Besimi ynë orthodhoks
KATEKIZMI I KRISHTERË ORTHODHOKS
“Jeta e krishterë varet nga këto të dyja: dogma të drejta dhe vepra të mira. Dogmat pa veprat e mira nuk janë të mirëpritura te Perëndia, as veprat e mira që bëhen pa dogmat e drejta nuk i pranon Perëndia”
Shën Kirili i Jerusalemit
Si rrjedhim, çdo i krishterë duhet të njohë mirë këto dy çështje themelore: dogmat e drejta, domethënë besimin e drejtë, dhe veprat e mira, domethënë jetën e drejtë. Që të dyja janë njëlloj të domosdoshme për shpëtimin tonë.
Katekizmi i krishterë orthodhoks ka si qëllim të mësojë këto dy çështje: orthodhoksinë, që do të thotë besimi i drejtë, dhe orthopraksinë, që do të thotë veprimi i drejtë. Në këtë libër do të njohim shkurtimisht besimin tonë të krishterë orthodhoks. Si bazë dhe udhëzues do të kemi Simbolin e Besimit, ose ndryshe “Besoren”.
BURIMET E KATEKIZMIT
Katekizmi i krishterë orthodhoks mbështetet në Shkrimin e Shenjtë dhe Traditën e Shenjtë.
A. Shkrimi i Shenjtë
Shkrimi i Shenjtë është fjala e shkruar e Perëndisë për njeriun. Ai përbëhet nga librat e shenjtë, të cilët i shkruan njerëz të ndriçuar nga Shpirti i Shenjtë.
Dhiata e Vjetër përmban veprat që kreu Perëndia para se të vinte Krishti në botë dhe përbëhet nga 49 libra. Prej këtyre, disa janë historikë, disa didaktikë dhe disa profetikë.
Dhiata e Re përmban jetën dhe veprën e Krishtit, jetën e Kishës së parë dhe Letrat e Apostujve. Ajo përbëhet nga 27 libra.
Shkrimi i Shenjtë është libër i frymëzuar prej Perëndisë. E shkruan, siç thamë, njerëz të ndriçuar nga Shpirti i Shenjtë. Prandaj edhe ato që përmban janë të gjitha të vërteta.
B. Tradita e Shenjtë
Tradita e Shenjtë është fjala e pashkruar e Perëndisë, domethënë mësimi gojor i Krishtit dhe i Apostujve. Në Traditën e Shenjtë përfshihen edhe vendimet e Sinodeve Ekumenike dhe Lokale, Simboli i Besimit, ose “Besorja”, si edhe zakonet e Kishës, si shenja e Kryqit, kryerja e Liturgjisë Hyjnore etj.
Traditën e Shenjtë origjinale e ruajti vetëm Kisha Orthodhokse. Protestantët e refuzuan plotësisht Traditën e Shenjtë, ndërsa papistët, domethënë katolikët, shtuan shumë dogma të reja, të cilat janë të huaja për Shkrimin e Shenjtë dhe Traditën e Shenjtë, si: Filioque — “edhe prej Birit”, pagabueshmëria e papës, purgatori etj.
SIMBOLI I BESIMIT
Kuptimi
Simboli i Besimit është një tekst i shkruar, i cili përmban shkurtimisht të gjitha të vërtetat themelore, domethënë dogmat e besimit tonë. Ai përmban çdo gjë që duhet të besojë një i krishterë orthodhoks.
Simbolin e Besimit e përpiluan Etërit e shenjtë të Sinodeve Ekumenike, Sinodi I dhe Sinodi II, në vitet 325 dhe 381 pas Krishtit. Ai përbëhet nga dymbëdhjetë nene.
SIMBOLI I BESIMIT
Besoj në një Perëndi, Atë, të Tërëfuqishëm, krijues të qiellit dhe të dheut dhe të gjithë të dukurave dhe të padukurave.
Dhe në një Zot Jisu Krishtin, Birin e Perëndisë, të vetëmlindurin, që lindi prej Atit përpara gjithë shekujve; dritë prej drite, Perëndi të vërtetë prej Perëndie të vërtetë, të lindur, jo të bërë, që ka të qenët një me Atin, me anën e të cilit u bënë të gjitha.
Që për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiejve, edhe u mishërua prej Shpirtit të Shenjtë edhe Virgjëreshës Mari dhe u bë njeri.
Dhe u kryqëzua për ne në kohën e Pontit Pilat, dhe pësoi e u varros.
Dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve.
Dhe u ngjit në qiejt dhe rri në të djathtë të Atit.
Dhe do të vijë përsëri me lavdi të gjykojë të gjallët dhe të vdekurit, mbretëria e të cilit nuk do të ketë mbarim.
Dhe në Shpirtin e Shenjtë, Zot, jetëbërës, që buron prej Atit, që adhurohet e lavdërohet bashkë me Atin e me Birin, që foli me anën e profetëve.
Në Një Kishë të Shenjtë, Katholike dhe Apostolike.
Pohoj një pagëzim për ndjesën e mëkateve.
Pres ngjalljen e të vdekurve.
Dhe jetën e ardhshme të amshuar. Amin.
Nga libri i Arkim. Epifan Hatzijianku fq. 13-15