Berati priti me nderim lipsanin e Shën Nikollës, Kryepiskopit të Mirës së Liqisë!
Në një atmosferë të mbushur me besim, lutje dhe përkushtim shpirtëror, qyteti i Beratit priti më 8 maj 2026 një pjesë të lipsanit të Shën Nikollës, Kryepiskopit të Mirës së Liqisë. Lipsani i shenjtë u vendos për nderim në Katedralen e “Shën Dhimitrit”, ku besimtarë të shumtë u mblodhën për t’u lutur dhe për të kërkuar ndërmjetimin e shenjtorit të madh çudibërës pranë Krishtit Perëndi.
Më 8 maj 2026, qyteti i Beratit përjetoi një ngjarje të veçantë shpirtërore me mbërritjen e një pjese të lipsanit të Shën Nikollës, Kryepiskopit të Mirës së Liqisë, një prej shenjtorëve më të dashur dhe më të nderuar në mbarë botën e krishterë. Lipsani i shenjtë u soll për t’u nderuar në Katedralen e “Shën Dhimitrit”, duke mbledhur besimtarë të shumtë nga Berati, por edhe nga mitropoli të tjera të vendit.
Pritja u organizua nga Mitropolia e Shenjtë e Beratit, Vlorës dhe Kaninës. Pavarësisht motit me shi, besimtarët e pritën lipsanin me gëzim, përkushtim dhe nderim të madh. Në hyrje të sheshit qendror të Beratit, arka me lipsanin iu dorëzua Mitropolitit të Beratit, Hirësisë së Tij Asti, nga përfaqësues të Kishës Katolike, mes të cilëve Nunci Apostolik në Shqipëri, Shkëlqesia e Tij Mirosław Adamczyk, përfaqësues të Ipeshkvisë së Riminit dhe klerikë të tjerë katolikë.
Procesioni drejt katedrales u zhvillua në një atmosferë solemne dhe festive. Lipsani paraprihej nga klerikë, dhjakonë, të rinj e fëmijë me flamuj kishtarë, lambadha dhe gjashtëkrahëshe, ndërsa banda frymore shoqëronte ngjarjen me tinguj festivë. Në Katedralen e “Shën Dhimitrit”, Mitropoliti i Beratit, Hirësia e Tij Asti, së bashku me Mitropolitin e Korçës, Hirësinë e Tij Anastas, vendosën me nderim lipsanin në qendër të kishës.
Prania e këtij lipsani u cilësua si një bekim i veçantë për qytetin e Beratit dhe për besimtarët, të cilët patën mundësinë të luten pranë tij dhe të kërkojnë ndërmjetimin e Shën Nikollës, i njohur për mrekullitë, ndihmën ndaj njerëzve në nevojë dhe mbrojtjen e atyre që i drejtohen me besim. Në kuadër të kësaj vizite, Mitropolia e Beratit njoftoi edhe programin e shërbesave, ndërsa më 10 maj 2026 lipsani qëndroi për nderim gjatë gjithë Liturgjisë Hyjnore në katedrale.
Në fjalën e tij, Mitropoliti i Beratit, Hirësia e Tij Asti, theksoi se lipsani i shenjtë ishte një pjesë nga krahu i majtë i Shën Nikollës, i ardhur nga Dioqeza Romano-Katolike e Riminit në Itali, ku ishte ruajtur me devocion dhe nderim të madh. Ai shprehu mirënjohje për autoritetet kishtare dhe përfaqësuesit që mundësuan sjelljen e këtij thesari shpirtëror në Berat, duke e cilësuar këtë ngjarje si një rast të veçantë, sepse për herë të parë ky lipsan ndodhej në qytetin dhe katedralen e Beratit.
Mitropoliti Asti rikujtoi edhe traditën e lashtë të Kishës për nderimin e lipsaneve. Që nga kohët e para të krishterimit, madje edhe gjatë persekutimeve, besimtarët mblidheshin në vendet e martirizimit, në varreza dhe katakombe, ku kremtonin Liturgjinë Hyjnore dhe nderonin lipsanet e martirëve. Në këtë kuptim, nderimi i lipsaneve nuk është thjesht një akt kujtese, por shprehje e besimit se hiri i Shpirtit të Shenjtë mbetet i gjallë në shenjtorët, në eshtrat, ikonat dhe vendet e tyre të shenjta.
Shën Nikolla u përmend si shenjtor çudibërës i shekujve III–IV, model bariu dhe kryeprifti, mbrojtës i të varfërve, i të padrejtësuarve, i të braktisurve dhe i të gjithë atyre që kërkojnë ndihmën e tij. Qëndresa e tij në mbrojtje të besimit të drejtë, sidomos në lidhje me Sinodin e Parë Ekumenik të vitit 325, si dhe dashuria, përulësia dhe kujdesi i tij për njerëzit, e kanë bërë emrin e tij të dashur dhe të nderuar në të gjitha kohërat.
Kjo vizitë e shenjtë u shoqërua me lutje, Paraklis, Agripni dhe nderim nga besimtarët e shumtë që mbushën katedralen. Ajo mbetet një ngjarje e shënuar për Mitropolinë e Beratit dhe për mbarë besimtarët orthodhoksë në Shqipëri, duke forcuar lidhjen me traditën e shenjtë të Kishës dhe duke rikujtuar thirrjen e përbashkët të çdo të krishteri për të ecur drejt shenjtërisë.
Me info nga Radio Ngjallja