Shën Inocenti i Alaskës, themeluesi shpirtëror i Orthodhoksisë Amerikane
Shën Inocenti i Alaskës, hierarku i parë orthodhoks në Amerikën e Veriut, themeloi Kishën e Alaskës — “Kishën Nënë” të Botës së Re — përmes punës së tij të palodhur si gjuhëtar, bari shpirtëror dhe ungjillëzues.
Ndërsa Shën Hermani i Alaskës nderohet me të drejtë si misionari i parë orthodhoks që shkeli në tokën e Amerikës së Veriut, Kisha Orthodhokse në Amerikë nuk u themelua plotësisht derisa mori hierarkun e saj të parë. Ky nder i takon Shën Inocentit, Veniaminov: priftit, episkopit, gjuhëtarit dhe administratorit të palodhur, veprimtaria apostolike e të cilit e rrënjosi fort Kishën në Botën e Re. Atje ku Shën Hermani dhe bashkëpunëtorët e tij mbollën farat e para mes vështirësive dhe përndjekjeve, Shën Inocenti kultivoi një prani të gjallë dhe të organizuar orthodhokse, me episkopë, dioqeza, shkolla, përkthime dhe kler vendas, e cila vazhdon deri më sot. Me të drejtë ai quhet Ndriçuesi i Alaskës dhe i Barabartë me Apostujt i Amerikës së Veriut.
Shën Inocenti lindi me emrin Ivan Evseyevich Popov më 26 gusht 1797, në fshatin e largët siberian Anginskoye, pranë Irkutskut. Babai i tij ishte psalt, një detyrë e nderuar, por jo fitimprurëse. I mbetur jetim në moshën gjashtëvjeçare, ai hyri në Seminarin Teologjik të Irkutskut kur ishte dhjetë vjeç. Ivani ishte një nxënës i talentuar dhe, në vitin 1817, u martua me vajzën e një prifti. Po atë vit u dorëzua dhjak, ndërsa në vitin 1821 u bë prift, duke shërbyer në Kishën e Ungjillëzimit në Irkutsk dhe njëkohësisht duke dhënë mësim në shkollën e famullisë.
Në vitin 1823, kur Kompania Ruso-Amerikane kërkoi një prift për të shërbyer në Ishujt e largët Aleutë, shumica e klerikëve ngurruan. At Ivan Veniaminov u ofrua menjëherë. Në maj të vitit 1824, pas një udhëtimi rraskapitës katërmbëdhjetëmujor përmes Siberisë dhe Paqësorit, ai mbërriti në Unalaska me gruan e tij të re, Katerinën, djalin e tyre foshnjë, Inocentin, nënën e tij dhe vëllanë Stefan. Ata u vendosën në një kasolle gjysmë të futur në tokë. Atje, në ishujt Aleutë të rrahur nga erërat, filloi jeta e tij e jashtëzakonshme misionare.
Për pesëmbëdhjetë vjet, At Ivani u zhyt në gjuhën dhe jetën e popullit vendas. Ai përvetësoi gjuhën e aleutëve, krijoi alfabetin e saj të parë dhe hartoi një gramatikë; më pas përktheu Ungjillin sipas Mateut, Katekizmin dhe tekste liturgjike në gjuhën e tyre amtare. Në vitin 1833, ai shkroi kryeveprën e tij, “Tregimi i rrugës drejt Mbretërisë së Qiellit”, në gjuhën aleute, për të kthyerit vendas në besim. Me duart e veta ndërtoi një kishë dhe një shkollë, mësoi leximin, shkrimin dhe Besimin, si dhe themeloi një jetimore dhe një spital. Prania e tij e butë, por e vendosur, i transformoi komunitetet: alkoolizmi dhe poligamia u pakësuan, ndërsa qindra njerëz u pagëzuan. Në vitin 1834 ai e zhvendosi qendrën e misionit në Sitka, Novo-Arkhangelsk, ku filloi ungjillëzimin e popullit Tlingit, të njohur edhe si Kolosh, dhe vizitoi postin rus në Fort Ross të Kalifornisë.
Në vitet 1838–1839, At Ivani udhëtoi në Rusi për të raportuar mbi misionin dhe për të kërkuar mbështetje. Tragjikisht, gjatë mungesës së tij, gruaja e tij Katerina ndërroi jetë. I pikëlluar thellë, por i bindur ndaj vullnetit të Kishës, ai pranoi qethjen murgërore më 29 nëntor 1840, duke marrë emrin Inocent, në nder të Shën Inocentit të Irkutskut. Të nesërmen u ngrit në gradën e arkimandritit dhe më 15 dhjetor u dorëzua Episkop i Kamçatkës, Ishujve Kurile dhe Aleutë — hierarku i parë orthodhoks në tokën amerikane.
Pasi u kthye në Sitka në vitin 1841, Episkopi Inocent e zgjeroi në mënyrë të jashtëzakonshme dioqezën. Ai udhëtoi në distanca të mëdha me kajak dhe me anije, mësoi gjuhë të tjera vendase, përfshirë tlingitishten dhe jakutishten. Dorëzoi priftërinj dhe dhjakonë vendas, themeloi shkolla dhe kisha. Në vitin 1850 u ngrit në gradën e kryepiskopit dhe vazhdoi këtë vepër për gati tri dekada. Më pas, në vitin 1868, pas shitjes së Alaskës Shteteve të Bashkuara, ai u zgjodh Mitropolit i Moskës dhe i Kolomnës, ku themeloi Shoqërinë Misionare Orthodhokse Ruse për të mbështetur ungjillëzimin në mbarë botën. Ai fjeti më Zotin më 31 mars 1879, në Moskë, dhe u lavdërua si shenjt nga Kisha Orthodhokse Ruse në vitin 1977.
Jeta e Shën Inocentit ishte një jetë pune të pandërprerë, shkëlqimi dijetar dhe dashurie baritore. Ai ishte marangoz, orëndreqës, navigator, etnograf dhe, mbi të gjitha, atë shpirtëror për popujt e Alaskës. Kisha e Alaskës u bë “Kisha Nënë” e Botës së Re.
“Detyra e parë e një të krishteri”, shkruante Shën Inocenti, “është të mohojë vetveten. Të mohosh vetveten do të thotë: të heqësh dorë nga zakonet e këqija; të shkulësh nga zemra gjithçka që na lidh me botën… të mos dëshirosh të bësh asgjë nga dashuria për veten, por gjithçka ta bësh nga dashuria për Perëndinë”.
Ai u kujtonte besimtarëve atdheun tonë të vërtetë: “Me të vërtetë, asnjë kënaqësi tokësore nuk mund ta ngopë zemrën tonë. Ne jemi të huaj mbi tokë, shtegtarë dhe udhëtarë; shtëpia dhe atdheu ynë janë atje, në qiell… Vetëm Perëndia mund ta mbushë zemrën dhe shpirtin e njeriut dhe të shuajë etjen e dëshirave të tij”.
Misionarëve të tij u jepte urtësi praktike: “Kur të arrini në ndonjë vendbanim të vendasve, në asnjë mënyrë mos thoni se jeni dërguar nga ndonjë qeveri… por paraqituni si një shtegtar i varfër, si një dashamirës i sinqertë… që ka ardhur vetëm me qëllimin për t’u treguar atyre mjetet për të arritur mirëqenien”. Kjo qasje e përulur dhe e përqendruar te Krishti fitoi zemra në kultura dhe shekuj të ndryshëm.
Shën Inocenti i Alaskës nuk e mbolli thjesht Orthodhoksinë në Amerikë; ai e rrënjosi thellë në tokën e këtij vendi dhe në zemrat e popujve të tij. Si hierarku i parë, ai i dha Kishës strukturë, gjuhë dhe shenjtorë të vetët. Jeta e tij mbetet një thirrje e zjarrtë për çdo të krishterë orthodhoks: të shkojë atje ku e dërgon Zoti, të dashurojë pa llogaritur koston dhe të shpallë Ungjillin në gjuhën amtare të njerëzve.
Prandaj Shën Inocenti i Alaskës mund të quhet me të drejtë “ati themelues i Orthodhoksisë Amerikane”.
Michael W. Davis është redaktor i përgjithshëm i UOJ-USA.