Mitropolia e Shenjtë e Gjirokastrës kremton mbylljen e Pashkës dhe Shën Nikollën në Mesopotam

2824
20 Maj 23:27
Mitropolia e Shenjtë e Gjirokastrës kremton mbylljen e Pashkës dhe Shën Nikollën  në Mesopotam

Mitropoliti i Gjirokastrës, Hirësia e Tij z. Nathanail, drejtoi shërbesat në Manastirin e Shën Nikollës, një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kishtare në zonën e Sarandës.

Ditën e sotme, me rastin e Mbylljes së Pashkës dhe të kremtes së Transferimit të Lipsanit të Shën Nikollës, në Manastirin e Shën Nikollës në Mesopotam u zhvilluan Shërbesat e Shenjta të Mëngjesores dhe Liturgjisë Hyjnore.

Shërbesat u drejtuan nga Mitropoliti i Gjirokastrës, Hirësia e Tij z. Nathanail, me pjesëmarrjen e klerikëve dhe të besimtarëve të shumtë, të cilët u mblodhën për të nderuar kujtimin e Shën Nikollës dhe për të marrë pjesë në gëzimin paskal të Kishës.

Kjo ditë kishte një domethënie të veçantë liturgjike, pasi bashkoi Mbylljen e periudhës së Pashkës me nderimin ndaj një prej shenjtorëve më të dashur të Kishës Orthodhokse, Shën Nikollës, kryepiskopit të Mirës së Liqisë, i njohur për dashurinë, mëshirën dhe ndërmjetimin e tij pranë Perëndisë.

Manastiri i Shën Nikollës në Mesopotam përbën një nga thesaret më të vyera të trashëgimisë kishtare dhe historike të zonës së Sarandës. I ngritur mbi një kodër pranë fshatit Mesopotam, ky manastir mbart mbi vete shekuj historie, lutjeje dhe qëndrese shpirtërore.

Mendohet se manastiri është ndërtuar ndërmjet shekujve XI dhe XIII dhe, që prej asaj kohe, u shndërrua në një qendër të rëndësishme shpirtërore për gjithë zonën. Në këtë manastir u bë murg, dhjakon dhe hieromonak edhe Shën Nifoni nga Lukova, i cili më vonë u vendos në Malin e Shenjtë, ku jetoi në mënyrë oshënare deri në moshën 106-vjeçare.

Sot, Manastiri i Shën Nikollës është monument kulture dhe një pikë e rëndësishme pelegrinazhi e turizmi kulturor. Vizitorët që shkojnë atje përjetojnë jo vetëm madhështinë historike të ndërtesës, por edhe qetësinë shpirtërore që përcjell ky vend i shenjtë.

Foto nga Mitropolia e Shenjtë Gjirokastër

Nëse vëreni një gabim, zgjidhni tekstin e nevojshëm dhe shtypni Ctrl+Enter ose Dërgo një gabim për ta raportuar tek redaktorët.
Nëse gjeni një gabim në tekst, zgjidhni atë me mousen dhe shtypni Ctrl+Enter ose këtë buton Nëse gjeni një gabim në tekst, theksoni atë me mousen dhe klikoni këtë buton Teksti i theksuar është shumë i gjatë!
Lexo gjithashtu