Patriarku serb uron Shio III për fronëzimin
Kreu i Kishës Orthodhokse Serbe, Patriarku Porfir, i dërgoi një letër urimi Patriarkut të ri të Gjeorgjisë, Shio III, pas zgjedhjes së tij në krye të Kishës Orthodhokse Gjeorgjiane.
Unioni i Gazetarëve Orthodhoksë të Gjeorgjisë na informon se Patriku serb Porfiri ka uruar Fortlumturinë e Tij Shio III me rastin e zgjedhjes dhe fronëzimit të tij si Patriark i gjithë Gjeorgjisë.
Në letrën drejtuar Kryebariut të sapozgjedhur të Kishës Orthodhokse të Gjeorgjisë, Primati i Kishës Orthodhokse Serbe shprehu gëzimin e tij për këtë ngjarje dhe theksoi rëndësinë e saj shpirtërore për mbarë botën orthodhokse.
“Si pjesëmarrës në histori, të ndriçuar nga drita e pavdekshme e Krishtit të Ngjallur dhe duke përjetuar misterin e dashurisë së Perëndisë si jehonë të thirrjes më të bukur nën diell, gëzohemi që sot u dëgjua një zë që e mbushi me gëzim Kishën e Shën Savës dhe gjithë botën e krishterë: Kisha motër e Gjeorgjisë, në personin Tuaj hyjdashës, fitoi Kryepiskopin dhe Udhëheqësin e saj”, shkroi Patriku Porfir.
Patriku serb shprehu bindjen se zgjedhja e Patrikut Shio në “fronin e shenjtë dhe të lashtë të patriarkëve gjeorgjianë” është shenjë e mirësisë së Perëndisë. Sipas tij, përmes kësaj zgjedhjeje populli gjeorgjian ka marrë një Atë të virtytshëm, një bari të mirë dhe një mësues të palodhur.
Në mesazhin e tij, Patriku Porfir theksoi edhe lidhjet vëllazërore midis Kishës Orthodhokse Serbe dhe Kishës Orthodhokse të Gjeorgjisë, duke shprehur urime për shërbesën e re patriarkale të Shio III dhe duke i dëshiruar atij fuqi, urtësi dhe ndihmën e Perëndisë në udhëheqjen e popullit besimtar.