Ohri, qyteti bizantin që lidh Ballkanin me kujtesën e Kishës
Një artikull i gazetës greke "To Vima" rikthen në vëmendje Ohrin si "Jerusalemin e Ballkanit", qendër shpirtërore, artistike dhe kishtare, me lidhje të thella historike me Voskopojën dhe Mitropolinë e Shenjtë të Korçës.
Ka qytete që flasin. Ohri është një prej tyre. I ndërtuar në brigjet e një liqeni të lashtë, mes malesh dhe qielli të hapur, ky qytet ruan në gurët e kishave, në rrugicat e vjetra dhe në heshtjen e manastireve të tij, një histori që prek dhe nuk harrohet. Gazeta greke "To Vima" i ka kushtuar kohët e fundit një artikull të gjerë, duke e paraqitur Ohrin si një nga vendet më të rëndësishme të kujtesës bizantine dhe orthodhokse në Ballkan. Por për besimtarin shqiptar dhe ortodoks, Ohri nuk është vetëm një destinacion turistik apo një emër në histori — ai është pjesë e rrënjëve të veta të krishtera dhe kishtare.
"Jerusalemi i Ballkanit"
I njohur prej shekujsh si "Jerusalemi i Ballkanit", Ohri ruan në kujtesën e tij një trashëgimi të pasur shpirtërore. Tradita vendase flet për 365 kisha — një për çdo ditë të vitit. Edhe nëse kjo shifër ka më shumë karakter simbolik, ajo shpreh diçka të vërtetë: ky qytet ka qenë i mbushur me besim. Besimi nuk ishte aty vetëm si zakon, por si mënyrë jetese, si frymëmarrje e përditshme.
Liqeni i Ohrit, një nga më të vjetrit në Evropë dhe më i thelli në Ballkan, e shton edhe më shumë karakterin e veçantë të këtij vendi. Bashkë me qytetin, ai është pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s për vlerat e tij natyrore dhe kulturore. Por vlera e tij shpirtërore nuk matet me asnjë çmim.
Shën Sofia — tempull i artit dhe besimit
Në qendër të trashëgimisë kishtare të Ohrit qëndron Kisha e Shën Sofisë. E ndërtuar në fund të shekullit X mbi rrënojat e një bazilike paleokristiane, ajo shërbeu për shekuj si seli e Kryepiskopatës së Ohrit. Afresket e saj të shekujve XI, XII dhe XIII janë ndër dëshmitë më të rëndësishme të artit mesjetar në Evropë — fytyra shenjtorësh, skenat e Ungjillit, ngjyra që edhe sot nuk kanë humbur gjallërinë.
Gjatë periudhës osmane, kur kisha u shndërrua në xhami, afresket u mbuluan me suva. Paradoksalisht, pikërisht ky mbulim i ruajti ato deri në zbulimin e mëvonshëm. Ashtu siç ndodh shpesh në histori — Perëndia ruan atë që njeriu mendon se ka shuar.
Shën Joani në Kaneo — simboli i Ohrit
Mbi një shkëmb me pamje nga liqeni qëndron Kisha e Shën Joanit Theologut në Kaneo, ndoshta imazhi më i njohur i Ohrit. E vogël, e thjeshtë, e vendosur mbi ujë dhe qiell, ajo dëshmon se arti bizantin nuk kërkonte madhështi për të shprehur hyjnoren. Mjaftonte edhe një kishëz mbi një shkëmb për ta bërë zemrën të ngjitet drejt Zotit.
Plaoshniku dhe Shën Klimenti — rrënja e arsimit krishterë
Në zonën e Plaoshnikut ruhet kujtimi i Shën Klimentit të Ohrit, dishepull i Shën Kirilit dhe Shën Metodit. Aty, pranë Kishës së Shën Panteleimonit, ai themeloi një nga qendrat e para arsimore të botës sllavo-bizantine, duke mësuar mijëra nxënës dhe duke bërë Ohrin jo vetëm qendër shpirtërore, por edhe qendër drite dhe dije. Gërmimet arkeologjike kanë nxjerrë në dritë mozaikë të bukur bazilikash paleokristiane gjurmë të besimit të hershëm që flenë nën tokë dhe herë pas here dalin sërish në dritë.
Shën Naumi — vendi ku buron uji dhe lutja
Në skajin jugor të liqenit, shumë pranë kufirit me Shqipërinë, ngrihet Manastiri i Shën Naumit. I themeluar në vitin 905 nga vetë Shën Naumi, bashkëpunëtor i ngushtë i Shën Kirilit dhe Shën Metodit, manastiri është sot vend pelegrinazhi dhe qetësie. Aty burojnë ujërat që ushqejnë liqenin përmes Drinit të Zi — si për të thënë se jeta dhe besimi kanë të njëjtën burim.
Ohri dhe Korça — një lidhje e thellë kishtare
Për besimtarin orthodhoks shqiptar, Ohri nuk është një qytet i largët. Ai është i lidhur drejtpërdrejt me historinë kishtare të Korçës dhe të gjithë jugut të Shqipërisë.
Kryepiskopata e Ohrit — e njohur me titullin e plotë "Kryepiskopata e Parë e Justinianës, Ohrit dhe gjithë Bullgarisë" — ushtroi për shekuj juridiksion kishtar mbi një hapësirë të gjerë ballkanike, duke përfshirë drejtpërdrejt edhe Mitropolinë e Shenjtë të Korçës, si dhe episkopi të tjera që sot nuk ekzistojnë më.
Mitropolía e Korçës varej drejtpërdrejt nga Kryepiskopata e Ohrit deri në vitin 1670, kur Kryepiskopi i Ohrit Partheni — i lindur vetë në Korçë — mori nismën për riorganizimin e saj si njësi e pavarur administrative kishtare, me titullin "Korçës dhe Selasforit". Në kuadër të kësaj ristrukturimi, u përfshinë episkopitë e Devollit dhe Kolonjës.
Dëshmi e drejtpërdrejtë e kësaj periudhe është Kodiku i Madh i Korçës, i dhuruar nga Partheni në vitin 1676, i cili titullohet: "Me Hirin e Perëndisë të Shenjtë, Kodiku i Mitropolisë së mbrojtur nga Zoti dhe shumë të shenjtës Korçës dhe Selasforit." Ky dokument i çmuar ruhet sot në Arkivin Qendror të Shtetit dhe është një nga burimet kryesore për historinë kishtare të rajonit.
Një figurë emblematike e kësaj lidhjeje është Joasafi, i ardhur nga Voskopoja, i cili shërbeu si Mitropolit i Korçës nga 1709 deri në 1745 dhe njëkohësisht mbante titullin e Kryepiskopit të Ohrit. Kjo tregon se lidhja mes Ohrit dhe Korçës ishte administrative por kryesisht ishte shpitërore
Voskopoja, qyteti i madh i Ballkanit të shekullit XVIII, varej drejtpërdrejt nga Kryepiskopi i Ohrit deri në vitin 1760, kur kaloi nën juridiksionin e Mitropolisë së Korçës. Kjo zinxhir historik — Ohri, Voskopoja, Korça — na kujton se Kisha shpërndan dritën e besimit në hapësira të gjera.
Kryepiskopata e Ohrit ruajti karakterin e saj "autoqefal" deri në vitin 1767, kur, nën Patriarkun Ekumenik Samuel Haxherin, u shfuqizua dhe u vendos nën juridiksionin e Patriarkanës Ekumenike të Kostandinopojës — duke mbyllur kështu një kapitull të gjatë e të lavdishëm të historisë kishtare ballkanike.
Arkitektura — bukuria e qytetit të vjetër
Ohri është gjithashtu qytet i arkitekturës tradicionale. Shtëpitë e bardha me trarë të errët druri, rrugicat e ngushta dhe ndërtimet e vendosura në mënyrë që të shohin nga liqeni ruajnë ende frymën e një qyteti të vjetër ballkanik. Shtëpia e familjes Robev, e ndërtuar në vitet 1863–1864, është një nga shembujt më të bukur të arkitekturës qytetare të shekullit XIX dhe sot funksionon si muze arkeologjik dhe etnografik.
Një qytet që flet ende
Ohri mbetet një qytet ku e kaluara nuk është vetëm kujti është prani e gjallë. Kishat, afresket, liqeni, manastiret dhe shtëpitë tradicionale flasin për një vend që ka qenë udhëkryq besimi, kulture dhe qytetërimi. Për besimtarin orthodhoks shqiptar, vizita në Ohër është një rrugëtim në rrënjët e veta shpirtërore.
Bibliografi
Κοσμάς Βίδος, "Οχρίδα, η «Ιερουσαλήμ των Βαλκανίων»: Από τη βυζαντινή τέχνη στην παραδοσιακή αρχιτεκτονική", To Vima / BHMAgazino, 14 maj 2026.
Bambulla Themistokli, Mitropolía e Shenjtë e Korçës — Zhvillimi Historik dhe Gjendja e Sotme, Doktoraturë e mbrojtur në Universitetin Aristotelik të Selanikut, Fakulteti Teologjik, Departamenti i Teologjisë Sociale dhe Kulturës Kristiane, Selanik 2025.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, material historik mbi lidhjen e Voskopojës me Kryepiskopatën e Ohrit dhe Mitropolinë e Korçës.