E Diela e të Verbërit- Fjalë Shpirtërore në Katedralen Ngjallja në Tiranë.

2824
14:17
3
E Diela e të Verbërit- Fjalë Shpirtërore në Katedralen Ngjallja në Tiranë.

Mitropoliti i Korçës, Hirësi Anastasi, foli për shërimin e të verbërit si shfaqje të dritës së Krishtit dhe thirrje për të parë të vërtetën me sytë e shpirtit.

 

Në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë u kremtua sot Liturgjia Hyjnore me rastin e së Dielës së të Verbërit.

Shërbesat e Shenjta u drejtuan nga Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij z. Anastas, i cili, në fund të Liturgjisë Hyjnore, përcolli një mesazh teologjik mbi kuptimin e dritës, besimit dhe qëndrimit të njeriut përballë së vërtetës.

Në fillim të fjalës së tij, Hirësia e Tij solli përshëndetjet dhe bekimin e Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij z. Joan. Kryepiskopi ndodhet këto ditë në Kapadoki, në një vizitë pelegrinazhi së bashku me Patriarkun Ekumenik të Kostandinopojës, Tërëshenjtërinë e Tij z. Vartholome.

Duke u ndalur te fragmenti ungjillor i ditës, që flet për shërimin e të verbërit që kishte lindur pa shikim, Mitropoliti i Korçës theksoi se kjo mrekulli nuk duhet parë vetëm si rikthim i shikimit fizik, por si shfaqje e lavdisë krijuese të Perëndisë.

“Zoti nuk i riktheu thjesht dritën një njeriu që kishte humbur shikimin, por i dha sy atij që nuk kishte parë kurrë”, u shpreh Hirësi Anastasi, duke e lidhur këtë ngjarje me vetë misterin e krijimit të njeriut prej baltës.

Ai vuri në dukje se historia e të verbërit nuk i përket vetëm së kaluarës, por përsëritet vazhdimisht në jetën e njerëzimit. Drita, sipas tij, shpesh kundërshtohet, vihet në dyshim dhe luftohet, sepse njeriu nuk e ka gjithmonë të lehtë të pranojë të vërtetën që vjen nga Perëndia.

Mitropoliti Anastasi theksoi se edhe në kohët moderne besimi përballet me forma të reja mohimi, relativizimi dhe presioni kulturor. “E gjithë mësymja është kundër Krishterimit”, tha ai, duke shtuar se shoqëria bashkëkohore shpesh përpiqet të zhvlerësojë jo vetëm mrekullinë, por edhe vetë figurën e Krishtit dhe dimensionin transhendental të jetës njerëzore.

Një vend të veçantë në fjalën e tij zuri dëshmia e të verbërit të shëruar. Përballë akuzave, dyshimeve dhe presioneve, ai nuk përdor teori të ndërlikuara, por dëshmon thjesht atë që ka përjetuar: “Isha i verbër dhe tani shoh”.

Sipas Mitropolitit të Korçës, kjo mbetet një nga shprehjet më të fuqishme të përvojës së besimit. Besimi nuk është vetëm ide apo mendim, por takim me Krishtin dhe transformim i vetë qenies njerëzore.

Në fund të fjalës së tij, Hirësi Anastasi i ftoi besimtarët të mos i lexojnë Ungjijtë si tregime të largëta historike, por si një thirrje personale dhe të përhershme për çdo njeri. “Fjala e Zotit është ndërkohore”, tha ai, duke theksuar se “Kisha është Krishti i shtrirë në të gjithë kohën”.

Në përfundim të Liturgjisë Hyjnore, besimtarët u njoftuan edhe për dy të kremtet e mëdha të kësaj jave. Të mërkurën, më 20 maj 2026, do të kremtohet Mbyllja e Pashkës, ndërsa të enjten, më 21 maj, Kisha do të kremtojë festën e Analipsit, Ngjitjen e Zotit Jisu Krisht në Qiej.

 Me info nga Ngjallja.org

Nëse vëreni një gabim, zgjidhni tekstin e nevojshëm dhe shtypni Ctrl+Enter ose Dërgo një gabim për ta raportuar tek redaktorët.
Nëse gjeni një gabim në tekst, zgjidhni atë me mousen dhe shtypni Ctrl+Enter ose këtë buton Nëse gjeni një gabim në tekst, theksoni atë me mousen dhe klikoni këtë buton Teksti i theksuar është shumë i gjatë!
Lexo gjithashtu