Panair në nderim të Shën Joan Vladimirit në Bitaj
Mitropoliti i Beratit, Hirësia e Tij z. Asti, drejtoi shërbesat në Kishën e Shën Joan Vladimirit, me pjesëmarrjen e klerikëve dhe besimtarëve të zonës.
Në fshatin Bitaj, Kolonjë të Lushnjës, u zhvillua sot panairi tradicional në nder të Shën Joan Vladimirit, në Kishën që mban emrin e shenjtit.
Shërbesat u drejtuan nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës, Hirësia e Tij z. Asti, me pjesëmarrjen e klerikëve të zonës dhe të shumë besimtarëve orthodhoksë.
Gjatë kremtimit u kryen Shërbesa e Mëngjesores, Bekimi i Pesë Bukëve, Liturgjia Hyjnore, Bekimi i grurit për nder të shenjtit, si edhe litania e ikonës së Shën Joan Vladimirit.
Në shërbesat morën pjesë Ikonom Stavrofor At Tertio Gjoka, Ikonom Stavrofor At Gori Ndreko, At Harallamb Llupo, At Aurel Bardho, prifti i famullisë At Anastas Vrapi, dhjakoni i Mitropolisë së Beratit Gjergji Boçi, si edhe At Serafimi nga Manastiri i Ardenicës.
Besimtarë të shumtë orthodhoksë dhe dashamirës nga fshati Bitaj, Kolonja dhe zona përreth u bashkuan në këtë panair të shenjtë, duke marrë pjesë në lutje dhe duke nderuar kujtimin e Shën Joan Vladimirit.
Kremtimi u zhvillua në një atmosferë besimi, gëzimi dhe përshpirtërie. Të pranishmit morën bekimet e Kishës, bekimin e Hirësisë së Tij z. Asti, si edhe u lutën për ndërmjetimin e Shën Joan Vladimirit, një shenjt i dashur dhe i nderuar në traditën orthodhokse të trevave tona.