Komunitetet fetare zhvilluan simpozium për familjen në Tiranë

2824
11:02
13
Foto KOASH Foto KOASH

Në Ditën Ndërkombëtare të Familjes, përfaqësuesit fetarë theksuan rolin e familjes si themel i paqes, edukimit dhe shoqërisë së shëndetshme.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Familjes, sot, më 15 maj 2026, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë organizoi në Tiranë simpoziumin me temë: “Nuk ka paqe në shoqëri, pa paqe në familje”.

Veprimtaria u mbajt në ambientet e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve dhe mblodhi krerë të komuniteteve fetare, përfaqësues të tyre dhe pjesëmarrës të tjerë, të cilët u ndalën te rëndësia e familjes në jetën shpirtërore, shoqërore dhe morale të njeriut.

Në fjalën e tij, Mitropoliti i Beratit, Hirësi Asti, theksoi se familja është qeliza bazë e shoqërisë njerëzore. Sipas tij, pikërisht në familje shoqëria zhvillohet, ripërtërihet dhe ruan vazhdimësinë e saj.

Sipas mësimit të Kishës Orthodhokse, një familje e shëndetshme ndërtohet mbi shenjtërinë e martesës. Bashkimi i lirë ndërmjet një burri dhe një gruaje është themeli i martesës dhe zemra e familjes. Martesa, si institucion i së drejtës hyjnore, nuk është vetëm një lidhje natyrore për vazhdimësinë e jetës njerëzore, por edhe një bashkim shpirtëror i bekuar nga Perëndia.

Krishterimi e sheh familjen si “kishë” dhe si “shtëpi të Perëndisë”. Në këtë kuptim, ajo nuk është vetëm vend bashkëjetese, por hapësira ku njeriu mëson dashurinë, respektin, kujdesin dhe përgjegjësinë ndaj të tjerëve.

Duke iu referuar fjalëve të Kryepiskopit të Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij Joanit, Mitropoliti theksoi se familja i jep njeriut identitetin dhe ndjenjën e përkatësisë. Brenda saj njeriu mëson të ndajë përvojat e përditshme dhe të kuptojë më thellë qëllimin e jetës.

Ai u ndal te roli i pazëvendësueshëm i familjes në formimin e personalitetit të fëmijës. Asnjë institucion tjetër shoqëror nuk mund ta zëvendësojë familjen në edukimin moral, shpirtëror dhe njerëzor të brezit të ri.

Hirësi Asti, ndër të tjera, përmendi se dobësimi i lidhjeve familjare sjell pasoja të rënda në zhvillimin normal të fëmijëve dhe në jetën e shoqërisë. Kur fëmijët nuk rriten me vlera, identitet dhe përvojë të shëndetshme familjare, ata bëhen më të pambrojtur përballë krizave të botës bashkëkohore.

Ai shprehu shqetësimin për sfidat që përjeton sot familja. Sipas tij, në emër të lirisë dhe progresit, shpesh dëmtohen vlerat tradicionale që mbajnë të qëndrueshme martesën, familjen dhe vetë personin njerëzor. Ruajtja e këtyre vlerave nuk është kundër lirisë, por përkundrazi i jep lirisë dhe progresit bazën e nevojshme.

Besimi në Perëndi është garanci për ruajtjen e vlerave jetike të familjes.  Pa ligjin moral, pa besnikëri dhe pa martesë të shëndetshme, nuk mund të ketë as familje të shëndetshme dhe as shoqëri të qëndrueshme.

Hirësi Asti mbylli fjalën e tij duke na kujtuar se mbrojtja e shenjtërisë së martesës ka qenë gjithmonë një çështje thelbësore për mbrojtjen e familjes.

Edhe krerët e komuniteteve të tjera fetare dhe përfaqësuesit e tyre u ndalën te rëndësia e familjes në shoqërinë bashkëkohore. Ata theksuan nevojën për ruajtjen e vlerave familjare, forcimin e dialogut dhe mbështetjen e familjes si hapësirë paqeje, edukimi dhe përgjegjësie.

 

Komunitetet fetare zhvilluan simpozium për familjen në Tiranë фото 1
Komunitetet fetare zhvilluan simpozium për familjen në Tiranë фото 2

Nëse vëreni një gabim, zgjidhni tekstin e nevojshëm dhe shtypni Ctrl+Enter ose Dërgo një gabim për ta raportuar tek redaktorët.
Nëse gjeni një gabim në tekst, zgjidhni atë me mousen dhe shtypni Ctrl+Enter ose këtë buton Nëse gjeni një gabim në tekst, theksoni atë me mousen dhe klikoni këtë buton Teksti i theksuar është shumë i gjatë!
Lexo gjithashtu