Ngjitja e Zotit në Qiej u kremtua në Kishën e Ungjillëzimit në Tiranë
Kryepiskopi Joan drejtoi Liturgjinë Hyjnore dhe theksoi se festa e Ngjitjes së Zotit është mesazh shprese, gëzimi dhe thirrje për ta orientuar jetën drejt Perëndisë.
Të enjten, më 21 maj 2026, në Kishën e Ungjillëzimit në Tiranë u kremtua festa e madhe zotërore e Ngjitjes së Zotit Krisht në Qiej, e njohur në traditën kishtare si Analipsi.
Liturgjia Hyjnore u drejtua nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij z. Joan, në praninë e një numri të madh besimtarësh.
Në bashkëmeshim me Kryepiskopin ishte Episkopi i Amantias, Hirësinë e Tij z. Ignat, së bashku me klerikë të Kryepiskopatës së Hirshme që shërbejnë në kryeqytet.
Në predikimin e tij, Kryepiskopi Joan foli për kuptimin e thellë shpirtëror dhe teologjik të kësaj feste. Ai theksoi se Ngjitja e Krishtit në Qiej nuk është një largim i thjeshtë nga nxënësit, por një ngjarje që mbush Kishën me gëzim dhe shpresë. Edhe pse Krishti nuk ishte më i pranishëm fizikisht mes tyre, nxënësit u kthyen me gëzim, sepse kuptuan se natyra njerëzore ishte ngritur dhe lavdëruar pranë Perëndisë.
Me Ngjitjen në Qiej, Krishti e çon natyrën njerëzore të shëruar dhe të lavdëruar pranë Atit. Kjo festë, sipas tij, tregon se njeriu nuk është krijuar për errësirë, zbrazëti dhe vdekje, por për bashkim me Perëndinë dhe për pjesëmarrje në jetën e përjetshme.
Duke iu referuar profecive të Dhiatës së Vjetër dhe mësimeve të Etërve të Kishës, Kryepiskopi nënvizoi se Krishti hapi përsëri derën e qiellit për njerëzimin. Përmes Tij, njeriu merr përsëri mundësinë të kthehet te Perëndia dhe të gjejë kuptimin e vërtetë të jetës.
Kryepiskopi Joan u ndal edhe te sfidat shpirtërore të kohës sonë. Ai theksoi se kur njeriu largohet nga Perëndia dhe nga perspektiva e përjetësisë, jeta mbushet me zbrazëti, vetmi dhe mungesë gëzimi. Gëzimi i vërtetë, tha ai, nuk lind nga gjërat e përkohshme, por nga prania e Perëndisë në zemrën e njeriut.
“Rruga drejt qiellit kërkon përpjekje dhe sakrificë, por Zoti premton se do të jetë gjithmonë me ne. Vetëm me praninë e Tij njeriu mund të gjejë paqe, dritë dhe gëzim të vërtetë”, theksoi ndër të tjera Kryepiskopi.
Ai u bëri thirrje besimtarëve të jetojnë me besim, të ruajnë urdhërimet e Krishtit dhe ta orientojnë jetën e tyre drejt së përjetshmes. Festa e Analipsit, sipas tij, nuk është vetëm kujtim i një ngjarjeje të shenjtë, por ftesë për çdo të krishterë që të ngrejë zemrën drejt Perëndisë.
Në fund të Liturgjisë Hyjnore, besimtarët u larguan me ndjenja gëzimi dhe mirënjohjeje për veprën shpëtuese të Krishtit dhe për mesazhin e shpresës që sjell festa e Ngjitjes së Zotit në Qiej.
Pas përlëshimit, Kryepiskopi Joan uroi të gjithë besimtarët që festojnë në këtë ditë, pasi më 21 maj Kisha nderon edhe kujtimin e Shenjtorëve të mëdhenj Kostandin dhe Elena.
Me info nga: Radio Ngjallja