Analipsi u kremtua në Kishën e Ngjitjes së Zotit në Gjinar
Mitropoliti i Elbasanit, Hirësia e Tij z. Andon, drejtoi Liturgjinë Hyjnore në kishën që mban emrin e festës së madhe të Ngjitjes së Zotit Krisht në Qiej.
Me gëzim dhe përshpirtëri u kremtua festa e Ngjitjes së Zotit Krisht në Qiej në fshatin Gjinar, në Kishën e Analipsit, e cila mban emrin e kësaj të kremteje të madhe zotërore.
Liturgjia Hyjnore u drejtua nga Mitropoliti i Elbasanit, Hirësia e Tij z. Andon, i shoqëruar nga priftërinj të Mitropolisë dhe me pjesëmarrjen e besimtarëve të shumtë vendas dhe nga zona të tjera.
Në predikimin e tij, Mitropoliti Andon foli për kuptimin e festës së Analipsit dhe për vendin që kjo ngjarje zë në veprën shpëtuese të Perëndisë. Ai theksoi se, para Ngjitjes në Qiej, Zoti Jisu Krisht u la Apostujve dhe nxënësve porosinë që të predikonin në gjithë botën lajmin e Ngjalljes, fitoren mbi vdekjen dhe premtimin se Ai do të jetë gjithmonë me ta deri në ardhjen e Tij të dytë.
Festa e Ngjitjes së Zotit në Qiej është një nga të kremtet e mëdha të Kishës Orthodhokse. Ajo na kujton se Krishti, pas Ngjalljes së Tij, u ngrit në qiell me trupin e lavdëruar, duke hapur për njeriun rrugën drejt bashkimit me Perëndinë.
Në këtë ditë, Kisha nuk kujton një largim, por një përmbushje. Krishti ngjitet në lavdi, por nuk e braktis botën. Ai mbetet pranë besimtarëve me hirin, praninë dhe premtimin e Tij: “Unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarimin e botës”.
Kremtimi në Gjinar u bë kështu një dëshmi e gëzimit të besimit dhe e vazhdimësisë së jetës liturgjike në komunitetin orthodhoks të zonës. Besimtarët u bashkuan në lutje dhe në falënderim, duke shpallur edhe sot, pas më shumë se dy mijë vjetësh, lajmin e gëzuar të triumfit të jetës mbi vdekjen.
Burimi: Radio Ngjallja / Mitropolia e Hirshme e Elbasanit.