Vizioni i murgut Joasaf për Shën Gjergjin Dëshmorin e Madh
Një rrëfim shpirtëror nga Mali i Shenjtë për fuqinë e lutjes së Jisuit, ndërmjetimin e Shën Gjergjit dhe thirrjen e njeriut drejt pendimit e dashurisë së Krishtit
Rreth vitit 1854 murgu Joasaf, që kishte mjaft vjet në Malin e Shenjtë, shkoi në Konakun e Monastirit te Shenjtë të Shën Pandelejmonit në vendin Karje, për agripninë e Shën Gjergjit. I ulur në ndenjësën e tij, në psalltirin e Mëngjezorës, mendohej për Njeridashjen e Perëndisë, që me mishërimin, kryqëzimin dhe ngjalljen e Tij lartëson njeriun në qiell. Filloi të thoshte lutjen «Zot, Iisu, Krisht, mëshiromë mua mëkatarin», papushim. Atëhere kujtoi se doli jashtë nga kisha dhe u gjet shpirti i tij i ndarë nga trupi, në një luginë të bukur të pafund. Në thellësi të luginës pa një turmë të madhe të rinjsh që shkëlqenin si dielli, dhe ecnin me ritëm të vonuar edhe të thjeshtë. Cuditej se cilët janë këta njerëz dhe i kujt është ky kopshti kaq i bukur. E parakaloi këtë turmë dhe pastaj shikon një ushtri tjetër të panumuruar të rinjsh që ishin veshur me uniforma ushtarake dhe ishin të gjithë të burëruar dhe të ndritur në pamje. Qëndroi pak dhe kënaqej me ndriçimin dhe lavdinë e tyre. Njëri nga ata tha: «Ky vëllai jonë do të shkojë tek Mbreti edhe duhet që dikush nga ne ta shpjerë». U veçua njëri nga ata dhe tha: «Do ta shoqëroj unë vetë vëllanë tek Mbreti, sepse ka dashuri të madhe për mua, ditë e natë përmend emrin tim edhe unë shumë herë dola garant tek Mbreti për të».
Me të vërtetë ky ushtaraku i ri iu afrua Joasafit dhe i tha: «Hajde pas meje edhe unë do të të paraqes tek Mbreti».
- Vëlla, i thotë Joasafi, kush jam unë që do t’i paraqitem Mbretit edhe ç’të më bëjë mua Mbreti? Kush është ai edhe ku më njeh mua?
- Vëlla, i thotë shenjtori ushtarak, bën sikur s’di kush është Mbreti dhe kush jam unë, nuk më njeh? Meqenëse më do, dhe përmend emrin tim, prandaj erdha unë të të paraqes tek Mbreti dhe të lutem eja pas meje.
Duke ecur bashkë në atë luginë të pafund, aritën në fund të saj dhe hynë në një rrugicë të ngushtë dhe të gjatë me mure shumë të larta, sa që murgut Joasaf i hyri frika sepse nuk njihte as atë që e shoqëronte.
Shoqëruesi i tij duke e parë që po trembej i tha : «Pse, vëlla, të sundoi neglizhenca dhe nuk drejton mendjen tënde në thirjen e emrit të Krishtit, tek urata « Zot, Iisu Krisht, Bir i Perëndisë, mëshiromë mua mëkatarin»? Murgu kur dëgjoi këto erdhi në vete dhe sa thoshte uratën aq më shumë ngrohej zemra e tij për dëshirën e Perëndisë, dhe menjëherë mori fuqi hyjnore dhe s’kishte më frikë. Dhe përseri shoqëruesi i tij i tha: «E shikon që tani je më mirë? Nëqoftëse do shpëtimin e shpirtit tënd mos e lerë kurrë këtë uratë. Kështu do kesh mendje dhe zemër të kthjellët dhe do bëhesh i denjë që të shikosh misteret të Perëndisë. Por, duhet të kesh kujdes që të kesh rëfim të pastërt dhe të sinqertë tek Ati yt Shpirtëror për çdo të keqe që të të paraqitet».
Duke avancuar akoma në këtë rrugicë që në anët e saj kishte kryqe, filloi Shenjtori engjellmorf të bëjë shenjën e kryqit, duke nxitur edhe murgun ta bëjë edhe ai, dhe duke psallur në të njejten kohë: «Kryqit tënd i falemi, o Zot, edhe Ngjalljen tënde lëvdojmë»…
Pas mjaft kohe, aritën në anë të kësaj rruge në të cilën mbështetej ana e një ure kolosale të varur, kurse ana tjetër e saj mbështetej në një mal tepër të lartë. Përsëri murgu Joasaf u sundua nga tmeri dhe frika, duke menduar se do kalojë mbi këtë urë që tundej si gjethe peme. Shoqëruesi i tij, Shenjtori, i tha: «Vëlla, më jep dorën tënde dhe thuaj lutjen pa menduar asgjë tjetër». Kur aritën në fund të kësaj ure, nën të cilën shtrihej një humnerë e thellë, shoqëruesi i tha:»Këtu bëj kryqin tënd dhe thir emrin e gëzuar të së Tërëshenjtës edhe ajo do të të japë fuqi». Me të vërtetë ai tha: «E Terëshenjtë Hyjlindëse, më ndihmo mua mëkatarin». Mori kaq guxim sa iu largua e gjithë frika që e kish pushtuar. .
Kur aritën në anën tjetër të urës vazhduan rrugën duke u ngjitur në mal. Atje ishte një portë dhe si bënë kryqin tre herë, hynë brenda. Brenda panë se shtrihej përpara tyre një luginë tjetër më e bukur se e para që ngjante me bazamentin e qiellit. Sa më shumë avanconin aq më shumë robërohej murgu nga bukuria jashtëtokësore e këtij vendi. Atje pa shumë që kishin veshur rroba murgu me ngjyrë në të kuqe dhe shkëlqenin si dielli. Atje e pritën Shenjtorin, shoqëruesin e tij, me përqafime dhe gëzim të madh duke i thenë:
-Tungjatjeta, Dëshmor i Madh Gjergj, shërbëtor i dashur i Perëndisë!
-Tungjatjeta edhe juve, Oshënarë të dashur të Krishtit!
Të gjithë ata Oshënarë kthyen sytë e tyre nga murgu Joasaf dhe i thanë: «Vëlla, nëqoftëse dikush do fitojë gjithë botën, por do dëmtohet në shpirt, cila do jetë dobia e tij? Po të jetosh njëqind, dyqind edhe njëmij vjet në këtë botë të gënjeshtërt dhe do fitosh pare, lavdi, dhe kënaqësi, çfarë dobi do të të sjellin ato, në orën e tmershme të vdekjes tënde? Prandaj, vëlla, ler neglizhencen dhe kthehu përseri në jetën e mëparëshme shpresëtare që të vish në këtë jetë të lumur që u bëre i denjë të shikosh sot, falë mbrojtësit tënd Dëshmorit të Madh Gjergj, i cili të do kaq shumë. Mos prefero të përkohëshmet, por qielloret se ato janë të përjetëshme. Mos të të sundojë neglizhenca, gjumi, përkujdesjet dhe le menjanë përpjekjet e tua shpirtërore, të cilat do të të falin dashurinë e përjetëshme të Krishtit. Kurrë mos ta mërzitesh Krishtin dhe Zotin tonë që na bleu me Gjakun e Tij të Terëshenjtë, të cilin e derdhi mbi Kryq. Nëqoftëse do që t’i lutemi Perëndisë për ty dhe për gjithë botën, korigjo jetën tënde që të gëzosh Perëndinë edhe neve që dashurojmë gjithë botën dhe duam të vini të gjithë këtu në Mbretërinë e Perëndisë».
Pastaj u kthyen nga Shën Gjergji dhe i thanë: «Gjergj, atlet i Krishtit tonë dhe vëllai jonë i dashur, mer përsipër të kujdesesh për këtë shpirt dhe t’ja paraqesësh Mbretit të të gjithëve se ti ke guxim të madh tek Mbreti». Atje kuptoi murgu Joasaf se kush ishte shoqëruesi i tij, sa herë e kish ndihmuar në botë, dhe e kish venë ndërmjetës tek Zoti Krisht për shpëtimin e shpirtit të tij. Siç ishte plot me dashuri dhe mirënjohje për shenjtorin, iu afrua dhe për shumë kohë e përqafoi dhe e puthte me lot në sy.
Duke avancuar më tutje në këtë luginë kaq të bukur, murgu pa edhe murgj të tjerë, më të lëvduar nga të parët por më pak në numur. Pyeti shoqëruesin e tij: »Shenjtor i Perëndisë, cilët janë këta murgj që janë më të shenjtë nga ata të parët, dhe cilat janë veprat e tyre»? Shenjtori i tha: «Këta janë nga murgjit e këtij shekulli, që luftuan vetë, pa udhëheqës shpirtëror, duke ecur mbi gjurmat e Etërve të lashtë dhe meqenëse e kënaqën Perëndinë, i shpërbleu me këtë lavdi që shikon». «Mirëpo, sot është zhdukur çdo gjurmë vyrtyti, si ka mundësi të ketë njerëz të tillë»? Dhe shenjtori i tha: «Vëlla, Joasaf, pak janë të zgjedhurit sot në botë, veçse me ndryshimin se ai që lodhet për pak vyrtyt, duron vëllanë e tij dhe nuk e gjykon, ky do ta kënaq Perëndinë dhe do thiret»I Madh në Mbretërinë e Qiellit».
Duke vazhduar rrugën e tyre aritën në pallatin madhështor të Mbretit Qiellor. Atje në hyrje i përshëndetën me përqafime bura të lavdishëm me grada, fytyrat e të cilëve ndriçonin dhe i udhëhoqën brenda në një sallë tërë dritë. Në krah të djathtë të hyrjes ishte ikona e Krishtit, kurse në të majtën ikona e së Tërëshenjtës e ulur në fron.
Brenda në sallë rinin kaq shumë të rinj me uniforma murgu sa s’numuroheshin dot. Në duart e tyre mbanin kryqin dhe lule që binin erë të këndëshme. Të gjithë ata e morën Joasafin në duart e tyre dhe shkuan përpara ikonës së Krishtit dhe të Shën Marisë dhe psallën «I denjë është…»Pastaj iu falën këtyre ikonave dhe i thanë murgut: «Vëlla, të gjitha këto që shikon bëhen për ty; shiko, pra, të bëhesh i mirë dhe i kujdesëshëm në vyrtyte që të vish sa më shpejt këtu».
Pastaj ikën të gjithë dhe ngelën Shën Gjergji dhe murgu. Në atë moment u hap një derë e madhe dhe që andej u dëgjua një zë i ëmbël që thoshte: «E madhe është dhëmshuria jote, o Zot, për njerëzit» Atëhere murgu pa një kishë shumë të madhe dhe të pakrahasueshme në bukuri në mes të së cilës ishtë një fron i zjartë, shumë më i ndritur nga dielli. Atje qendronte Mbreti i lavdisë, Krishti, në mes të mijra njerëzve më uniforma ushtarake dhe fytyra që u shkëlqenin. Zoti Krisht kish në kokën e tij një kurorë të zbukuruar me djamande dhe shkëlqente i tëri si rufe.
Vëllai Joasaf qëndroi jashtë derës duke shikuar brenda me habi. Hyri brenda shën Gjergji, bëri kryqin, bëri tri metani dhe iu fal Mbretit. Pastaj pregatitej të kthehej që të marë edhe Joasafin, por dëgjoi zërin e Mbretit që i tha: «Leje atë se nuk është i denjë që të vijë këtu, se s’ ka veshje dasme».
Kur dëgjoi këto murgu Joasaf u trëmb se mos dënohet dhe filloi të thoshte me zell të madh uratën: «Zot, Iisu Krisht, mëshiromë dhe më jep mëshiren tënde». Shën Gjergji ra në këmbët e Mbretit dhe i tha: «Zot, kujto gjakun që derdhe mbi Kryq për shpëtimin e njerëzve, prandaj Të lutem fale këtë shpirt mëkatar dhe udhëhiqe në rrugën e shpëtimit. E di që mëshira Jote është det dhe pa kufi. Dhe atehere Mbreti iu përgjegj:
-Gjergj, e di mirë dashurinë që i tregova këtij dhe të mirën që i bëra të njohë këto mistere të dashurisë time, të cilat të tjerët i kërkuan dhe nuk i panë. Ai nuk ka në shpirtin e tij dashurinë time, më përbuzi, jetoi deri tani neglizhent, dhe për gjërat e gënjeshtërta të botës, u devijua nga unë prandaj nuk mund të falet».
-E di, Zot, vazhdoi në mënyrë lutëse shenjtori, se po të gjykosh me drejtësinë Tënde, është për t’u dënuar, por Të lutem, le të teprojë te ky dhëmshuria Jote. E di se sot bota gjendet në dinakëri, ligësia po tepron dhe nuk ka shumë shembëlla vyrtyti. Le të teprojë hiri Tënd, Zot, që të shpëtojë shërbëtori tënd sepse ka predispozicion të mirë dhe vetëm zakoni i të ligut e mund.
-I dashur, Gjergj, e di gjendjen e botës, shkeljen e porosive të mia, padrejtësitë, prostitucionin, tradhëtitë bashkëshortore dhe të gjitha të njohurat dhe te fshehtat e njerëzve. Por, duroj duke pritur, sikur edhe pendimin e një mëkatari të vetem. Dua që gjithë njerëzit të shpëtojnë, për këtë derdha edhe Gjakun tim në Kryq dhe përditë flijohem. Por, ky për të cilin po më lutesh, nuk u bindet porosive të mia dhe deri më sot ka bërë dëshirën e vet. Vazhdimisht ja kam treguar këtij, rrugën e drejtë, por ky bie në neglizhencë, përbuz hierorret dhe tallet me flijimin tim.
Atehere shenjtori duke i puthur këmbët e Tij me përulje të madhe i tha: - Kujto, Zot gjakun tim që e derdha për dashurinë Tënde dhe ma fal këtë shpirt. Fale, o Zot, dhe bëje të denjë të pijë gotën e dashurisë Tënde dhe të bëjë dëshirën Tënde të shenjtë.
-Atëhere Zoti me fytyrë të gëzuar i tha: «Gjergj le të bëhet dëshira jote». I dha një gotë me dorën e tij të djathtë dhe i tha: «Mere këtë gotë me këtë pije dhe jepja ta pijë; kjo është gota e dashurisë time. Të gjithë shenjtorët nga kjo gotë kanë pirë sepse ajo në jetën e reme është plot, mundime, sprova, rënkime, tortura dhe vdekje të trupit që të pastrohet shpirti, edhe të gëzohet këtu në Parajsë përjetësisht».
Shën Gjergji e mori dhe ja dha murgut Joasaf, i cili pasi e piu, u deh nga dashuria e Dhëndërit Qiellor, Krishtit, dhe duke hyrë në atë kishë, u ul në këmbët e Krishtit dhe i puthte me tmer dhe gëzim.
Krishti duke u kthyer nga shenjtori, i tha: «Mere vëllanë Joasaf dhe shpjere poshtë në botë të luftojë që të fitojë dashurinë time të parë që e humbi nga neglizhenca e tij. Kur të pregatitet plotësisht, do ta bëj të denjë të pijë gotën që piva edhe unë në kohën e përshtatëshme».
Si puthën këmbët e Zotit dhe përshëndetën gjithë obortarët e pallatit qiellor, morën rrugën e kthimit. Para se të niseshin, vëllai Joasaf i tha shoqëruesit të tij: «Shën Gjergj nuk bëhet të qëndroj edhe unë këtu ku jemi dhe të mos kthehem më kurrë poshtë në botë»?
-I dashuri im, i thotë shenjtori, kjo është e pamundur, sepse dëshira e Zotit tonë është të zbresesh poshtë dhe pasi të stolisesh shpirtërisht me të gjitha vyrtytet, do vish këtu që të shijosh lavdinë e Tij përjetësisht.
Duke u kthyer nga e njëjta rrugë, aritën në mes të asaj ure ku shenjtori i tha murgut: «Mbretëria e Perëndisë dhunohet dhe dhunuesit e saj e fitojnë atë». Pra, dhëmshurinë e Perëndisë e njeh, lufto të fitosh dashurinë e parë edhe unë nuk do të të le pa ndihmuar». Duke mbaruar këto fjalë, e vulosi tre herë me shenjën e kryqit, dhe u zhduk.
Në të njëjtën kohë u dëgjuan zëra rënqethëse dhe kërcënime të demonëve që ngjiteshin nga gremina duke thenë: «Tani që ngeli vetem, hajdeni ta hedhim poshtë në humnerë, para se të vijë Gjergji». Vëllai Joasaf ishte në një pozicion të tillë që nuk mund të shkonte as para as mprapa, kurse demonët i suleshin për ta hedhur poshtë. Atehere ai ngriti duart e tij lart dhe tha: «Zot, ndihmomë tani se jam në rezik, do të më përpijnë demonët e tmershëm». I erdhi një zë nga qielli që i thoshte: «Vëlla, mos e humb, thuaj uratën: » Zot, Iisu Krisht mëshiromë mua mëkatarin» edhe me uratat e Zonjës Hyjlindëse nuk do pësosh asgjë».
Menjëherë ai filloi të thotë uratën pa pushim dhe pa e kuptuar erdhi në vete, siç ishte në ndenjëse i ulur.