Besimtarët në Korçë ndjekin me përkushtim shërbesat e Javës së Madhe
Në Mitropolinë e Shenjtë të Korçës, besimtarët po marrin pjesë me devotshmëri, përulësi dhe shpresë në shërbesat e Javës së Madhe, duke mbushur kishat dhe duke përjetuar thellë klimën shpirtërore të këtyre ditëve të shenjta.
Të shtunën e Llazarit, kur përkujtohet Shën Llazari, përveç pjesëmarrjes në shërbesa, u ruajt edhe tradita e bukur popullore: amvisat besimtare përgatitën “Llazoret”, biskota tradicionale me formën e shenjtorit, duke i dhënë kështu festës një dimension familjar dhe shpirtëror.
Të Dielën e Dafinave, besimtarët morën pjesë masivisht në Meshën Hyjnore, ndërsa në të gjitha kishat e Mitropolisë u shpërndanë dhe u bekuan dafinat, simbol i fitores dhe shpresës. Hirësia e Tij,+imzot Anastasi, kremtoi Liturgjinë Hyjnore në qytetin e Pogradecit në Kishën e Fjetjes së Hyjlindëses pranë besimtarëve të cilët janë pjesë e Mitropolisë së Shenjtë Korçë.
Gjatë së Dielës, të Hënës dhe të Martës së Madhe, në Shërbesën e Dhëndërit, besimtarët u përfshinë në një atmosferë të thellë reflektimi. Përmes troparëve dhe teksteve liturgjike u theksua nevoja për përulësi, vetëdije shpirtërore dhe pendim të sinqertë, si rruga e vetme për t’iu afruar jetës sipas mësimit të Krishtit.
Shërbesa e Dhëndërit u kremtua gjithashtu edhe në Manastirin e Fjetja e Hyjlindëses Boboshticë, një nga qendrat historike të besimit në zonë. Ky manastir mbart një simbolikë të veçantë, pasi në vitin 1990, në ditën e festës më 15 Gusht, u zhvilluan lutjet e para nga besimtarët, pavarësisht pengesave të regjimit komunist, në një kohë kur sistemi po shkonte drejt fundit.
E Mërkura e Madhe në Korçë: Besimtarët marrin pjesë në Misterin e Efqelisë së Shenjtë
Sot, në të Mërkurën e Madhe, besimtarët e Mitropolisë së Shenjtë të Korçës morën pjesë me përkushtim në Misterin e Efqelisë së Shenjtë, një nga shërbesat më të rëndësishme të kësaj jave të shenjtë.
Gjatë kremtimit, besimtarët u vajosën (të njohur në gjuhën popullore si “u mirosën”) nga klerikët, duke marrë bekimin për shërimin e trupit dhe të shpirtit. Atmosfera ishte e mbushur me përulësi dhe lutje, ndërsa pjesëmarrja ishte e konsiderueshme në të gjitha kishat.
Misteri u kremtua në tri prej kishave kryesore të Mitropolisë: në Kishën e Shën Sotirit (Metamorfoza) Korçë, në Kishën e Shën Anës Korçë, si dhe në Katedralen Ngjallja e Krishtit Korçë, ku shërbesën e udhëhoqi Hirësia e Tij, Imzot Anastasi.
Një element veçanërisht inkurajues ishte pjesëmarrja e madhe e të rinjve, e cila jep shpresë për të ardhmen e jetës kishtare. Kisha është dhe do të jetë gjithmonë një strehë shpirtërore dhe një “anije” e sigurt në dallgët e jetës të gjithsecilit e sidomos tek të rinjtë, ku udhëtimi bëhet më i qëndrueshëm, pasi Kapiteni i saj është vetë Zoti ynë Krishti.
UGO