Kisha Orthodhokse sqaron vendimin për shkollën “Kryqi i Nderuar” në Gjirokastër
Vendimi i autoriteteve lidhet me kërkesën e vetë institucionit, ndërsa vepra arsimore e Kishës Orthodhokse vijon në të gjithë vendin.
Në vijim të informacioneve që kanë qarkulluar në media, të cilat u raportuan dhe nga UGO, gjatë orëve të fundit për shkollën e mesme jopublike “Kryqi i Nderuar” në Gjirokastër, është dhënë një sqarim mbi natyrën e vendimit të marrë nga autoritetet.
Sipas sqarimit, shkolla jopublike “Kryqi i Nderuar” ka zhvilluar veprimtarinë e saj në mënyrë të pandërprerë nga viti 1998 deri në vitin 2025. Gjatë kësaj periudhe, institucioni u themelua dhe funksionoi nën kujdesin e veçantë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe të Kryepiskopit të lumur Anastas.
Përmes veprimtarisë së saj shumëvjeçare, shkolla u mundësoi qindra të rinjve arsimim, formim kulturor dhe edukim mbi bazën e vlerave të krishtera, duke lënë një gjurmë të rëndësishme në jetën arsimore dhe shpirtërore të zonës.
Në sqarim theksohet se vendimi i marrë nga autoritetet nuk duhet parë si një masë e njëanshme ndaj institucionit, por si një përgjigje administrative ndaj kërkesës së vetë shkollës.
Vepra e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë në fushën e arsimit vijon me përkushtim të plotë përmes institucioneve të shumta arsimore të niveleve të ndryshme, të cilat veprojnë në disa zona të vendit.