Fjala e Kryepiskopit Joan E Marta e Madhe, Shërbesa e Dhëndrit (II)

2824
15:08
Fjala e Kryepiskopit Joan E Marta e Madhe, Shërbesa e Dhëndrit (II)

Katedralja "Ngjallja e Krishtit" në Tiranë 6 prill 2026

Sikundër e dini gjatë Javës së Madhe, mbrëmësorja bëhet në mëngjes, dhe mëngjesorja bëhet në darkë. Pra, sot, të hënën në mbrëmje, kryem mëngjesoren e ditës së martë. Të Martën e Madhe kemi dy tema shumë të rëndësishme. Paravolinë e 10 virgjëreshave, të cilat janë pjesë e asaj që quhet Shërbesa e Dhëndrit, që flet për Ardhjen e Dytë të Krishtit, si Dhëndri i Kishës. Kjo paravoli ka disa gjëra shumë të rëndësishme për jetën tonë shpirtërore. Paravolia tregon që ishin 10 virgjëresha dhe Zoti u tregon atyre duke përdorur se si bëhej dasma në shekullin e parë në Izrael. Pas fejesës dhëndri shkonte në shtëpinë e nuses së bashku me miqtë e tij. Nusja ishte përgatitur me shumë vasha të tjera, që e prisnin me llamba, sepse dhëndri vinte gjithmonë natën. Asnjë nuk e dinte orën e saktë dhe prandaj merrnin edhe më tepër vaj sesa duhej për llambat. Ai e thotë paravolinë e virgjëreshave, për të treguar Ardhjen e Dytë të Zotit. Pesë prej tyre ishin të mençura, të cilat i kishin mbushur llambat me vaj, dhe pesë ishin të marra, të cilat nuk i kishin mbushur llambat me vaj. Pasi i zuri gjumi, erdhi dhëndri dhe të gjitha u zgjuan për ta pritur atë. Ato që i kishin llambat me vaj i ndezën ato, ndërsa ato që nuk kishin vaj, nuk mund t’i ndiznin dot llambat. Kështu, ato u kërkuan atyre që kishin vaj t'u jepnin pak vaj, por ato nuk mund t'u jepnin, sepse ajo që kishin ishte vetëm për ato. Ndërsa ato shkuan për të blerë, u mbyll dera dhe kur u kthyen dhe trokitën, i kërkuan të zotit t’ua hapë derën, por ai u tha që nuk ju njoh se kush jeni.

Çfarë do të thotë kjo paravoli? Të gjithë Etërit e Kishës kanë predikuar rreth kësaj paravolie kaq shumë të rëndësishme. Virgjëreshat dhe llambat tregojnë shpirtin e njeriut. Ato tregojnë të gjithë jetën që ka bërë ai njeri, dhe vaji është punët dhe veprat e mira që kanë bërë njerëzit, për të ndihmuar të tjerët. Kështu e shpjegon Shën Joan Gojarti: Të gjitha bamirësitë që bëjmë, duke ndihmuar të tjerët, janë pikërisht ajo që mbushim llambën tonë me vaj dhe kur të vijë dhëndri, llamba jonë do të jetë e ndezur. Etër të tjerë e shpjegojnë po në të njëjtën formë, por më të detajuar. Një formë të detajuar shpjegimi jep Shën Serafimi i Sarovit. Mënyra si e shpjegon ai është shumë e rëndësishme për ta mësuar. Ai thotë se pa dyshim që virgjëreshat kanë virtyt të madh, sepse kanë shërbyer vazhdimisht, por llambën nuk e kanë mbushur me vaj. Po kush është vaji? Sipas tij, vaji është pikërisht fitimi i Shpirtit të Shenjtë. Nëse bëjmë vepra të mira, duhet t'i bëjmë në emër të Krishtit. Dhe ai citon një nga letrat që Shën Antoni i Madh u dërgon murgjërve. Aty thuhet që shumë murgjër dhe virgjëresha, e ka fjalën për murgeshat, nuk e kuptojnë që në shpirtin tonë janë tre dëshira, tre vullnete: vullneti i Perëndisë që është i përsosur dhe shpëtues, pra, shpëton shpirtin tonë; vullneti ynë ose dëshira jonë, e cila edhe kur nuk është shkatërruese, nuk mund të na shpëtojë dot; dhe e treta është dëshira ose vullneti i të ligut i cili jo vetëm që mundohet që njerëzit të mos bëjnë vepra të mira ose nëse i bëjnë të mos i bëjnë për njerëzit e tjerë, i bëjnë që të mburren ata vetë. Dhe vullneti i të ligut nuk shpëton dot, por vetëm shkatërron. Ndërsa vullneti ynë shpeshherë mund të duket i mirë. Shumë njerëz mund të bëjnë bamirësi, vepra të mira, por këto vepra të mira, nëse nuk bëhen për Zotin dhe për njerëzit, por për veten tonë, atëherë nuk do të kemi dobi. Llamba nuk do të ndizet dhe nuk do të marrim dot vajin e ngazëllimit, siç e quan Psalmisti (Ps.45:7).

Shpeshherë njerëzit i bëjnë veprat për t'u dukur ose i bëjnë për t'u lavdëruar. Njerëz të tillë, që lavdërohen dhe duan të duken, nuk bëjnë asgjë, madje shpeshherë bëjnë të kundërtën; shkatërrojnë veprat e mira të të tjerëve. Dëshira që vjen nga krenaria nuk sjell vepër të mirë. Jo çdo punë e mirë në dukje, mund të jetë punë e mirë. Puna e mirë në dukje është ajo që bëhet në emër të Krishtit. Që do të thotë që ne e bëjmë atë nga dashuria që kemi në shpirt për njerëzit e tjerë. Madje nuk duam të dukemi dhe as të lavdërohemi. Nëse e bëjmë punën në këtë formë, ne e kemi mbledhur vajin dhe llamba jonë do të ketë vaj. Dhe në ditën e Ardhjes së Zotit do të paraqitemi me llambën e ndezur, që do të thotë që pranohemi në Mbretërinë e Zotit.

Dhe paravolia e dytë është ajo e talantave, e cila është po e njëjta me këtë. Talanta është një fjalë fenikase, që ka kuptimin e një peshe të caktuar, një sasie peshe për argjendin ose arin. Më vonë mori kuptimin e dhuratave, prej së cilës vjen dhe fjala talent. Talent është fjala talanta. Zoti i ka dhënë çdo njeriu një talent, dikujt më shumë, dikujt më pak, për arsyet që i di Ai. Në paravolinë e talantave thuhet që njërit i dha pesë, tjetrit i dha dy dhe të tretit i dha një. Ai që kishte pesë talanta, e punoi atë dhe prodhoi pesë talanta të tjera. Ai që kishte dy, bëri dy të tjera dhe e dyfishoi atë. Ndërsa ai që kishte një e fshehu talentin. Dhe Zoti e dënoi atë pikërisht se fshehu talentin. Çdo talent që Zoti na ka dhuruar, duhet ta dyfishojmë dhe çmimi do të jetë po i njëjtë. Shpërblimi i të gjithëve që e dyfishojnë talentin do thotë: “Hyr në gëzimin e Zotit tënd”. Vetëm kur e shpërdorojmë talentin dhe nuk e përdorim atë, atëherë është në dëmin tonë. Ne nuk e kemi garën me njerëzit e tjerë. Krenarët e kanë garën me njerëzit e tjerë. Çdo njeri e ka garën me talentin që i ka dhënë Zoti. Të mos shikojmë se çfarë bëjnë të tjerët. Dikujt Zoti mund t'i ketë dhënë pesë dhe do t’i kërkojë atij edhe pesë të tjera. Nëse njërit i ka dhënë një, do t’i kërkojë një. Prandaj dhe Kisha na paralajmëron nëpërmjet kësaj paravolie, për t'u përgatitur dhe për t'u përqendruar te vetja jonë dhe për ta dyfishuar talantin që na ka dhënë Zoti.

Dhe le të mundohemi që ta përdorim në mënyrën më të mirë talantin. Le ta mbushim llambën e zemrës sonë me vajin e ngazëllimit, që vjen nga çdo punë e mirë që bëjmë për të ndihmuar njerëzit e tjerë. Jo për hirin tonë, por për hirin e atyre. Ky është vaji i ngazëllimit.

Do të doja t'ju nxisja ju të gjithë dhe veten time, të përpiqemi për sa kohë jemi në këtë botë, që të përgatitim llambën, sepse do të vijë një ditë që nuk ka më kohë. Do të duam që ta mbushim llambën, por nuk do jetë më mundësia. Dera do të mbyllet dhe çdo njeri do të gjykohet në çastin që do të merret nga kjo botë. Një histori shumë e bukur nga murgjërit e shkretëtirës tregon që një murg që kishte rënë në mëkat, i thotë jerondit të tij: Rashë, o atë. Ai i thotë: - Ngrihu. Rashë përsëri, o atë. Ngrihu përsëri - i thotë ati, dhe lutu, që kur të vijë Perëndia të të gjejë të ngritur.
Këto fjalë janë dhe për gjithsecilin nga ne.

Le të përpiqemi për të realizuar mbushjen e zemrës sonë me vajin e ngazëllimit, sepse nuk e dimë orën kur do të vijë Zoti. Shën Pavli shkruan se ajo orë do të vijë si vjedhës, në mes të natës që askush nuk e di se kur (1 Thes. 5:2). Prandaj, të jemi vigjilentë. Asnjë nuk e di ditën kur do të paraqitemi përpara Zotit. Nëse do të jemi vigjilentë dhe do të përpiqemi ta mbushim llambën e shpirtit tonë me vaj, atëherë do të gëzohemi dhe ne bashkë me Ardhjen e Dhëndrit, me Ardhjen e Dytë të Krishtit. Amin.

 

media.ngjallja
 

Nëse vëreni një gabim, zgjidhni tekstin e nevojshëm dhe shtypni Ctrl+Enter ose Dërgo një gabim për ta raportuar tek redaktorët.
Nëse gjeni një gabim në tekst, zgjidhni atë me mousen dhe shtypni Ctrl+Enter ose këtë buton Nëse gjeni një gabim në tekst, theksoni atë me mousen dhe klikoni këtë buton Teksti i theksuar është shumë i gjatë!
Lexo gjithashtu