llogaritje, kaq shumë shfrytëzim të erërave të modës, që herë bëjnë në modë një fe ose sjellje fetare, herë një tjetër. Për të gjetur të vërtetën, duhet të shikosh më thellë.

ugo

Nëse vëreni një gabim, zgjidhni tekstin e nevojshëm dhe shtypni Ctrl+Enter ose Dërgo një gabim për ta raportuar tek redaktorët.
Nëse gjeni një gabim në tekst, zgjidhni atë me mousen dhe shtypni Ctrl+Enter ose këtë buton Nëse gjeni një gabim në tekst, theksoni atë me mousen dhe klikoni këtë buton Teksti i theksuar është shumë i gjatë!
Lexo gjithashtu