Patriarku Vartholome dhe Kryepiskopi Joan në pelegrinazh në Kapadoki

2824
16 Maj 23:38
3
Foto ec-patr Foto ec-patr

Pelegrinazhi treditor, më 16–18 maj 2026, përfshin shërbesa në kishat historike të Kapadokisë dhe bashkëmeshim në Malakope.

Tërëshenjtëria e Tij, Patriarku Ekumenik z. Vartholome, po zhvillon një vizitë pelegrinazhi në Kapadoki së bashku me Fortlumturinë e Tij, Kryepiskopin e Shqipërisë z. Joan. Pelegrinazhi nisi të shtunën, më 16 maj 2026, dhe do të përfundojë pasditen e së hënës, më 18 maj.

Dy Primatët mbërritën në mesditë në aeroportin e Neapolit të Kapadokisë, Nevşehir, të shoqëruar nga përfaqësues kishtarë dhe bashkëpunëtorë të tyre. Pas mbërritjes, ata zhvilluan takime zyrtare me Prefektin e Nevşehir-it, z. Hüseyin Kök, si edhe me Kryetarin e Bashkisë së qytetit, z. Rasim Ari.

Gjatë takimeve, Patriarku Ekumenik falënderoi autoritetet vendore për lehtësimet e ofruara në organizimin e pelegrinazhit dhe të shërbesave kishtare. Ai vlerësoi veçanërisht kujdesin për mikpritjen e pelegrinëve që kanë udhëtuar nga Qyteti, nga Greqia dhe nga vende të tjera për të marrë pjesë në këtë ngjarje shpirtërore.

Programi i pelegrinazhit përfshin Mbrëmësoren në kishën e Shenjtorëve Kostandin dhe Elena në Sinasonë, Mustafapaşa, si edhe Liturgjinë Hyjnore në Kishën e Shën Theodhorit në Malakope, Derinkuyu. Liturgjia do të kryesohet nga Patriarku Ekumenik Vartholome, në bashkëmeshim me Kryepiskopin Joan të Shqipërisë dhe hierarkë nga të dyja Kishat.

Në orët e pasdites, Patriarku Vartholome dhe Kryepiskopi Joan vizituan fshatin Xhalela, Cemil, ku ndodhet Kisha e Nderimit të Kryqit të Shenjtë. Në oborrin e kësaj kishe ata kënduan himnin “O Dritë Gazmore”, duke i dhënë vizitës një karakter të veçantë lutjeje dhe përshpirtërie.

Më pas, dy Primatët vizituan Sinasonë, Mustafapaşa, një nga vendbanimet historike të Kapadokisë, i lidhur ngushtë me praninë e dikurshme të komuniteteve të krishtera orthodhokse në këtë krahinë. Atje, Arkondi i Patriarkanës së Madhe të Krishtit, z. Grigorios Haxhieleftheriadis, shtroi një darkë për nder të tyre në rezidencën e tij tradicionale.

Kryepiskopi i Shqipërisë z. Joan kishte mbërritur në Qytet mbrëmjen e së enjtes, i shoqëruar nga Hirësia e Tij, Peshkopi i Amantisë imzot Ignati, Kryesekretar i Sinodit të Shenjtë, dhe nga Kryedhjakoni i tij, z. Joan. Të premten, ai zhvilloi një takim jozyrtar me Patriarkun Ekumenik Vartholome, gjatë të cilit u diskutuan çështje aktuale me interes të përbashkët.

Po atë mbrëmje, Patriarku Ekumenik dhe Kryepiskopi i Shqipërisë morën pjesë në darkën zyrtare të organizuar nga Komuniteti i Ksilopurtës, me rastin e përmbylljes së kremtimeve për 1400-vjetorin e Himnit Akathist. Kremtimi u zhvillua në Kishëzën e Hyjlindëses së Vlahernave.

Pelegrinazhi në Kapadoki ka rëndësi të veçantë shpirtërore dhe historike, pasi kjo krahinë lidhet me jetën e shumë shenjtorëve, etërve të mëdhenj të Kishës dhe komuniteteve të lashta të krishtera. Shërbesat në kishat historike të zonës rikthejnë në kujtesë trashëgiminë e pasur orthodhokse të Kapadokisë dhe lidhjen e saj të gjallë me jetën kishtare të sotme.

Nëse vëreni një gabim, zgjidhni tekstin e nevojshëm dhe shtypni Ctrl+Enter ose Dërgo një gabim për ta raportuar tek redaktorët.
Nëse gjeni një gabim në tekst, zgjidhni atë me mousen dhe shtypni Ctrl+Enter ose këtë buton Nëse gjeni një gabim në tekst, theksoni atë me mousen dhe klikoni këtë buton Teksti i theksuar është shumë i gjatë!
Lexo gjithashtu