Pse rasoja mbetet shenjë e gjallë e traditës orthodhokse

2825
10:00
3
Pse rasoja mbetet shenjë e gjallë e traditës orthodhokse

Foti Kontoglu shpjegon pse pamja e klerikut, rasoja dhe mjekra nuk janë thjesht forma të jashtme, por dëshmi shpirtërore e Kishës dhe e besimit të saj.

Rasoja dhe mjekra
Nga Foti Kontoglu

Shumë është shkruar për rason dhe mjekrën e klerikëve. Shumica e atyre që nuk i durojnë dot janë disa njerëz që duan të duken të lirë dhe me frymë moderne.

Të gjithë këta janë gjithmonë njerëz “praktikë”, që i gjykojnë çështjet e fesë me mendjen e tyre praktike dhe të rëndomtë, ndërsa feja e krishterë nuk ka asnjë lidhje me mendjet praktike, sepse është poezia më e thellë, humnera e poezisë. Fatkeqësia e Kishës sonë e ka shkakun, sipas mendimit tim, në faktin se prej saj u larguan shpirtrat poetikë, në kuptimin e vërtetë të poezisë, dhe ajo u mbush me “njerëz praktikë”, domethënë me thatësirë shpirtërore dhe, o mëshirë e madhe!

Le ta sjellë dikush në mendje dhe të habitet: çfarë lidhjeje mund të kenë këta njerëz “pozitivë dhe praktikë”, të quajtur të urtë dhe të zgjuar, me Krishtin, i Cili tha këto fjalë: “Nëse nuk ktheheni dhe nuk bëheni si fëmijët, nuk do të hyni në Mbretërinë e Qiejve”; “Mos u kujdesni çfarë do të hani, çfarë do të pini dhe çfarë rrobe do të vishni”; “Unë po ju them: mos i kundërshtoni të ligut, por nëse dikush të godet në faqen e djathtë, ktheji edhe tjetrën”; “Lum ata që përndiqen për mua”; “Duajini armiqtë tuaj”; “Mos mblidhni thesare mbi tokë”; “Hyni nga dera e ngushtë, sepse e ngushtë dhe e mundimshme është rruga që të çon në jetë, dhe pak janë ata që e gjejnë”; “Lërini të vdekurit të varrosin të vdekurit e tyre”; “Nuk erdha të sjell paqe, por shpatë”; “Mbretëria e Perëndisë merret me forcë dhe ata që përpiqen me forcë e rrëmbejnë”.

Çfarë lidhjeje mund të kenë këto gjëra, dhe shumë të tjera që tha Krishti, me mendjen praktike? Mendja praktike sheh se çfarë është me leverdi dhe e dobishme për jetën materiale dhe për sigurinë e saj. Ajo nuk mund të fluturojë e lirë atje ku e thërret Krishti. Një fe që porosit gjëra krejt të kundërta me atë që ndien mendja praktike, a mund të jetë për njerëz praktikë? Si mund ta pranojë njeriu praktik se nuk i vlen asgjë nëse fiton gjithë botën? Si mundet ky njeri “pozitiv” të sakrifikojë të gjitha gjërat e prekshme të kësaj bote, duke ndjekur hijet e jetës së ardhshme? “Ata që përpiqen me forcë e rrëmbejnë Mbretërinë e Perëndisë”, thotë Krishti. A mund të jetë i tillë njeriu praktik, që i mat të gjitha dhe nuk rrezikon kurrë? Praktikë ishin farisenjtë, romakët, vetë Juda, që kujdesej aq shumë për arkën. Njeriu praktik nuk mund të mos jetë dyshues e dinak. Dhe Krishti u tha judenjve: “Si mund të flisni gjëra të mira, kur jeni të ligj?”

Samaritania nuk kuptonte çfarë i thoshte Krishti, sepse mendja e saj ishte praktike. Ndërsa Ai i fliste për “ujin e gjallë që buron për jetë të përjetshme”, ajo fliste për ujin natyror, “që të mos kishte më etje dhe të mos shkonte te pusi për të nxjerrë ujë me kovë”: “që të mos kem më etje dhe të mos vij këtu të nxjerr ujë”.

Praktikë ishin edhe hebrenjtë e Dhiatës së Vjetër, të ngjitur pas interesit tokësor; prandaj të gjitha ato që u premtoi Perëndia, “premtimet”, i kuptonin në mënyrë materiale, sipas mendësisë së tyre tokësore.

Pra, njerëzit praktikë, që janë edhe imtësorë e të vegjël në mendim, çështjet e fesë i shohin dhe i gjykojnë me mënyrën utilitare me të cilën punon mendja e tyre. Këta janë ata që duan risi në adhurim dhe në të gjitha çështjet kishtare. Këta duan shkurtimin e shërbesave; këta tregojnë kujdes të tepruar për ndenjëset e rehatshme në kishë, për rregullin dhe pastërtinë e jashtme, për “modernizimin” e adhurimit me muzikë evropiane, me ikonografi natyraliste dhe trupore, me ndryshimin e çdo gjëje që vjen nga tradita, me heqjen e rregullave liturgjike dhe, në fund, me ndryshimin e pamjes së jashtme të klerikëve.

Sipas mendimit të tyre, rasoja duhet të hiqet dhe prifti të veshë pantallona dhe xhaketë si gjithë burrat. Sipas tyre, priftërinjtë duhet të presin flokët dhe mjekrat, të rruajnë mustaqet, “që të jenë të pastër”. Shikoni se si njerëzit praktikë kujdesen shumë, siç thashë edhe më parë, për “anën e jashtme të kupës dhe të pjatës”. Pra, me sugjerimet e tyre të mençura dhe të thella, priftërinjtë nuk do të jenë më të lënë pas dore dhe të papastër si Shën Joani, si Shën Andoni, si Shën Joan Gojarti, si Shën Kozmai i Etolisë me gunën prej leshi dhie, por do të lahen rregullisht, do të rruhen shpesh dhe do të mbajnë erë të mirë, si të gjithë të qytetëruarit e sotëm, madje edhe si gangsterët, mashtruesit e mëdhenj, njerëzit e festave, të hipodromeve, të plazheve etj.

Kam shkruar shumë herë për veshjen e klerikëve dhe për pamjen e tyre të jashtme, duke marrë shkas nga disa modernistë “praktikë” që shqetësohen për “veshjen e tyre anakronike dhe barbare” dhe për “shëmtinë” e flokëve dhe mjekrave të tyre. Sa shumë ndjeshmëri dhe shije të hollë kanë! Nuk do të përsëris ato që kam shkruar herë tjetër, duke mbrojtur pamjen e jashtme të klerikëve tanë nga pikëpamja e traditës.

Vetëm këtë do të them tani në lidhje me traditën e veshjes së klerit tonë: le ta përfytyrojë kush të dojë, nëse mund të qëndrojë më diçka greke, nga dita kur prifti do të shfaqet në fshat me xhaketë dhe pantallona, me kravatë dhe kapele republike, i rruar dhe i qethur, si disa që vijnë nga jashtë, dhe të neveritet njeriu duke parë zverqe të rruara, faqe si vezë të qëruara, gushë, shprehje bankieri ose operatori kinemaje, gjeste dhe zëra pazari, etj.

Sot do të them vetëm pak fjalë për rason dhe mjekrën “nga pikëpamja estetike”, siç thonë edhe estetët, sepse modernistët që bërtasin se ato duhen hequr, thonë se neveriten nga shëmtia e rasos dhe e mjekrës, dhe se gjithçka që thonë e thonë në emër të “shijes së mirë”.

Para së gjithash, çfarë është shija e mirë në gjërat fetare dhe kishtare? Në këto gjëra nuk ka “shije të mirë” sipas shijeve të botës, por është e mirë dhe e bukur ajo që është e hijshme dhe e përmbajtur, ajo që i përshtatet dinjitetit shpirtëror të priftit. Ashtu si forma që kanë kaq shumë gjëra që lidhen me Kishën, si ndërtesat, ikonat, psalmodia, enët e shenjta, librat, veshjet liturgjike, është e tillë që të ngrejë mendjen dhe zemrën e besimtarit drejt botës shpirtërore, si simbole të shenjta dhe kujtime të fjalës së Perëndisë, që e ngrejnë njeriun nga bota materiale dhe e prishshme drejt botës shpirtërore dhe të paprishshme të Mbretërisë së Qiejve, kështu edhe veshja dhe pamja e klerikëve duhet të tregojë dinjitetin e tyre shpirtëror.

Edhe te të lashtët që jetonin para Krishtit, priftërinjtë, falltarët dhe pititë kishin veshje të veçantë, ndërsa burrat kishin mjekër dhe flokë, në mënyrë që pamja e tyre të forconte autoritetin shpirtëror. Grekët, të cilët e vlerësuan formën deri në adhurim, u kushtonin rëndësi të madhe këtyre gjërave, që njerëzit praktikë, mendjegjerë dhe “të lirë” me mendjen e tyre pozitive i quajnë “pa rëndësi” dhe “dytësore”. Të paktën, a nuk e përfytyrojnë se edhe një luan, në gjendjen e tij natyrore, të cilin Perëndia e stolisi me madhështinë e krifës së tij, do të bëhej si një qen zgjebarak nëse do ta qethnin? As një gjë kaq praktike nuk e vendosin në mendje këta zotërinj “praktikë”? Koka të tilla nuk mbushen as me një mijë gjëra që mund të thuhen mbi këtë temë.

Por, siç thashë më sipër, le ta marrim çështjen edhe nga ana e “estetikës”, sepse kohët e fundit modernistët praktikë e kthyen këngën e rasos dhe të mjekrës në çështje estetike, ndoshta sepse epoka jonë, që është më e pashijshmja, i jep rëndësi të madhe “estetikës” dhe “shijes së mirë”.

Do të doja të shkruaja një fletore të tërë me titull: “Pashijshmëria flet për estetikën”. Madje ta shkruaja në katharevusa, që të ishte në përputhje me ata që më dhanë shkas për të shkruar.

Pra, cilët janë ata që tmerrohen nga rasoja dhe nga priftërinjtë me mjekër, në emër të shijes së mirë? Përgjigjja është kjo: si rregull, janë njerëzit më të pashijshëm, njerëzit e “shijes së keqe”, që nuk kanë asnjë lidhje me artin, madje as me shijen e zakonshme. Hyni në shtëpitë dhe zyrat e tyre dhe do të tmerroheni. Arkitektura, mobiliet, ikonat, librat, vazot, llambadarët, të gjitha të shtyjnë të dalësh jashtë. Ajo që do të të bëjë përshtypjen më të madhe është ndonjë tablo e mjerë, me kornizë edhe më të mjerë, e varur mbi tavolinën e punës ose mbi shtrat, që paraqet ndonjë “Jisu të ëmbël”, plot sheqerosje, me atë buzëqeshjen që fotografët ua kërkojnë klientëve para aparatit, me ndriçime artificiale në fytyrë, me flokë të bërë kaçurrela në parukeri, me gjeste kinematografike etj.

Ideali i tyre është një litografi pesëlekëshe, që e kanë përhapur shumë dhe që paraqet Krishtin si “yll” të Hollivudit, ose një tjetër pikturë e shëmtuar që paraqet “Krishtin me fëmijët”, e denjë për shijen e një dadoje, si edhe gjëra të tjera të tilla që gjenden të varura në dyqanet e kornizave. Pas një gjendjeje kaq të vajtueshme, ata kanë guximin të bëjnë profesorin e estetikës dhe të vajtojnë për shëmtinë e mjekrave, në emër të shijes së lartë.

Sa herë që më ndodh të takoj ndonjë prift, dhe sidomos nëse rastis të jetë njeri me pamje fisnike, ndalem dhe e admiroj për madhështinë e tij, për autoritetin dhe njëkohësisht për përmbajtjen që ka pamja e tij, si edhe për besimin që ngjall paraqitja dhe veshja e tij. Figurë e shenjtë! Por edhe sa bukuri ka e gjithë pamja e tij. Jam piktor; syri im është i mprehur për atë që është e bukur në përgjithësi, dhe jo vetëm që nuk gjej asnjë të metë tek ai, por e admiroj. Dhe të mendosh se ka disa grekë, madje edhe teologë, që shtrembërojnë fytyrën dhe e quajnë “antiestetik”!

Antiestetik u duket Homeri, falltari Tiresia, Mentori, Akili me mjekrën e zezë dhe të dredhur, Themistokliu, Shën Vasili, Shën Lukiani, të cilin kur e pa Diokleciani i ashpër, u mahnit, Shën Nikolla, Kostandini Paleologu, Athanas Dhiakos, Papaflesa, Isaia i Salonës. Në fund, ata e quajnë të shëmtuar luanin shpirtëror me krifën e tij natyrore dhe e quajnë të bukur atë të rruar e të qethur, që është si dashi që e qethën dhe u bë i panjohur, me këmbët e shtrembra, me qafën e gjelit të detit dhe me mjekrën komike! Mos më keq! Ku mund të arrijë njeriu nga mendjemadhësia për t’u dukur i evropianizuar! Ne që marrim pak vesh nga arti i ndiejmë këto gjëra, ndërsa të pagdhendurit dhe njerëzit me shije të keqe “ankohen për pamjen jo elegante dhe barbare të klerikëve”! Cilët? Ata që syri i tyre do të shohë forma të konsumuara dhe pa shprehje.

Por edhe nëse prifti është i shëmtuar, me veshjen e tij paraqitet i hijshëm, më shumë sesa sikur të vishte xhaketë dhe pantallona. Me mjekrën dhe flokët fshihen shëmtitë e kokës, gushat, zverqet, buzët e gjera, faqet e trasha. Shto këtu edhe kalimafin, që është një mbulesë e mrekullueshme dhe bëhet edhe më i mrekullueshëm me epanokalimafin. Edhe të metat që mund të ketë trupi i një kleriku fshihen dhe shndërrohen nga rasoja: barku, këmbët e shtrembra, duart e gjata, kurrizi i kërrusur etj. Të gjitha vishen me hijeshi dhe fisnikëri shpirtërore, përballë rrobave të ngushta dhe të prera pas trupit të katolikëve, palave dhe palosjeve si të rrobaqepësive.

Priftërinjtë tanë janë si fisnikë shpirtërorë. Lavdi Perëndisë që shohim ende forma të tilla biblike në shekullin e monotonisë, të njëtrajtshmërisë pa shprehje dhe të prozës antishpirtërore! Megjithatë, edhe ata që nuk i durojnë flokët dhe rasot, shpesh flasin me një ekstazë prej plakash të pamartuara për disa “figura biblike”. “Do mollë, merre; do ftua, merr edhe atë”, siç thotë fjala e urtë.

Se sa e zbukuron mjekra një figurë të shenjtë dhe i jep asaj hijeshi e dinjitet shpirtëror, e tregon, ndër të tjera, edhe statuja e Moisiut nga Mikelanxhelo. E shkruaj këtë për ata që janë të magjepsur nga Perëndimi. Ndërsa sipas traditës së lashtë Moisiu paraqitej pa mjekër, me pak qime të rralla në mjekër, Mikelanxheloja, domethënë një artist katolik, që shihte rreth tij klerikë të rruar, e paraqiti me mjekër të gjatë e të dendur dhe me shumë flokë kaçurrela, që t’i jepte karakter mbinjerëzor dhe priftëror, si Savaothit, Patriarkëve dhe figurave të tjera të nderuara të Shkrimit të Shenjtë.

Një klerik i njohuri im, që udhëtoi para disa vitesh në Siri dhe në Liban, më tregonte se një arkimandrit sirian i kishte thënë se mbreti i Jordanisë, Abdullahu, i thoshte të ndjerit Patriark të Antiokisë: “Ju orthodhoksët keni në pamjen tuaj diçka që na bën ne myslimanëve të ndiejmë respekt. Ndërsa ata priftërinjtë latinë na duken si agjentë çështjesh të dyshimta”. Edhe disa priftërinj tanët që shkuan në vende të huaja të krishtera të Evropës dhe Amerikës, me raso dhe mjekër, siç bëjnë rusët, ishin të nderuar nga vendasit, ndërsa ndaj tanëve të qethur dhe të veshur në mënyrë perëndimore nuk tregohej asnjë respekt si ndaj njerëzve fetarë. Shumë të huaj ma kanë theksuar këtë. Prandaj Kisha jonë, kur dërgon priftërinj në komunitetet e diasporës, ka rënë në ndërgjegjen e të huajve. Për më tepër, kostumi dhe kravata kanë ndikim të madh në sjelljen e klerikëve tanë që i veshin.

Një prift i devotshëm, i njohuri im, më thoshte se kur në mbrëmje heq rason për të fjetur, nuk e njeh veten dhe i duket sikur hiri hyjnor që ndien kur e vesh, largohet prej tij.

Ashtu si oficeri ose polici, që i shërben pushtetit tokësor, mban uniformën për t’u dalluar, kështu edhe kleriku, madje shumë më tepër, sepse i shërben pushtetit qiellor, duhet të mbajë veshjen e tij dhe të mos ketë turp, siç bëjnë ata që nuk e duan rason. Nëse priftërinjtë do ta hiqnin veshjen e tyre priftërore dhe do të vishnin rroba civile, do ta shihnin se çfarë talljeje do të pësonin nga të pafejtë, sidomos në provincë. Sepse rasoja është mburojë.

Prandaj, mjerë nëse prifti shfaqet në fshat me pantallona dhe kravatë, dhe në verë me mëngë të shkurtra! O çfarë fatkeqësie! O shpërbërje e gjithçkaje! Çfarë Greqie mund të qëndrojë më? Gjithçka do të shpërbëhet. Prifti në fshat është simbol. Simbol fetar dhe kombëtar, edhe nëse është i pashkolluar, edhe nëse është më i pagdhenduri. Rasoja i kujton popullit historinë e tij, sakrificat, dhimbjet, gëzimet; prandaj rasoja e ngroh, i jep frymë, besim, siguri, mirëbesim dhe dashuri për gjininë e tij.

Ata që duan të heqin rason dhe të modernizojnë pamjen e lashtë të priftit, a e kanë menduar mirë se çfarë kërkojnë? Le t’i pyesin orthodhoksët e mërguar se çfarë gëzimi dhe përulësie ndiejnë kur shohin, në vendet ku jetojnë, ndonjë prift tonin me mjekër dhe me raso. Diku lexova se një dhjak i devotshëm shkruante se, në një letër që kishte marrë nga një i njohuri i tij i ri, por prift i martuar, i cili shërben në Tasmani të Australisë, ai i kishte shkruar këto fjalë: “E mira është se arrita të ruaj rason dhe mjekrën time, dhe kështu gëzoj respekt dhe shumë vlerësim nga bashkatdhetarët e Tasmanisë”.

Por le të kthehemi edhe pak tek ata që nuk mund të durojnë rason dhe mjekrën e priftërinjve për shkak të “kultivimit estetik” që kanë.

Njëri prej tyre, që tani ka ndërruar jetë dhe atëherë, kur jetonte, ishte profesor i njohur i Teologjisë, më ftoi në shtëpinë e tij për të më treguar “veprat e artit” që kishte. Mezi prisja çastin të largohesha prej andej dhe, kur dola, bëra kryqin, mora frymë thellë dhe falënderova Zotin që nuk më bëri të denjë të bëhesha profesor i ditur. Pra, ai njeri i varfër, ai shpirt i tharë që konsiderohej i ditur, nuk duronte as rasot, as ikonografinë bizantine, as “muzikën barbare bizantine”, dhe i harxhoi fuqitë e tij deri në vdekje, duke u munduar për modernizimin e arteve tona kishtare! Perëndia e ndjeftë.

Përgatiti, Përktheu UGO

Nëse vëreni një gabim, zgjidhni tekstin e nevojshëm dhe shtypni Ctrl+Enter ose Dërgo një gabim për ta raportuar tek redaktorët.
Nëse gjeni një gabim në tekst, zgjidhni atë me mousen dhe shtypni Ctrl+Enter ose këtë buton Nëse gjeni një gabim në tekst, theksoni atë me mousen dhe klikoni këtë buton Teksti i theksuar është shumë i gjatë!
Lexo gjithashtu