Një lutje…
Zot,
Sa shumë… për sa shumë njerëz rrinë zgjuar, mundohen, përpiqen. Jep bekimin Tënd hyjnor në çdo përpjekje të ndershme që bëhet për të mirën.
Mes tyre jam edhe unë; mundoj trupin tim, e nënshtroj, lodhem, o Zot, për dashurinë Tënde.
Qofsh i lavdëruar që më lejon të të ofroj diçka, që edhe unë të jap ndihmesën time në ndërtimin e shenjtë të Kishës Sate.
E di si e dëgjon, është në veshët e Tu ankimi: “por… si ta them, o Krishti im… disa çaste janë më të vështira se të tjerat. Ka çaste kur e ndiej lodhjen të rëndë. Gjunjët përkulen, sytë mbyllen, trupi i pabindur nuk i bindet shpirtit”.
Ti, o Zot, na mësove: “Fuqia ime përsoset në dobësi”.
Qofsh, pra, i lavdëruar… për dobësinë time, për fuqizimin Tënd.
Qofsh i lavdëruar që lejon të bëhen kaq shumë gjëra me kaq pak.
Qofsh i lavdëruar që bekon edhe përpjekjen e vogël dhe ajo jep fryt njëqindfish.
Të falënderoj, o Perëndia im, që zgjodhe të dobëtit dhe të vegjlit e botës, për të turpëruar të fortët.
Zot, shtoje mëshirën Tënde. Jep fuqi atje ku trupat e dobët përpëliten nga sëmundje të dhimbshme.
Jep vullnet dhe vendosmëri për luftë deri në flijim, deri në fund.
Mbush shpirtin me flakë, që të mposhtë lodhjen, sëmundjen dhe të nënshtrojë natyrën njerëzore.
Mbush me Hirin Tënd veprën hyjnore të duarve tona prej dheu. Amin.