Atë Kristo Raci, dëshmitar i qëndresës orthodhokse në Shqipëri
Jeta e klerikut nga Dardha përmbledh përndjekjen gjatë komunizmit, ruajtjen e fshehtë të jetës liturgjike dhe kontributin në ringritjen e Kishës pas vitit 1990.
Atë Kristo Raci lindi më 7 maj 1909 në Dardhë dhe u nda nga jeta më 22 nëntor 1995 në Korçë. Ai mbetet një nga figurat më të veçanta të klerit orthodhoks të Mitropolisë së Shenjtë të Korçës, jo vetëm për shërbimin e tij kishtar, por edhe për personalitetin e gjerë kulturor e njerëzor që përfaqësonte. Të gjithë ata që e njohën ruajtën për të kujtimin e një kleriku të ndritur, me horizont të gjerë intelektual, me kulturë enciklopedike dhe me një jetë të mbushur me punë, mundime dhe dëshmi besimi. Ai ishte një nga klerikët me dhunti të shumta i cili përjetonte besimin dhe investonte në dije pasi njihte shumë gjuhë, njihte shumë mirë historinë, ishte lexues i palodhur i qindra librave, njeri praktik, me dhunti në zdrukthtari, mandolinist dhe bletërritës, duke mishëruar klerikun e ndriçuar të lidhur ngushtë me jetën, traditën dhe kulturën e vendit të vet.
Jeta e tij u lidh ngushtësisht me Dardhën, vendlindjen e tij. Në këtë mjedis ai u formua si njeri i Kishës dhe si përfaqësues i një tradite të fuqishme orthodhokse e kulturore. Dardha nuk ishte për të thjesht vendbanim, por hapësira ku u rrënjosën kujtesa, përvoja dhe vetëdija e tij shpirtërore. Pikërisht prej këtij mjedisi ai mori atë forcë të brendshme që do ta shoqëronte gjatë gjithë jetës, sidomos në vitet e përndjekjes dhe të provave të mëdha.
Në vitin 1967, kur shteti shqiptar u shpall zyrtarisht ateist dhe nisi goditja e hapur kundër fesë, Atë Kristo, ashtu si shumë klerikë të tjerë, u përndoq nga regjimi. Megjithatë, ai nuk u thye shpirtërisht. Edhe pasi iu hoq me dhunë rroba e priftit, ai vazhdoi jetën si marangoz në fshatin e tij, duke mbetur i lidhur me Kishën dhe me kujtesën e saj të gjallë. Kjo periudhë nuk e zbehu figurën e tij, përkundrazi, e nxori më qartë qëndrueshmërinë e karakterit të tij, përkushtimin ndaj besimit dhe aftësinë për të ruajtur dinjitetin në kushte poshtërimi dhe dhune.
Pas vitit 1990, kur Kisha Orthodhokse e Shqipërisë filloi procesin e riorganizimit, Atë Kristo u shfaq sërish si një figurë qendrore. Ai u bë anëtar i kryesisë së Këshillit të parë Kishtar të krijuar në Mitropolinë e Shenjtë të Korçës si përfaqësues arhieratik. Në pesë vitet që pasuan, me gjithë moshën e thyer, ai mbeti klerik aktiv, kreu mistere dhe shërbesa kishtare, këshilloi dhe udhëzoi klerikët më të rinj dhe u vu në shërbim të ringritjes së jetës kishtare. Kështu, në fund të jetës së tij, ai nuk ishte vetëm një dëshmitar i së kaluarës, por edhe një bashkëpunëtor i drejtpërdrejtë i ringjalljes së Kishës në Korçë e Shqipëri.
Figura e Atë Kristos dallohej edhe për praninë e tij të fuqishme njerëzore.
Në një nga intervistat që ai dhe për Protopresviter Dr. Atë Eleftherio Karakitsio, pas rënies së diktaturës, ai përshkruhet si një plak 88-vjeçar, i gjatë, i drejtë, i hollë, me një gjallëri dhe kthjelltësi të admirueshme, aq sa të jepte përshtypjen e një njeriu shumë më të ri. Edhe në pleqëri ai punonte me duart e veta, kujdesej për ndërtesën e Mitropolisë ku banonte që prej momentit që filloi sërish të shërbente si klerik, mbërthente dërrasa pas derës për t’u mbrojtur nga hajdutët dhe vazhdonte të shërbente pothuajse i vetëm. Në të ndërthureshin përvuajtja e klerikut, urtësia e njeriut me përvojë dhe forca e një njeriu i cili, me ndihmën e Perëndisë, kishte kaluar nëpër sprova të jashtëzakonshme pa e humbur besimin.
Me pak fjalë, Atë Kristo Raci ishte një figurë shumëplanëshe: klerik me gjithë kuptimin e fjalës, Atë shpirtëror, rrëfimtar i një epoke të errët, mbrojtës i traditës kishtare, njeri i kulturës dhe i punës, si edhe dëshmitar i gjallë i qëndresës së Orthodhoksisë në Shqipëri. Jeta e tij përmbledh në vetvete jo vetëm pësimet e një prifti të përndjekur, por edhe historinë e vuajtjes, mbijetesës dhe ringritjes së Kishës në vendin tonë.
Përndjekja gjatë komunizmit dhe përvoja personale e vuajtjes
Përvoja e Atë Kristo Racit gjatë periudhës së komunizmit përbën një dëshmi të gjallë të përndjekjes sistematike që u ushtrua ndaj klerit dhe jetës fetare në Shqipëri. Ai nuk e përjetoi këtë periudhë thjesht si një realitet të jashtëm, por si një përvojë personale të thellë, të mbushur me dhimbje, poshtërim dhe sakrificë, të cilat ai i kishte “jetuar” dhe jo thjesht dëgjuar apo lexuar.
Një nga momentet më të rënda në jetën e tij, siç pohon gjatë një interviste, ishte dënimi me burg. Ai u gjykua në gjykatën ushtarake dhe u dënua me dy vjet burg në Korçë, kryesisht për arsye “politike” siç quheshin të gjitha dënimet që ishin në kundërshtim me ideologjinë komuniste, besimi fetar ishte një “gabim i rëndë politik”. Megjithatë, edhe në këtë rrethanë ai ruajti një qëndrim të qetë dhe pa ligësi, duke e përjetuar vuajtjen me një përulësi dhe besimi të thellë tek Zoti.
Pas burgimit, përndjekja nuk përfundoi. Ai u internua në Durrës, ku u detyrua të punonte në ndërtimin e linjës së parë hekurudhore, nën mbikëqyrjen e policisë. Kjo punë e detyruar ishte pjesë e një sistemi të organizuar represiv, që synonte jo vetëm ndëshkimin fizik, por edhe thyerjen morale të individit. Për më tepër, ai u demaskua publikisht në disa fshatra, një praktikë e njohur e regjimit për të turpëruar dhe izoluar shoqërisht individin.
Përkundër gjithë këtyre presioneve, Atë Kristo nuk u dorëzua. Nuk u gjunjëzua dhe e ruajti besimin e tij të palëkundur tek Zoti.
Por, para se të ndodhnin të gjitha këto, ai ishte dëshmitar i procesit të organizuar i shkatërrimit të Kishës. Sipas dëshmive së tij, fillimisht u dha urdhri për regjistrimin e plotë të kishave dhe pasurive të tyre. Ky proces, që në dukje kishte karakter administrativ, në realitet përbënte fazën përgatitore për një goditje më të rëndë. Më pas erdhi urdhri i dytë: zhveshja e kishave nga çdo objekt fetar, largimi i ikonave, librave dhe çdo elementi që kishte lidhje me jetën liturgjike.
Ky moment përbënte një nga plagët më të mëdha shpirtërore për Atë Kriston dhe jo vetëm. Me dhimbje, ai, përshkruante gjithmonë se si u detyrua të mbledhë vetë objektet e shenjta, pasi kishte kryer edhe meshën e fundit në kishë.
Arriti me zgjuarsi dhe guxim të fshehë një pjese të konsiderueshme të thesareve kishtare. Ruajti, në shtëpinë e tij, enë të shenjta, Ungjillin, epitafin dhe libra të shumtë liturgjikë në fshehtësi të plotë. Ky veprim ishte jashtëzakonisht i rrezikshëm: nëse do të zbulohej, pasojat do të ishin fatale për të.
Ndjente keqardhje të madhe për shkatërrimin objekteve që nuk mundën të shpëtoheshin. Ikonat e shenjta grumbulloheshin në oborret e kishave, shkeleshin, digjeshin ose përdoreshin për qitje nga ushtria. Ky akt barbar përbente një përpjekje për të fshirë çdo gjurmë të besimit dhe të traditës orthodhokse. Kujtimi i këtyre skenave mbetet ndër më tronditëset në rrëfimin e tij.
Kisha e Dardhës, për shembull, u kthye në hotel dhe madje në vend përdorimi të pamoralshëm, gjë që Atë Kristo e përjetoi me dhimbje dhe tronditje të thellë. Ky transformim kishte si qëllim degradimin e një hapësire të shenjtë dhe përmbysjen e vlerave që kishte përfaqësuar ajo ndër shekuj.
Kujtimi i këtij momenti ishte aq i rëndë, sa në rrëfim ai ndalej dhe përlotej, Këto përvoja ishin plagë të hapura në kujtesën e tij.
Përndjekja vazhdoi me një urdhër të tretë, edhe më drastik: klerikët duhej të hiqnin rrobat kishtare, të ruanin mjekrën dhe të paraqiteshin në zyrat e punës për t’u sistemuar si punëtorë. Ata që nuk kishin punë, detyroheshin të punonin në kooperativa bujqësore.
Në këtë kontekst, Atë Kristo përjetoi edhe episode të drejtpërdrejta poshtërimi. Ai tregonte se si një oficer i partisë e tërhoqi nga rasoja, duke i kërkuar ta hiqte atë. Edhe pse këto momente ishin të dhimbshme, ai i përballoi me qetësi dhe me një vetëdije të thellë se kjo ishte pjesë e një prove më të madhe shpirtërore që Zoti lejoi.
Në ato kohë të zymta mbizotëronte kudo atmosfera e terrorit dhe kontrollit të vazhdueshëm. Edhe praktikat më të thjeshta fetare, si ngjyrosja e vezëve për Pashkë, ndiqeshin dhe ndëshkoheshin. Prania e Sigurimit të Shtetit në fshatra dhe kontrolli mbi jetën private krijonin një klimë frike të përhershme, ku çdo shenjë besimi mund të sillte pasoja të rënda.
Në këtë realitet, përndjekja nuk ishte vetëm fizike apo institucionale, por edhe psikologjike dhe shpirtërore. Ajo synonte të shkatërronte lidhjen e njeriut me Zotin, me traditën dhe me identitetin e tij. Megjithatë, jeta e Atë Kristo Racit tregon se, pavarësisht intensitetit të kësaj dhune, besimi nuk u zhduk, por mbijetoi në forma të fshehta, në ndërgjegjen dhe në jetën e përditshme të njerëzve.
Jeta liturgjike në fshehtësi dhe ruajtja e Kungatës Hyjnore
Pas mbylljes së kishave dhe ndalimit të çdo veprimtarie fetare, jeta liturgjike në Shqipëri nuk u zhduk plotësisht, por kaloi në një formë të fshehtë dhe me rrezikshmëri të lartë. Në këtë kontekst, dëshmia e Atë Kristo Racit paraqet një nga shembujt më të qartë të vazhdimësisë së jetës sakramentale në kushte persekutimi ekstrem.
Pavarësisht ndalimit të plotë, ai vazhdoi të kryente shërbesat fetare në mënyrë të fshehtë, kryesisht brenda shtëpisë së tij. Këto shërbesa zhvilloheshin në kushte të jashtëzakonshme: pa dritë, pa temjan, me këndimin e psalmeve me zë të ulët dhe me një kujdes të madh për të mos u zbuluar. Çdo veprim ishte i matur dhe i kontrolluar, pasi zbulimi do të kishte pasoja të rënda jo vetëm për të, por edhe për ata që merrnin pjesë.
Megjithatë, elementi më i jashtëzakonshëm i kësaj periudhe është ruajtja e Kungatës Hyjnore për një kohë të gjatë. Atë Kristo dëshmon se, që nga viti 1967, kishte arritur të mbante Kungatën Hyjnore të ruajtur për çdo rast nevoje.
Ruajtja e saj kërkonte jo vetëm kushte të veçanta materiale, por edhe një kujdes të jashtëzakonshëm për të shmangur çdo rrezik zbulimi. Ai e mbante të fshehur në një artofor të thjeshtë prej druri, të mbuluar me qëndisje, duke e ruajtur si një thesar të çmuar. Në këtë mënyrë, edhe pse kishat ishin mbyllur dhe jeta publike fetare ishte zhdukur, Trupi i Krishtit – Kungata ruhej në fshehtësi.
Kjo jetë liturgjike zhvillohej në një atmosferë frike të vazhdueshme, çdo veprim shoqërohej me “frikë dhe tmerr”, çka tregon presionin psikologjik nën të cilin jetonin klerikët e zhveshur dhe besimtarët. Megjithatë, kjo frikë nuk arriti ta ndalojë veprimtarinë e tij, por përkundrazi e bëri edhe më të vetëdijshëm për rëndësinë e misionit që kishte.
Një element veçanërisht domethënës, në këto kohë të vështira, është ndërhyrja e përkujdesjes hyjnore. Në një rast, kur hajdutë dhe më pas policia kontrolluan shtëpinë e tij, ata nuk arritën të gjenin as ikonat, as enët e shenjta dhe as thesarin që ai kishte fshehur. Një dëshmi kjo e mbrojtjes së Zotit ndaj tij dhe ndaj asaj që ai ruante.
Ai në të vërtetë ishte një ruajtës i mistereve dhe i traditës kishtare, duke mbajtur gjallë jo vetëm kujtesën, por edhe vetë jetën e Kishës. Veprimtaria e tij në fshehtësi përbën një nga dëshmitë e qëndresës së Orthodhoksisë në Shqipëri gjatë periudhës së persekutimit.
Dëshmitë për besimin e popullit dhe qëndrueshmëria shpirtërore
Pavarësisht përndjekjes së ashpër dhe përpjekjes sistematike për të zhdukur çdo shenjë të jetës fetare, dëshmia e Atë Kristo Racit tregon qartë se besimi nuk u shua në ndërgjegjen e popullit, por vazhdoi të jetojë në forma të fshehta, të thjeshta dhe shpesh të jashtëzakonshme.
Një nga episodet më domethënëse që ai rrëfen lidhet me një grua besimtare e cila pasi u detyrua të dorëzojë ikonat që mbante në shtëpi në një akt guximi dhe besimi të jashtëzakonshëm, i thirri përsëri forcat e sigurimit dhe, duke bërë shenjën e Kryqit, u tha se këtë ikonë nuk do t’ia merrnin kurrë.
Pas dhënies së lirisë së të drejtës së besimit ishte tepër interesant fakti që në mënyrë spontane tek brezat e rinj u shfaqën menjëherë aspekte fetare që askush nuk i priste pas gjithë asaj përndjekje, një tregues ky që besimi në mënyrë të heshtur kishte kaluar nga brezi në brez. Atë Kristo përshkruante me emocion se si fëmijët, pa u mësuar nga askush në mënyrë të drejtpërdrejtë, filluan të shfaqnin sjellje fetare: ata bënin shenjën e Kryqit kur dëgjonin kambanat, shkonin të faleshin përpara se të hynin në shkollë dhe tregonin një respekt të natyrshëm ndaj klerikëve. Kjo tregon se besimi nuk ishte zhdukur, por ishte ruajtur në mënyrë të heshtur në familje dhe në ndërgjegjen e besimtarëve.
Veçanërisht domethënëse është përshkrimi i një rasti kur, fëmijët filluan të shkonin çdo ditë në vendin ku ishte kryer ceremonia e Ujit të Bekuar dhe të faleshin përpara se të shkonin në shkollë. Ky fenomen, i cili ndodhte pa asnjë nxitje të drejtpërdrejtë nga mësuesit apo nga klerikët, përbën shenjë të përkujdesjes hyjnore dhe të besimit të gjallë në zemrat e njerëzve i cili me Hirin e Perëndisë u shpreh në forma të hapura publike dhe me forcë të madhe. Kuptohet që të rriturit po ashtu, edhe pse shpesh, më parë, nuk mund ta shprehnin publikisht, ata e mbanin atë në jetën e tyre të përditshme, duke krijuar një lloj tradite të heshtur, e cila u transmetua nga një brez në tjetrin.
Në kushtet e lirisë, Atë Kristo shprehte shpesh herë bindjen, e cila buronte na eksperienca e tij shpirtërore, se në shoqëri të tjera, ku ekziston liria dhe mirëqenia, shpesh shfaqej një rënie e ndjeshmërisë shpirtërore, ndërsa në Shqipëri, pikërisht për shkak të vuajtjes dhe përndjekjes, besimi ruajti një intensitet të veçantë. Kjo për botën është një paradoks i vërtetë: përndjekja, megjithëse synonte shkatërrimin e fesë, në shumë raste kontribuoi në thellimin e saj në ndërgjegjen e njerëzve dhe atje ku djalli shkatërronte Perëndia mbillte.
Besimi nuk është vetëm një institucion apo një praktikë e jashtme, por një dimension i thellë i jetës njerëzore, që mund të mbijetojë edhe në kushtet më të vështira. Perëndia asnjëherë nuk e braktis atë që beson me zemër të pastër.
Roli i Atë Kristo Racit në ringritjen organizative të Kishës pas vitit 1990
Pas rënies së regjimit ateist dhe fillimit të riorganizimit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, figura e Atë Kristo Racit mori një rëndësi të veçantë, pasi ai përfaqësonte lidhjen e gjallë midis Kishës së përndjekur dhe asaj që po rilindte. Në një kohë kur strukturat kishtare ishin shkatërruar pothuajse plotësisht dhe mungesa e klerikëve ishte e theksuar, përvoja, kujtesa dhe qëndrueshmëria e tij u bënë një pikë referimi për gjithë jetën kishtare në Mitropolinë e Shenjtë Korçë.
Në këtë periudhë, ai u përfshi në mënyrë aktive në jetën organizative të Kishës, duke qenë anëtar i kryesisë së Këshillit Kishtar të Mitropolisë së Shenjtë të Korçës, me cilësinë e përfaqësuesit arhieratik. Ky rol nuk ishte thjesht formal, por kishte një përmbajtje thelbësore, pasi Atë Kristo, për shkak të përvojës së tij të gjatë dhe njohjes së thellë të traditës liturgjike dhe kishtare, kontribuoi drejtpërdrejt në rindërtimin e jetës shpirtërore dhe organizative të Mitropolisë.
Pavarësisht moshës së thyer, ai vazhdoi, ashtu si thamë dhe më lart, të ishte një klerik aktiv. Ai kryente shërbesat kishtare pothuajse i vetëm, duke përballuar mungesën e theksuar të ndihmësve dhe të klerikëve të rinj. Në këto momente ai kishte si bashkëmeshëtar Atë Kosta Kotnanin një klerik tjetër martir e të përvuajtur, dhe të dy ishin të detyruar të kryenin në këtë moshë të gjitha shërbesat e vitit kishtar, misteret, por dhe kremtet e mëdha si Krishtlindjet, Pashkët, Javën e Madhe dhe Theofaninë.
Një aspekt i rëndësishëm i kontributit të tij, më vonë, ishte edhe roli si “mësues” dhe udhërrëfyes për klerikët e rinj. Ai nuk kufizohej vetëm në kryerjen e shërbesave, por transmetonte përvojën e tij, duke i këshilluar dhe duke i formuar ata në frymën e traditës orthodhokse. Në këtë kuptim, ai funksiononte si një “shkollë e gjallë”, ku përvoja personale e përndjekjes, e qëndresës dhe e besimit kthehej në mësim konkret për brezin e ri të klerikëve.
Një tjetër element domethënës është përpjekja e tij për të ruajtur ekuilibrin në një realitet të ri, të ndërlikuar dhe shpesh kontradiktor. Në rrëfimet e tij ai shprehte shqetësim për ndikimet negative të një shoqërie që po kalonte nga ateizmi në një formë të re materializmi, duke theksuar se rreziku për jetën shpirtërore nuk vinte vetëm nga e kaluara komuniste, por edhe nga mënyra se si njeriu modern e kupton lirinë dhe mirëqenien. E konsideronte këtë si një sfidë të re për Kishën, e cila duhej të rindërtonte jo vetëm strukturat e saj, por edhe ndërgjegjen shpirtërore të njerëzve.
Pa dyshim që kishte një vetëdije të thellë teologjike dhe shoqërore, e cila e bënte figurën e tij jo vetëm dëshmitar të së kaluarës, por edhe interpretues kritik të së tashmes.
Vetmia e tij lidhjen gjithmonë me njerëzit e tjerë që kishte njohur. Ai kujtonte me dhimbje miqtë, bashkëpunëtorët dhe teologët që e kishin ndihmuar në të kaluarën dhe që tashmë nuk jetonin më. Gjente ngushëllim dhe forcë në vizitat e klerikëve të tjerë, nga vendet të tjera e sidomos Greqia, të cilat i jepnin kurajë dhe e bënin të ndiente se nuk ishte plotësisht i vetëm në këtë përpjekje.
Ai jetonte në mënyrë të thjeshtë dhe konkrete realitetin e përditshëm të pasigurisë dhe varfërisë së viteve të para të tranzicionit. Kujdesej vetë për ndërtesën e Mitropolisë, përforconte dyert për t’u mbrojtur nga vjedhjet dhe përballej me një realitet të vështirë social, të cilin e konsideronte si trashëgimi të drejtpërdrejtë të periudhës komuniste.
Figura e Atë Kristo Racit
Figura e Atë Kristo Racit përbën një nga dëshmitë më të plota dhe më domethënëse të historisë së Kishës Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë gjatë shekullit XX, duke përfshirë periudhën e përndjekjes, mbijetesës dhe ringritjes organizative së saj. Jeta dhe veprimtaria e tij sintetizojnë në mënyrë të qartë përvojën kolektive të klerit orthodhoks në Shqipëri, duke e bërë atë një figurë përfaqësuese jo vetëm në plan individual, por edhe në atë shpirtëror, historik dhe kishtar.
Në rrafshin historik, ai është dëshmitar i drejtpërdrejtë i një prej periudhave më të errëta të jetës fetare në vend. Përndjekja që përjetoi – burgimi, internimi, demaskimi dhe zhveshja nga shërbesa kishtare – nuk e çuan në dorëzim, por përkundrazi e forcuan në besimin e tij. Qëndresa e tij nuk ishte e zhurmshme apo demonstrative, por e qetë, e qëndrueshme dhe e mbështetur në një lidhje të thellë me Zotin. Kjo formë rezistence shpirtërore përbën një nga tiparet më thelbësore të figurës së tij.
Në rrafshin kishtar, kontributi i tij në ruajtjen e jetës liturgjike dhe të trashëgimisë shpirtërore gjatë viteve të ndalimit të fesë është i jashtëzakonshëm. Fshehja e sendeve të shenjta, ruajtja e Kungatës Hyjnore dhe vazhdimi i shërbesave në fshehtësi tregojnë një ndjenjë të lartë përgjegjësie dhe një vetëdije të thellë për rolin e tij si prift.
Në periudhën pas vitit 1990, ai luajti një rol të rëndësishëm në ringritjen e jetës kishtare në Korçë. Edhe pse në moshë të thyer, ai vazhdoi të shërbejë, të udhëzojë dhe të mbështesë klerikët e rinj, duke u bërë një pikë referimi për të gjithë ata që angazhoheshin në rindërtimin e Kishës. Në këtë mënyrë, ai u shndërrua në një urrë lidhëse midis së kaluarës së përndjekur dhe së tashmes së rilindur.
Një dimension i rëndësishëm i figurës së tij është edhe raporti me besimtarët e thjeshtë. Ai nuk ishte i shkëputur nga komuniteti, por jetonte mes tij, duke ndarë të njëjtat vështirësi dhe duke qenë pjesë e jetës së përditshme. Marrëdhënia e tij me besimtarët karakterizohej nga afërsia, thjeshtësia dhe dashuria. Për ta, pa e kuptuar, ai përbënte një Atë shpirtëror.
Nga ana tjetër, reflektimet e tij për gjendjen e shoqërisë dhe për sfidat e Kishës tregojnë një mendje të kthjellët dhe një dhunti të veçantë për të interpretuar realitetin nën dritën e besimit.
Atë Kristo Raci mund të konsiderohet si një nga figurat simbol së Orthodhoksisë në Shqipëri. Ai mishëron në vetvete tri dimensione themelore: dëshmitarin e vuajtjes, ruajtësin e traditës dhe bashkëpunëtorin e ringritjes së Kishës. Jeta e tij dëshmon se, edhe në kushtet më të vështira historike, besimi me Hirin e Perëndisë ruhet dhe ripërtërihet, duke u kthyer në burim force dhe shprese për brezat e ardhshëm.
Dr. Themistoki Bambulla
Bibliografi
Këmbana e parë Orthodhokse pas Monizmit – Sotir Bambulla,2018
“Klerikë orthodhoksë dhe dhiakonë që i mbijetuan rregjimit ateist në Shqipëri” (1945-1990) (Botuar më 2001). Shkrimtar Elefther Ap. Karakitsio (Protopresviter-Profesor). Origjinal titulli: «ΟΡΘΟΔΟΞΟΙ ΙΕΡΕΙΣ ΚΑΙ ΔΙΑΚΟΝΟΙ ΠΟΥ ΕΠΕΖΗΣΑΝ ΤΟΥ ΑΘΕΟΥ ΚΑΘΕΣΤΩΤΟΣ ΣΤΗΝ ΑΛΒΑΝΙΑ (1945-1990)»(2001), και συγγραφέα τον π. Ελευθέριο Απ. Καρακίτσιο (Πρωτοπρεσβύτερο – Καθηγητή) .