Kisha Orthodhokse Serbe del në mbrojtje të Kishës Orthodhokse Ukrainase
Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Serbe iu referua presioneve që po ushtron pushteti i Kievit ndaj Kishës Orthodhokse të Ukrainës.
Siç njoftoi dega ukrainase e UGO-së, më 19 maj 2026, Sinodi i Shenjtë i Hierarkëve të Kishës Orthodhokse Serbe publikoi një komunikatë për shtyp me rezultatet e mbledhjeve të zhvilluara në Beograd. Në këtë dokument, hierarkët vlerësuan situatën në Ukrainë, duke theksuar përmasat e “vuajtjeve të Kishës Orthodhokse të Ukrainës nga autoritetet e sotme në Kiev”.
Hierarkët analizuan rastet e marrjes së kishave dhe manastireve, konfiskimin e paligjshëm të pronës kishtare, si edhe përndjekjen sistematike të episkopëve, klerit dhe monakëve. Në tekstin e komunikatës theksohet se besimtarët e Kishës kanonike në Ukrainë sot po privohen nga të drejta dhe liri themelore, të cilat garantohen nga konventat ndërkombëtare.
“Prandaj Sinodi, herë pas here, ngre zërin e tij në mbrojtje të vëllezërve orthodhoksë të padrejtësuar dhe të përndjekur”, thuhet në dokumentin përfundimtar. Kisha Serbe iu drejtua me një thirrje të drejtpërdrejtë të gjitha institucioneve ndërkombëtare, duke kërkuar që të mos vazhdojnë të shpërfillin faktet dhe të reagojnë ndaj “kësaj padrejtësie të madhe”.
Siç kishte raportuar UGO, Patriarku bullgar Daniel shprehu mbështetjen e tij për Kishën Orthodhokse të Ukrainës, e cila ndodhet nën përndjekje. Çështja e statusit juridik të komuniteteve të kësaj Kishe dhe ruajtja e pronës kishtare ngrihen rregullisht në deklaratat e Kishave Autoqefale, të cilat bëjnë thirrje që mosmarrëveshjet fetare të zgjidhen brenda kuadrit të ligjit dhe me respektimin e të drejtave të besimtarëve.