Ministria e Arsimit zëvendëson termat “para” dhe “pas Krishtit”

2824
16:11
Ministria e Arsimit zëvendëson termat “para” dhe “pas Krishtit”

Programi i ri i ASCAP-it përdor termat “para erës sonë” dhe “të erës sonë”, duke shmangur datimin tradicional të lidhur me lindjen e Krishtit.

 

Ajo që paraqitet si “përditësim” i kurrikulave shkollore nuk është thjesht një ndërrim fjalësh. Në programin e ri të lëndës së Historisë për klasën VI, të publikuar nga ASCAP, periudhat historike shënohen me termat “para erës sonë” dhe “të erës sonë”, jo me formulimet tradicionale “para Krishtit” dhe “pas Krishtit”.

Kjo duket që në përmbajtjen e programit. Për qytetërimet e hershme në Antikitet përdoret formulimi “mijëvjeçarët IV–II para erës sonë”, ndërsa për qytetërimet klasike në Mesdhe periudha jepet si “shek. VIII para erës sonë – shek. V të erës sonë”. 

Ndryshimi mund të duket teknik, por prek mënyrën se si brezi i ri do të mësojë të kuptojë kohën, historinë dhe trashëgiminë  kulturore. Datimi para dhe pas lindjes së Krishtit nuk është shpikje kishtare për shkollat në Shqipëri. Ai është një sistem kronologjik i përdorur prej shekujsh në historiografinë europiane dhe botërore.

Në vetë programin thuhet se lënda e historisë duhet t’i ndihmojë nxënësit të dallojnë faktet nga opinionet, të zhvillojnë mendim kritik dhe të ndërtojnë qëndrime të mbështetura në fakte. Po ashtu, historia paraqitet si mjet për formimin e identitetit personal, kulturor dhe kombëtar, si edhe për njohjen e rrënjëve historike dhe trashëgimisë kulturore.

Pikërisht për këtë arsye, heqja e termave “para Krishtit” dhe “pas Krishtit” nuk duhet kaluar si një hollësi e parëndësishme. Historia nuk bëhet më e saktë duke i hequr emrat që lidhen me një traditë të gjatë kulturore apo konsiderohen si diçka gjoja "jo - moderne". Përkundrazi, shkolla do të ishte më e plotë nëse nxënësve do t’u shpjegonte të dyja format e datimit, kuptimin e tyre dhe arsyen pse kalendari historik është lidhur për shekuj me lindjen e Krishtit.

Përmendja e Krishtit në datim nuk e kthen lëndën e historisë në predikim fetar. Ajo dëshmon një fakt historik dhe kulturor: qytetërimi europian, përfshirë edhe arsimin, kronologjinë dhe historinë e shkruar, është ndërtuar për shumë shekuj mbi këtë ndarje kohe.

Pyetja është e thjeshtë: a po i mësojmë nxënësit të mendojnë me fakte dhe të përballen me trashëgiminë e tyre, apo po i mësojmë të pranojnë çdo ndërhyrje terminologjike si “përditësim”, pa pyetur se çfarë humbet gjatë këtij procesi?

Në një shoqëri të lirë dhe pluraliste, gjithëpërfshirja nuk duhet të nënkuptojë fshirje të kujtesës. Ajo duhet të nënkuptojë shpjegim më të plotë, respekt për traditën dhe aftësi për ta parë historinë pa e varfëruar nga emrat, simbolet dhe pikat e saj themelore.

 

Nëse vëreni një gabim, zgjidhni tekstin e nevojshëm dhe shtypni Ctrl+Enter ose Dërgo një gabim për ta raportuar tek redaktorët.
Nëse gjeni një gabim në tekst, zgjidhni atë me mousen dhe shtypni Ctrl+Enter ose këtë buton Nëse gjeni një gabim në tekst, theksoni atë me mousen dhe klikoni këtë buton Teksti i theksuar është shumë i gjatë!
Lexo gjithashtu