Mesazhi i Kryepeshkopit Joan: Guximi për t’u penduar
Një thirrje për kthim të sinqertë tek Perëndia, duke reflektuar mbi mëkatin, pendimin dhe zgjedhjen mes shpëtimit dhe humbjes shpirtërore
Fjala e Kryepiskopit Joan
E Mërkura e Madhe, Shërbesa e Dhëndrit (III)
Katedralja "Ngjallja e Krishtit" në Tiranë
7 prill 2026
Le të kemi guxim për t'u penduar!
Në ditën e tretë dhe të fundit të Shërbesës së Dhëndrit janë disa tema shpirtërore shumë të rëndësishme. Dy ditët e para folëm për disa tema, cilat kanë edhe nëntema, që kërkojnë kohë shumë të gjatë për të folur për të gjitha. Sot, do të doja të ndalesha në dy gjëra shumë të rëndësishme: në mëkataren e penduar dhe në tradhtinë e Judës. Dy njerëz krejtësisht të ndryshëm dhe me dy gjendje shpirtërore plotësisht të ndryshme. Ata vendosen në kontrast: një grua mëkatare gjeti shpëtimin, ndërsa një nga apostujt e humbi atë. Këto na bëjnë të mendojmë për disa tema të jetës sonë. Çfarë është mëkati? Çfarë është pendimi? Çfarë është dashuria e pafund e Perëndisë? Po liria?
Le ta fillojmë me shpejgimin e mëkatit. Në Kishën Orthodhokse, mëkati nuk është thjesht një shkelje e një urdhëri ose shkelja e një fjale, është diçka më e thellë edhe më e rëndë. Mëkati është prishja e një marrëdhënieje, kur njerëzit e prishin marrëdhënien me Zotin. Duke prishur këtë marrëdhënie, ne dëmtojnë vetë ekzistencën tonë, sepse të jesh i mirë dhe të bëhesh i ngjashëm me Zotin, nuk është thjesht çështje etike, por është çështje ontologjike. Qenia jonë dëmtohet dhe shtrëmbërohet. Prandaj dhe mëkati është aq shumë i rëndë, por Perëndia na ka dhënë edhe pendimin. Dhe pendimi është shumë i rëndësishëm. Në Kishën Orthodhokse, pendimi nuk është thjesht keqardhja për atë që kemi bërë. Pendimi është një vendim shumë i rëndësishëm për të ndryshuar të gjithë mënyrën tonë të të jetuarit edhe të të menduarit. Pendimi nuk është thjesht bëmë një gabim, pastaj ne japim gjobën dhe mëkati lahet. Pendimi është rregullimi dhe restaurimi i marrëdhënies sonë me Perëndinë. Njerëzit shpeshherë kanë guxim për të mëkatuar, siç thotë Shën Joan Gojarti, por pastaj kanë turp për t'u penduar. Në fakt, duhet të ishte e kundërta. Ne duhet të kemi turp për të mëkatuar dhe të kemi guxim për t'u penduar. Por i ligu e përmbys këtë vlerë. Ai i nxit njerëzit dhe iu jep guxim për të mëkatuar dhe pastaj u jep atyre ndjenjën e turpit për t'u penduar. Nëse pendohemi, nuk është turp. Krenarët kanë turp të pendohen. Njerëzit e përulur e pranojnë shumë shpejt gabimin, prandaj pendohen dhe nëpërmjet pendimit arrijnë shpëtimin, sikundër rasti i gruas së sotme. Ajo derdhi miro shumë të çmuar mbi trupin e Zotit dhe me flokët e saj filloi t'i fshinte edhe këmbët e Tij. Dhe shumë njerëz rrotull, duke përfshirë edhe nxënësit, menduan që pse u harxhua pará kaq e madhe, një pasuri që mund t'u jepej të varfërve. Por ajo e bëri atë veprim për Perëndinë. Dhe Zoti thotë që të varfrit do t’i keni gjithmonë me ju, por këtë gjë që bëri kjo grua do të kujtohet vazhdimisht. Derisa të përhapet dhe të jetë Ungjilli gjithmonë do të kujtohet kjo vepër.
Përse Zoti e ngriti kaq shumë larg këtë vepër? Sepse ajo grua u pendua thellë dhe është shembull pendimi për gjithsecilin prej nesh. Në psalmet e Davidit thuhet fjalë shumë të rëndësishme: “Do ta derdh hidhërimin tim përpara Perëndisë” (Ps.142:2). Çfarë do të thotë kjo gjë? Pikërisht, atë hidhërimin e pendimit ne e derdhim përpara Perëndisë kur realisht e thyejmë enën e zemrës sonë, e cila është ngurtësuar nga mëkatet, nga krenaria dhe e derdhim përpara Perëndisë. Kjo do të na lirojë, do të na çlirojë, do të largohet hidhërimi nga shpirti dhe do të vijë gëzimi. Sepse guximi që sjell pendimin, jep edhe gëzim. Pendimi i vërtetë nuk është i trishtuar, është trishtim që ka brenda edhe gëzimin. Pendimi i krenarit është i trishtuar, të lë në dëshpërim. Juda e tradhtoi Zotin nga smira dhe nga lakmia, dhe vrau veten nga krenaria. Kështu është pendimi i krenarit, kur njeriu mendon dhe thotë si arrita unë në këtë gjë? Ai nuk përqendrohet te Zoti, por përqendrohet te vetja e tij. Ky pendim është demoniak. Pendimi i vërtetë vjen nga përulësia. Prandaj dhe mësimi i sotëm është shumë i rëndësishëm për gjithsecilin nga ne. Ai na kujton të gjithëve që të kemi turpin për mëkatin dhe guximin për pendimin. Sepse nëse do ta thyjmë enën e zemrës sonë, dhe do ta derdhim miron mendore përpara Krishtit, Ai do të na falë dhe do të na pranojë përsëri.
Le t'i lutemi Perëndisë të na japë këtë guxim dhe të vazhdojmë rrugën e pendimit, sepse nëpërmjet pendimit mund të kemi kungim me Perëndinë e gjallë. Amin.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë