Temjani në adhurimin orthodhoks

2826
09:11
3
Temjani në adhurimin orthodhoks

Simbolika e temjanit lidhet me lutjen, hirin e Shpirtit të Shenjtë, lavdërimin e Perëndisë dhe përkushtimin e besimtarit.

Temjan quhet që në lashtësi rrëshira aromatike që del nga të çarat e lëvores së pemës së temjanit. Temjani përdorej në adhurim që prej kohëve të hershme, si nga judenjtë, ashtu edhe nga popujt paganë. Ai ishte shenjë dalluese e nderimit ndaj Perëndisë, simbol i përulësisë, nënshtrimit dhe përkushtimit.

Krishterimi e mori temjanin dhe e vendosi në adhurimin e tij, duke i dhënë një simbolikë të thellë shpirtërore.

Së pari, temjani simbolizon lutjen që ngjitet drejt Perëndisë. Në Psalme thuhet: “Le të drejtohet lutja ime si temjan përpara Teje...”. Temjani shpreh ngritjen e shpirtit drejt qiellit. Njëkohësisht, ai simbolizon edhe dëshirën tonë të zjarrtë që lutja jonë të bëhet e pranueshme para Perëndisë si “aromë e mirë shpirtërore”.

Temjani simbolizon gjithashtu gjuhët e zjarrta të Pentikostisë së Shenjtë, kur Perëndia u dërgoi nxënësve të Tij Shpirtin e Shenjtë “në formën e gjuhëve të zjarrta”. Në lutjen që thotë prifti kur bekon temjanin, përmendet: “Temjan të ofrojmë Ty, o Krisht Perëndia ynë, si aromë të mirë shpirtërore; pasi e pranove në altarin Tënd qiellor, na dërgo në vend të tij hirin e Shpirtit Tënd të Shenjtë”. Pra, me temjanin i kërkojmë Zotit tonë të dërgojë Hirin e Shpirtit të Shenjtë. Prandaj, kur prifti temjanis besimtarët, ata ulin lehtë kryet si shenjë e pranimit të këtij hiri.

Temjani aromatik simbolizon edhe lavdërimin që i drejtohet Perëndisë. Djegia e temjanit është shenjë adhurimi dhe pastrimi. Ndërsa ndjesia e këndshme që krijohet nga aroma e temjanit në gjithë ambientin e kishës tregon përmbushjen e zemrës sonë me gëzimin hyjnor, i cili është fryt i dashurisë sonë për Perëndinë. Në këtë kuptim, çdo besimtar thirret të bëhet “aromë e Krishtit”.

Temjanica, ku digjen qymyret dhe vendoset temjani, simbolizon barkun e Tërëshenjtës Hyjlindëse, e cila pranoi brenda saj, në trup, Hyjninë, që është “zjarr konsumues”, pa u djegur dhe pa pësuar ndryshim. Sipas Shën Gjermanit, Patriarkut të Kostandinopojës: “Temjanica është tregues i natyrës njerëzore të Krishtit, zjarri i natyrës hyjnore, ndërsa aroma e mirë kujton aromën e Shpirtit të Shenjtë që paraprin”.

Me fjalë të thjeshta, Shën Kozmai i Etolisë e përshkruan këtë simbolikë duke thënë: “Temjanica simbolizon Zonjën, Hyjlindësen. Ashtu si qymyri që është brenda temjanicës dhe ajo nuk digjet, kështu edhe Hyjlindësja pranoi Krishtin dhe nuk u dogj, por u ndriçua edhe më shumë”.

Me temjanin që ofrojmë gjatë lutjes ndihmohet ngritja e shpirtit drejt qiellit: “Le t’i ngremë lart zemrat”. Ashtu si temjani, kur nxehet nga qymyri, ngjitet lart duke shpërndarë aromë në ambient, kështu edhe shpirti i besimtarit, me besim të zjarrtë, duhet të ngrihet lart, duke përhapur aromë të mirë shpirtërore dhe duke u çliruar nga përkujdesjet materiale. Baza e temjanicës tregon natyrën njerëzore të Krishtit, zjarri tregon natyrën e Tij hyjnore, ndërsa tymi aromatik na kujton aromën pararendëse të Shpirtit të Shenjtë.

Moisiu, duke iu bindur Perëndisë, ndërtoi dhe vendosi në Çadrën e Dëshmisë altarin e temjanit (Eksodi 30:1-10). Edhe mënyrën e përgatitjes së temjanit e mësoi nga vetë Perëndia (Eksodi 30:34-36). Ofrimi i temjanit në Dhiatën e Vjetër ishte urdhër i Perëndisë. Temjani duhej të ofrohej në fillim të ditës, në mëngjes, dhe në mbrëmje, gjatë ndezjes së kandileve (Eksodi 30:7-8).

Ky zakon i mirë kaloi edhe në adhurimin e krishterë. Temjani krijon një atmosferë përulësie dhe lutjeje, si edhe tërheq hirin shenjtërues të Perëndisë. Kur meshtari temjanis ikonat e shenjtorëve, ai kërkon lutjet e tyre ndërmjetuese para Perëndisë për ndihmën e anëtarëve të Kishës. Kur meshtari temjanis besimtarët, ata duhet të përulen dhe të falen me respekt, duke pritur bekimin dhe hirin e Perëndisë. Përulja e vogël është shenjë se marrim pjesë në atë që po kryhet.

Përveç përdorimit në kishë, është mirë që edhe në shtëpi të ofrohet shpesh temjan, gjithmonë i shoqëruar me një lutje të sinqertë dhe me gjithë zemër.

Nëse vëreni një gabim, zgjidhni tekstin e nevojshëm dhe shtypni Ctrl+Enter ose Dërgo një gabim për ta raportuar tek redaktorët.
Nëse gjeni një gabim në tekst, zgjidhni atë me mousen dhe shtypni Ctrl+Enter ose këtë buton Nëse gjeni një gabim në tekst, theksoni atë me mousen dhe klikoni këtë buton Teksti i theksuar është shumë i gjatë!
Lexo gjithashtu