Μesazhi i Patriarkut të Jerusalemit z.z. Theofil iii me rastin e festës së pashkës 2026
«Gëzohuni popuj dhe ngazëllehuni,
një engjëll u ul mbi gurin e varrit;
ai na shpalli lajmin e mirë duke thënë:
Krishti u ngjall prej së vdekurish,
Shpëtimtari i botës,
dhe mbushi gjithçka me aromë hyjnore.»
Me të vërtetë, në këtë natë të shenjtë, shpëtuese dhe plot dritë, Kisha përjeton dhe shpall misterin e mbinatyrshëm të Ngjalljes së shenjtë të Krishtit. Biri i vetëmlindur dhe Fjala e Perëndisë, Ai që «në fillim ishte Fjala», që u bë njeri dhe «u gjend në trajtë njeriu», që kaloi duke bërë mirë dhe duke shëruar, u kryqëzua dhe me dëshirë u varros.
Ata që menduan se do ta zhduknin kujtimin e Tij duke vulosur varrin, u treguan të kotë, sepse Zoti rrëzon planet e kombeve dhe prish këshillat e sundimtarëve. Edhe ferri u mashtrua, sepse mendoi se mori një njeri të vdekshëm, por u përball me Perëndinë.
Megjithëse u kryqëzua nga dobësia për hirin tonë, Krishti, Fjala e gjallë dhe Perëndia i vërtetë, e mundi vdekjen, theu portat e përjetshme dhe u ngjall, duke çliruar ata që ishin robër që prej kohësh dhe duke i çuar në Parajsë. Vdekja u zhduk dhe agimi i jetës lindi.
Të parat që përjetuan Ngjalljen ishin gratë mirrëmbajtëse, të cilat erdhën herët në mëngjes te varri dhe dëgjuan nga engjëlli: «Mos u trembni… Ai u ngjall, nuk është këtu». Vetë Zoti i Ngjallur iu shfaq atyre duke thënë: «Gëzohuni».
Po kështu iu shfaq edhe apostujve duke thënë: «Paqja me ju», duke u treguar plagët dhe duke u dhënë Frymën e Shenjtë. Ai u shfaq me shumë prova deri në ditën e dyzetë dhe u ngjit në qiell, ku u ul në të djathtën e Atit.
Ngjallja e Krishtit nuk është një kujtim i së kaluarës, por një realitet i gjallë dhe veprues, i bazuar në fuqinë e Kryqit. Nëpërmjet sakrificës së Tij dhe fitores së Ngjalljes, Krishti shkatërroi fuqinë e vdekjes dhe i dhuroi njeriut mundësinë e jetës së re.
Përmes Ngjalljes, natyra njerëzore u përtëri dhe u vesh me pavdekësi. Krishti dërgoi Frymën e Shenjtë dhe themeloi Kishën, e cila vazhdon veprën e Tij shpëtuese, duke predikuar paqen dhe drejtësinë për të gjithë.
Kisha e Jerusalemit është dëshmi e gjallë e këtij misteri dhe shpall vazhdimisht praninë e Krishtit: «Ja, unë jam me ju çdo ditë». Ngjallja e Tij është garancia e jetës së përjetshme, ku vdekja nuk ka më pushtet dhe jeta triumfon përjetë.
Duke dëgjuar fjalët e Zotit «Mos ki frikë, o tufë e vogël», Kisha fton besimtarët të qëndrojnë në Tokën e Shenjtë, që të përmbushet fjala: «Ngri sytë përreth, o Jerusalem, dhe shiko… bijtë e tu vijnë nga të gjitha anët për të lavdëruar Krishtin e Ngjallur».
Në Qytetin e Shenjtë të Jerusalemit,
PASHKË 2026
Me urime atërore dhe bekime patriarkale,
Lutës i përulur para Zotit,
THEOFILOS III
Patriark i Jerusalemit