Çfarë është dashuria e krishterë?

2826
20 Maj 09:30
Çfarë është dashuria e krishterë?

Oshënar Maksim Omologjiti na kujton se besimi pa dashuri nuk ndriçon shpirtin dhe se dashuria e vërtetë shfaqet në përulësi, falje, mëshirë dhe në imitimin e Krishtit.

Çfarë është dashuria e krishterë?
Oshënar Maksim Omologjiti

Dashuria


Ashtu si kujtimi i zjarrit nuk e ngroh trupin, kështu edhe besimi pa dashuri nuk e ndriçon shpirtin me njohjen e Perëndisë.

Dashuria është një prirje e mirë e shpirtit, që e bën njeriun të mos parapëlqejë asgjë më shumë se njohjen e Perëndisë. Por është e pamundur ta fitojë dhe ta ruajë në mënyrë të qëndrueshme këtë dashuri ai që ka lidhje të pasionuar me diçka tokësore.

Ai që ka frikë Perëndinë, ka gjithmonë shoqëruese përulësinë. Dhe përulësia e çon te dashuria dhe te falënderimi ndaj Perëndisë. Ai mendon jetën e tij të mëparshme, mëkatet dhe ngasjet e ndryshme, si edhe mënyrën se si Zoti e shpëtoi nga të gjitha këto dhe e kaloi nga jeta e pasioneve në jetën sipas Perëndisë. Me mendime të tilla fiton dashurinë ndaj Perëndisë, Bamirësit dhe Udhëheqësit të jetës së tij, të Cilin e falënderon pa pushim me shumë përulësi.

Ai që e do Perëndinë jeton mbi tokë një jetë engjëllore. Kreshmon dhe vigjilon, psal dhe lutet, dhe për çdo njeri mendon gjithmonë të mirën.

Paqja e papërshkrueshme që kanë engjëjt e shenjtë vjen nga këto dy gjëra: nga dashuria ndaj Perëndisë dhe nga dashuria ndërmjet tyre. E njëjta gjë ndodh edhe me shenjtorët e të gjithë shekujve. Prandaj me të drejtë Shpëtimtari ynë tha se në këto dy urdhërime përmblidhen i gjithë ligji dhe mësimi i profetëve (Matth. 22:40).

Ai që e do Perëndinë, nuk mund të mos dojë çdo njeri si veten e tij. Edhe ata që janë ende skllevër të pasioneve të tyre, ai i do si veten dhe gëzohet me gëzim të pamasë e të patregueshëm kur i sheh të korrigjohen.

“Ati që më do”, thotë Zoti, “do të ruajë urdhërimet e Mia” (Jn. 14:23). Dhe përsëri: “Ky është urdhërimi Im: të doni njëri-tjetrin” (Jn. 15:12). Prandaj, ai që nuk e do të afërmin e tij, shkel urdhërimin e Zotit. Dhe ai që shkel urdhërimin e Zotit, nuk mund ta dojë as vetë Zotin.

Në të gjitha veprimet tona, Perëndia shqyrton qëllimin për të cilin i kryejmë: nëse i bëjmë për Të apo për diçka tjetër. Prandaj, kur duam të bëjmë një të mirë, të mos kemi si qëllim t’u pëlqejmë njerëzve, por vetëm Perëndisë. Tek Ai të kemi vështrimin dhe gjithçka ta bëjmë për lavdinë e Tij. Përndryshe, do të lodhemi pa fituar asgjë.

Vepër dashurie është bamirësia me gjithë shpirt ndaj të afërmit tonë, durimi dhe vetëpërmbajtja që tregojmë ndaj tij, si edhe përdorimi i urtë dhe i matur i gjërave.

Prirja e dashurisë nuk shfaqet vetëm me dhënien e parave, por edhe më shumë me dhënien e fjalës shpirtërore dhe me shërbimin konkret trupor.

Ai që e do Krishtin, e imiton Atë sa të mundet. Krishti, për shembull:

– nuk pushoi së bëri mirë ndaj njerëzve;
– tregoi durim kur njerëzit silleshin me mosmirënjohje dhe e blasfemonin;
– duroi kur e rrihnin dhe e vranë, pa menduar aspak për të keqen që i bënë.

Këto tri vepra janë shprehje të dashurisë ndaj të afërmit. Pa to, mashtron veten ai që thotë se e do Krishtin ose se do të fitojë Mbretërinë e Tij. Sepse Zoti na siguron: “Jo kushdo që më thotë: Zot, Zot, do të hyjë në Mbretërinë e qiejve, por ai që bën vullnetin e Atit Tim” (Matth. 7:21). Dhe përsëri: “Ai që më do, do të ruajë urdhërimet e Mia” (Jn. 14:15).

“Unë po ju them”, tha Zoti, “duajini armiqtë tuaj, bëjuni mirë atyre që ju urrejnë, lutuni për ata që ju bëjnë keq” (Matth. 5:44). Përse i dha këto urdhërime? Që të na çlirojë nga urrejtja, trishtimi, zemërimi dhe mëritë, dhe të na bëjë të denjë për të fituar dashurinë e përsosur. Kjo dashuri është e pamundur të fitohet nga ai që nuk i do njësoj të gjithë njerëzit, ashtu si Perëndia i do të gjithë njësoj.

Ai që ka dashurinë e përsosur nuk bën dallime ndërmjet njerëzve. Ai e di se të gjithë kemi të njëjtën natyrë njerëzore dhe, për këtë arsye, i do pa përjashtim të gjithë njësoj. Të virtytshmit i do si miq, ndërsa të këqijtë i do si armiq: u bën mirë, duron, tregon zemërgjerësi dhe, nëse ata i bëjnë keq, nuk e llogarit aspak të keqen që i bëhet. Përkundrazi, nëse e kërkon rasti, vuan për hir të tyre, që t’i bëjë edhe ata miq, nëse është e mundur. Dhe nëse nuk ia arrin kësaj, nuk e ndryshon prirjen e tij, por vazhdon t’i dojë të gjithë njësoj.

Lufto, sa të mundesh, që të duash çdo njeri. Nëse këtë ende nuk mund ta bësh, të paktën mos urre askënd. Por as këtë nuk do të mund ta arrish, nëse nuk përçmon gjërat e botës.

Nëse “dashuria nuk i bën keq të afërmit” (Rom. 13:10), atëherë ai që ka zili vëllain dhe trishtohet për përparimin e tij, që përpiqet me ironi t’ia njollosë emrin e mirë ose e lufton me ndonjë ligësi, a nuk e largon vallë veten nga dashuria dhe a nuk e bën fajtor për dënimin e përjetshëm?

Krishti nuk dëshiron që të kesh kundër asnjë njeriu urrejtje, trishtim, zemërim ose mëri të çfarëdo forme dhe për çfarëdo gjëje të përkohshme. Këtë e shpallin kudo të katër Ungjijtë.

Trishtimi është i lidhur ngushtë me mërinë. Kur mendja kujton fytyrën e vëllait dhe ndien trishtim, është e qartë se i mban mëri. “Rrugët e atyre që mbajnë mëri çojnë në vdekje shpirtërore” (Fjal. Urta 12:28), sepse “çdo njeri që mban mëri është shkelës i ligjit” (Fjal. Urta 21:24).

Në kohën e paqes sate, mos kujto ato që të tha vëllai kur të shqetësoi, qoftë nëse t’i tha përballë, qoftë nëse ia tha dikujt tjetër dhe ti i dëgjove më vonë, që të mos biesh në pasionin e mërisë.

Kur bisedon me të tjerët, ki kujdes që, për shkak të trishtimit që ruan ende fshehur brenda vetes, të mos shtrembërosh lavdërimet për vëllain, duke përzier pa dashje në fjalët e tua edhe akuzë. Në bisedat e tua përdor lavdërim të pastër për vëllain dhe lutu për të sinqerisht, sikur të luteshe për veten tënde. Kështu, shumë shpejt do të çlirohesh nga urrejtja shkatërruese.

Nëse dëshiron të mos biesh nga dashuria e Perëndisë, mos e lër vëllain tënd të flejë i trishtuar me ty, as ti mos fli i trishtuar me të. Shko, pajtohu me vëllain tënd dhe atëherë ofroja Krishtit dhuratën e dashurisë sate, me ndërgjegje të pastër dhe lutje të ngrohtë.

Mos i lejo veshët e tu të dëgjojnë fjalët e atij që përgojon, as fjalët e tua të mos arrijnë në veshët e atij që kënaqet me akuza, duke folur ose duke dëgjuar me kënaqësi kundër të afërmit tënd, që të mos humbasësh dashurinë hyjnore dhe të mos gjendesh jashtë trashëgimisë së jetës së përjetshme.

Nuk ka dhimbje më të rëndë të shpirtit sesa shpifja, qoftë kur dikush shpifet për besimin, qoftë për sjelljen e tij. Askush nuk mund të mbetet indiferent kur shpifet, përveç atij që i kthen sytë nga Perëndia, i Vetmi që mund të na shpëtojë nga rreziku, të zbulojë para njerëzve të vërtetën dhe të ngushëllojë shpirtin me shpresë.

Sa më shumë të lutesh me gjithë shpirt për atë që të shpifi, aq më shumë Perëndia ua bën të njohur pafajësinë tënde atyre që u skandalizuan për shkak të shpifjes.

Mik i vërtetë është ai që, në kohë sprove, ndan në heshtje dhe pa u trazuar dhimbjet, nevojat dhe fatkeqësitë e të afërmit, sikur të ishin të vetat.

Nuk ka ende dashuri të përsosur dhe as njohje të thellë të përkujdesjes hyjnore ai që, në kohë sprove, nuk bën durim për të këqijat që i ndodhin, por shkëputet nga dashuria e vëllezërve shpirtërorë.

Nëse ai që ka të gjitha dhuntitë e Shpirtit të Shenjtë, por nuk ka dashuri, nuk përfiton asgjë, siç thotë Apostulli hyjnor (1 Kor. 13:2), atëherë sa gatishmëri dhe zell duhet të tregojmë për ta fituar atë?

Shumë kanë folur shumë për dashurinë. Por nëse e kërkon, do ta gjesh vetëm te nxënësit e Krishtit, sepse vetëm ata kishin si mësues të dashurisë Dashurinë e vërtetë, Krishtin, dhe thoshin: “Edhe sikur të kem dhuntinë të profetizoj dhe të njoh të gjitha misteret, edhe sikur të kem gjithë diturinë, por nuk kam dashuri, nuk përfitoj asgjë” (1 Kor. 13:2).

Prandaj, ai që fitoi dashurinë, fitoi vetë Perëndinë, sepse “Perëndia është dashuri” (1 Jn. 4:16). Atij i përket lavdia dhe fuqia në jetë të jetëve. Amin.

Nëse vëreni një gabim, zgjidhni tekstin e nevojshëm dhe shtypni Ctrl+Enter ose Dërgo një gabim për ta raportuar tek redaktorët.
Nëse gjeni një gabim në tekst, zgjidhni atë me mousen dhe shtypni Ctrl+Enter ose këtë buton Nëse gjeni një gabim në tekst, theksoni atë me mousen dhe klikoni këtë buton Teksti i theksuar është shumë i gjatë!
Lexo gjithashtu