Në Shën Kostandin të Moravës, aty ku ngjitja bëhet lutje

2824
16:17
3
Në Shën Kostandin të Moravës, aty ku ngjitja bëhet lutje

Mbi fshatin Drenovë, në lartësinë 1200 metra, besimtarë të shumtë ngjiten çdo vit drejt Kishës së Shën Kostandinit, duke bashkuar lodhjen e rrugës me gëzimin e besimit

Në Malin e Moravës, në lartësinë rreth 1200 metra, mbi fshatin Drenovë, ndodhet Kisha e Shën Kostandinit, një vend i shenjtë dhe shumë i dashur për besimtarët orthodhoksë të zonës.

Për banorët e Drenovës, Shën Kostandini nuk është thjesht emri i një kishe. Ai është mbrojtësi i tyre, shenjti pranë të cilit ata kthehen me besim, lutje dhe mirënjohje. Për këtë arsye, besimtarët kujdesen me shumë përkushtim për kishën dhe për gjithë hapësirën përreth saj.

Rruga që të çon drejt kësaj kishe është e vështirë. Ajo ngjitet mes kthesash të shumta, është e ngushtë dhe kërkon mundim. Megjithatë, kjo nuk i ndalon besimtarët. Çdo vit, me qindra e mijëra njerëz të çdo moshe, nga Drenova, Korça dhe zona të ndryshme të Mitropolisë së Shenjtë të Korçës, ngjiten drejt Shën Kostandinit me besim dhe përshpirtëri. Kështu ndodhi dhe sot ku meshën hyjnore e mbajti At Vangjel Terezi. 

Kjo ngjitje e lodhshme nuk përjetohet si barrë. Përkundrazi, për shumë besimtarë ajo bëhet pjesë e vetë pelegrinazhit. Hapat drejt majës kthehen në lutje të heshtur, ndërsa vështirësia e rrugës kujton se jeta shpirtërore kërkon mund, durim dhe dashuri.

Gjatë ngjitjes, para syve hapet pamja e mrekullueshme e fushës së Korçës, qyteti dhe rrethinat e tij. Por mbi të gjitha, vëmendjen e pelegrinëve e tërheqin dy kryqet që ndodhen pranë Shën Kostandinit. Ato qëndrojnë si shenja të forta shpirtërore, duke kujtuar fjalët e Zotit: “Kush do të vijë pas Meje, le të marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë”.

Këto kryqe i japin gjithë ngjitjes një kuptim më të thellë. Rruga drejt kishës bëhet simbol i rrugës së njeriut drejt Perëndisë: një rrugë jo gjithmonë e lehtë, por e mbushur me hir, shpresë dhe bekim.

Në mes të rrugës ndodhet edhe pareklisi i Shën Helenës, i skalitur në shkëmb. Për shkak të periudhës së diktaturës, ai nuk e ruan më pamjen e dikurshme të kishëzës së vjetër. Megjithatë, besimtarët e fshatit vazhdojnë të kujdesen me dashuri si për këtë vend të vogël lutjeje, ashtu edhe për Kishën e Shën Kostandinit në majë.

Pranë kishës gjendet edhe një burim me ujë të freskët. Për pelegrinët që mbërrijnë pas ngjitjes së gjatë, ai bëhet një lehtësim i dyfishtë: freskon trupin pas mundimit dhe njëkohësisht sjell një ndjenjë paqeje shpirtërore në këtë vend të bekuar.

Besimtarët nisin të vijnë që nga Mbrëmësorja dhe vazhdojnë gjatë gjithë ditës së kremtimit të Shën Kostandinit dhe Shën Helenës. Ata ndezin qirinj, luten, përkulen me nderim dhe kërkojnë ndërmjetimin e shenjtorëve çudibërës për familjet, shtëpitë dhe jetën e tyre.

Kremtimi në Shën Kostandin të Moravësështë dëshmi e gjallë e lidhjes së fortë të besimtarëve me Kishën, me shenjtorët dhe me trashëgiminë shpirtërore të vendit.

Në këtë majë mbi Drenovë, aty ku rruga është e vështirë dhe pamja hapet drejt gjithë fushës së Korçës, pelegrinazhi merr një kuptim të veçantë: njeriu ngjitet me mund, por zbret me paqe; shkon me lodhje, por kthehet me bekim. Sa më lart që shkon drejt kryqit aq më tepër i duken të vogla gjërat e botës dhe gjithçka që nga afër duket si diçka tepër e rëndësishme. 

Nëse vëreni një gabim, zgjidhni tekstin e nevojshëm dhe shtypni Ctrl+Enter ose Dërgo një gabim për ta raportuar tek redaktorët.
Nëse gjeni një gabim në tekst, zgjidhni atë me mousen dhe shtypni Ctrl+Enter ose këtë buton Nëse gjeni një gabim në tekst, theksoni atë me mousen dhe klikoni këtë buton Teksti i theksuar është shumë i gjatë!
Lexo gjithashtu