Patriarkana Ekumenike dhe Komuniteti Anglikan zhvillojnë bisedime në Fanar
Takimi në Stamboll vazhdoi dialogun ndërmjet dy traditave kishtare dhe përgatiti seancën plenare të Komisionit Ndërkombëtar Orthodhoks-Anglikan në Aleksandri.
Në Fanar u zhvilluan bisedime informale ndërmjet përfaqësuesve të Patriarkanës Ekumenike dhe Komunitetit Anglikan. Takimet u mbajtën më 21 dhe 22 maj 2026, në një atmosferë bashkëpunimi, mirëkuptimi dhe dialogu ndërkishtar.
Përfaqësuesit e dy traditave u pritën në audiencë të veçantë nga Patriarku Ekumenik, Tërëshenjtëria e Tij z. Vartholome, i cili i përshëndeti pjesëmarrësit dhe inkurajoi vazhdimin e përpjekjeve për njohje më të thellë, besim të ndërsjellë dhe bashkëpunim teologjik.
Delegacioni i Patriarkanës Ekumenike përbëhej nga Mitropoliti i Belgjikës, Hirësia e Tij z. Athinagora, bashkëkryetar i Komisionit Ndërkombëtar për Dialogun Teologjik ndërmjet Kishës Orthodhokse dhe Komunitetit Anglikan, Mitropoliti i Pisidisë, Hirësia e Tij z. Job, Mitropoliti i Silivrisë, Hirësia e Tij z. Maksim, si edhe Dhjaku Evlogji Çaça, bashkësekretar i Dialogut. Nga pala anglikane morën pjesë Episkopi Michael Lewis, bashkëkryetar i dialogut, Episkopi Mark Strange, Primat i Kishës Episkopale të Skocisë, Dr. Christopher Wells, Drejtor për Çështjet e Unitetit, Besimit dhe Rendit, si edhe Neil Vigers, përgjegjës për Çështjet e Unitetit, Besimit dhe Rendit.
Punimet u hapën nga Mitropoliti Athinagora i Belgjikës, i cili mirëpriti delegacionin anglikan. Gjatë takimeve, palët diskutuan çështje me interes të përbashkët dhe ndanë përvoja mbi jetën, sfidat dhe përparësitë e secilës bashkësi kishtare.
Këto bisedime informale nuk janë një nismë e izoluar, por pjesë e një tradite më të gjatë komunikimi ndërmjet Patriarkanës Ekumenike dhe Komunitetit Anglikan. Takime të ngjashme janë zhvilluar edhe në vitet e mëparshme, përfshirë Londrën në korrik 2025, ku delegacionet u mblodhën në zyrat e Komunitetit Anglikan për të forcuar bashkëpunimin teologjik dhe baritor.
Në këtë kuadër, rëndësi të veçantë ka edhe Dialogu Ndërkombëtar Orthodhoks-Anglikan, i cili konsiderohet një nga dialogët më të vjetër dypalësh ndërmjet Kishës Orthodhokse dhe Komunitetit Anglikan. Ky dialog ka nisur në vitin 1973 dhe përfshin përfaqësues të Kishave Orthodhokse Autoqefale nga vende të ndryshme.
Gjatë takimit në Fanar, komiteti koordinues i dialogut punoi edhe për përgatitjen e seancës plenare të radhës, e cila pritet të zhvillohet në Aleksandri në muajin shtator, me mikpritjen e Patriarkanës së lashtë të Aleksandrisë. Kjo seancë shihet si një hap i rëndësishëm në vazhdimin e bisedimeve teologjike dhe në thellimin e marrëdhënieve ndërmjet dy traditave.
Me info nga: Patriarkana Ekumenike; Orthodox Times; Ekklisia Online; The Greek Herald / VEMA; Orthodox Observer; Huffington Ecumenical Institute.