Pendimi që shpëton dhe lakmia që shkatërron
Nga gruaja mëkatare te Juda tradhtar: dy rrugë përpara njeriut në prag të Pashkës – frika, shpresa dhe fuqia e pendimit për shpëtimin e shpirtit
Sot Fariseu e ftoi Krishtin në darkë, duke përzier nderin me turpin; gruaja mëkatare dhe nxënësi i Zotit, Juda, ai që mohoi pendimin. Gruaja mëkatare gjendet në gjendjen më të keqe të rënies morale, në shthurje, ndërsa Juda në pozitën më të nderuar: është nxënës i Zotit. Pendimi e ngre gruan mëkatare dhe e bën mirofore, ndërsa lakmia e ul Judën në rënien më të turpshme. E bën tradhtar të Mësuesit të tij dhe në fund e çon në vetëvarje. Ky ndryshim i dy gjendjeve na mbush zemrën me frikë dhe ankth për shpëtimin tonë, sepse shpëtimi i shpirtit nuk varet nga pozita që kemi në kishë, por njëkohësisht na mbush edhe me shpresë duke parë fuqinë e madhe të pendimit.
Nxënësi e njeh më mirë se kushdo tjetër Mesuesin e tij. Kishte jetuar vite me Të, kishte parë mrekulli, kishte dëgjuar mësime të mrekullueshme dhe megjithatë u bë skllav i lakmisë dhe shkaktoi humbjen e përjetshme të shpirtit të tij. Përkundrazi, gruaja mëkatare, duke sjellë vetëm lotët e saj me pendim të madh dhe mirron e çmuar, bëhet mirrofore, dhe ky veprim përmendet gjithmonë në gjithë botën në kujtimin e saj. (Marku 14:9). Ajo shkoi atje e paftuar, u afrua aty ku ishte Zoti dhe i rrëfeu me gjithë zemër gjithçka qe kishte bërë. Nuk u turpërua, nuk u frikësua, as nga sjellja e keqe e shërbëtorëve, as nga akuzat e të pranishmëve. “Për kaq kohë u pëlqeva njerëzve,” mendonte ajo, “tani është e drejtë t’i pëlqej edhe Perëndisë sime të Shenjtë, me shpirt të pastër dhe besim të shenjtë, që të pastrohem nëpërmjet Tij.” Për mëkatin e urryer u pëlqeva njerëzve; tani le t’i pëlqej Bamirësit tim me pendimin tim. Ai është i vetmi Shpëtimtar i saj dhe të gjithë të tjerët e mashtruan. Ajo pa se vetëm Jezusi, Krishti, është Ai që do t’i japë dritë, ngushëllim, gëzim dhe faljen e shumë mëkateve të saj. “Më prano,” tha, “mëkataren, prano detin e mëkateve të mia!” Dhe lotët e saj ishin aq të shumtë sa lagën këmbët e pastra të Krishtit dhe ajo u detyrua t’i fshinte me flokët e saj të dendur.
Nuk nevojitej më tjetër mirro për Krishtin. Mirra më e çmuar ishin lotët e saj, që kishin vlerë të madhe. Ato mund të shlyenin të gjithë borxhin që kishte ndaj Perëndisë. Edhe pse ishte zhytur në baltë dhe ndotje, ato lot të çmuar e ndihmuan të zbukuronte rrobën e shpirtit të saj dhe të bëhej e pranueshme nga Shpëtimtari tonë.
Çdo shpirti të penduar i jepet fjalë, i jepet lutje e ndriçuar. Si e dinte ajo, një grua e rrugës, të lutej? Por nga çasti që u pendua dhe filloi të anonte drejt dritës dhe së vërtetës, iu dha fryma e lutjes.
Nxënësi Juda dhe gruaja mëkatare, që përmenden në të Mërkurën e Madhe, shprehin edhe më qartë këto dy gjendje: të nxënësit dhe të gruas mëkatare. Ndryshimi erdhi nga pendimi i gruas dhe nga rënia e Judës për shkak të lakmisë së tij.
Në fund të Kreshmës, përmendja e gruas mëkatare dhe e tradhtisë së Judës ka një shpjegim të veçantë. Po afrohemi drejt Pashkës së Shenjtë pas një periudhe të gjatë përgatitjeje dhe mundimesh. Le të mos jemi të pakujdesshëm dhe indiferentë. Një pakujdesi mund të shkatërrojë gjithë fitimin shpirtëror, siç ndodhi me pasionin e lakmisë së Judës. Po ashtu, edhe njeriu i ngarkuar me shumë mëkate dhe i larguar nga Perëndia ka shpresë shpëtimi. Një pendim i sinqertë dhe braktisje e së keqes nga thellësia e zemrës mund ta bëjë të denjë për falje, siç ndodhi me gruan e mëparshme të rënë.
Me frikë dhe me shpresë, pra, le të punojmë për shpëtimin tonë. Me frikë për shkak të dobësisë së natyrës njerëzore, dhe me shpresë falë fuqisë së pendimit dhe mëshirës së pafundme të Perëndisë, përpara së cilës asnjë mëkat nuk qëndron. Edhe Juda mund të ishte falur, nëse do të ishte penduar. Këtë na e dëshmon gruaja mëkatare, e cila, duke derdhur lotët e saj të shumtë, u çlirua nga erërat e këqija të pasioneve të saj.
E Mërkura e Madhe është ditë e errët dhe e trishtuar, për shkak të marrëveshjes së Judës për të shitur Jezusin dhe vendimit të skribëve dhe farisenjve për ta vrarë Atë. Për këtë vepër të mjerë, Kisha vajton çdo të mërkurë të vitit, duke vendosur kreshme dhe lutje. Sepse mëkati i tradhtisë dhe mohimit të Zotit nuk u zhduk me vdekjen e Judës, por vazhdon në shekuj dhe rëndon edhe mbi të krishterët. Edhe ata, si populli hebre, u bënë pjesëmarrës në dhuratat më të mëdha të Zotit, por e shesin Atë për pasurine dhe për synimet të kota të kësaj bote.
Le te perpiqemi me ngulm që të jemi zgjuar dhe vigjilentë për të hyrë në “dhomën e dhëndrit Krisht”, sepse “Mbretëria e Qiellit është e atyre që luftojne dhe bëjnë përpjekje deri ne fund ”. Amin.
UGO