Mbyllja e Pashkës në Tiranë: Ngjallja që nuk shteron kurrë
Në Kishën e Ungjillëzimit u kremtua Liturgjia Hyjnore me rastin e Mbylljes së Pashkës, duke rikujtuar se drita e Krishtit të Ngjallur mbetet e gjallë në jetën e besimtarëve.
Të mërkurën, më 20 maj 2026, në Kishën e Ungjillëzimit në Tiranë u kremtua Liturgjia Hyjnore me rastin e festës së Mbylljes së Pashkës.
Shërbesat e Shenjta u drejtuan nga Episkopi i Amantias, Hirësia e Tij z. Ignat, në bashkëmeshim me klerikë të Kryepiskopatës së Hirshme. Në hierore ishte i pranishëm edhe Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Imzot Joani, i cili u lut së bashku me klerin dhe popullin besimtar.
Në predikimin e tij, Protopresviter At Spiro Topanxha solli para besimtarëve kuptimin e thellë të kësaj feste. Ai theksoi se, edhe pse në rendin liturgjik përmbyllet periudha dyzetditore e Pashkës, Ngjallja e Krishtit nuk mbyllet kurrë. Krishti i Ngjallur nuk largohet nga jeta e njeriut, por mbetet përherë burim drite, paqeje dhe force për çdo shpirt që beson tek Ai.
“Kjo është dita që bëri Zoti; le të ngazëllohemi dhe le të dëfrejmë në të” – me këto fjalë të Psalmistit nisi predikimi, duke rikujtuar se jeta e krishterë nuk mund të kuptohet pa dritën e Ngjalljes. Prej saj marrin kuptim kryqi, vuajtja, falja, shpresa dhe vetë ekzistenca njerëzore.
Ngjallja nuk është vetëm një ngjarje historike që kujtohet një herë në vit, por një realitet i përditshëm, që duhet jetuar në zemrën e çdo besimtari. Ajo është drita që ndriçon jetën e njeriut, i jep kuptim përpjekjeve të tij dhe e forcon përballë vështirësive.
Duke iu referuar pasazhit ungjillor të ditës, ai u ndal te fjalët e Zotit tonë Jisu Krisht: “Derisa keni dritën, besoni në dritën, që të bëheni bij të dritës.” Kjo ftesë e Krishtit mbetet aktuale në çdo kohë. Zoti nuk i fton njerëzit vetëm ta admirojnë dritën nga larg, por të jetojnë në të dhe të bëhen vetë përçues të saj.
Besimtari i vërtetë është i thirrur ta reflektojë praninë e Krishtit të Ngjallur në familje, në punë, në shoqëri dhe në çdo marrëdhënie njerëzore. Drita e Ngjalljes nuk mbetet e mbyllur brenda mureve të kishës, por shndërrohet në jetë, dëshmi, falje, dashuri dhe shpresë.
Në Kishën Orthodhokse, çdo festë ka thellësinë dhe bukurinë e saj të veçantë. Megjithatë, Pashka mbetet themeli i gjithë jetës së Kishës: festa e fitores së jetës mbi vdekjen, e dritës mbi errësirën dhe e shpresës mbi dëshpërimin.
Prandaj, Mbyllja e Pashkës nuk shënon fundin e gëzimit paskal, por është një rikujtim i fuqishëm se Ngjallja e Krishtit mbetet përherë e gjallë në jetën e besimtarëve të krishterë orthodhoksë.
Në përfundim të Liturgjisë Hyjnore, besimtarët u njoftuan se ditën e enjte, më 21 maj 2026, me rastin e festës së Analipsit, Liturgjia Hyjnore në Kishën e Ungjillëzimit do të drejtohet nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Joan.
Foto Radio Ngjallja