Vepra katekiste e majit në Mitropolinë e Fierit

2824
09:43
1
Mitropoliti Nikolla Hyka në mes të të rinjëve të Mitropolisë së Apollonisë dhe Fierit. Mitropoliti Nikolla Hyka në mes të të rinjëve të Mitropolisë së Apollonisë dhe Fierit.

Gjatë muajit maj, grupet e katekizmit zhvilluan mësime, pelegrinazhe, pagëzime, veprimtari bamirëse dhe nisma për të rinjtë.

Me bekimin e Mitropolitit të Apollonisë dhe Fierit, Hirësisë së Tij Imzot Nikollës, gjatë muajit maj u zhvillua një program i pasur katekizmi dhe baritor në famulli dhe grupe të ndryshme të Mitropolisë.

Grupet e katekizmit vijuan mësimet, lutjet dhe veprimtaritë formuese e argëtuese, duke i ndihmuar fëmijët, të rinjtë dhe të rriturit të njohin më thellë besimin orthodhoks dhe jetën e Kishës.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua përgatitjes së katikumenëve për misterin e Pagëzimit. Gjatë muajit, pjesëmarrësit u njohën më nga afër edhe me jetën dhe mësimet e Shën Kozmait, një figurë e rëndësishme për historinë shpirtërore të trevave tona.

Më 6 maj, me bekimin e Mitropolitit Nikolla dhe të Mitropolitit të Beratit, Vlorës dhe Kaninës, Hirësisë së Tij Imzot Asti, u realizua një ekskursion me të moshuarit e Shtëpisë së të Moshuarve në Fier. Programi përfshiu një vizitë panoramike dhe kafe në Kaninë, një kalim të shkurtër në Orikum dhe drekë në Nartë.

Kjo ditë u realizua me kujdesin e Atë Kostandin Priftit, Atë Spiro Bulikës, Atë Nikolla Davidhit dhe priftëreshë Irena Davidhit, të cilët me përkushtim dhe dashuri krijuan një atmosferë gëzimi për të moshuarit.

Mitropolia falënderoi edhe drejtuesen dhe stafin e Shtëpisë së të Moshuarve për bashkëpunimin dhe punën e tyre të palodhur.

Brenda atmosferës paskale, gjatë muajit maj u zhvilluan edhe disa ekskursione shpirtërore me grupet e katekizmit të grave dhe fëmijëve. Më 1 maj, fëmijët e katekizmit nga Libofsha dhe Metaj vizituan Manastirin e Hirshëm të Zvërnecit dhe më pas kaluan kohë së bashku pranë bregdetit.

Më 1–2 maj, grupi i enorisë së Shën Gjergjit në Fier zhvilloi një pelegrinazh në disa manastire dhe kisha në Greqi, me destinacion kryesor Manastirin e Shën Nektarit në Egjina.

Më 9 maj, grupet e grave nga Pojani dhe Roskoveci vizituan Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Gjirokastër, Kishën e Shën Parashqevisë në Terihat dhe Kishën e Labovës së Kryqit, një nga thesaret më të çmuara të trashëgimisë sonë orthodhokse.

Më 18 maj, grupet e grave nga fshatrat Metaj, Ndërnënas dhe Agim vizituan Katedralen Orthodhokse “Lindja e Krishtit” në Shkodër dhe më pas kaluan kohë së bashku pranë liqenit të Shirokës.

Një moment i veçantë i muajit ishte kremtimi i Shërbesës së Shenjtë të Pagëzimit, më 21 maj, në të kremten e Ngjitjes së Zotit tonë Jisu Krisht në Qiej. Shërbesa u krye në Kishën e Shën Joan Pagëzorit në fshatin Metaj.

Pas një kohe të gjatë ndjekjeje të mësimeve të katekizmit, tri pjesëtare të grupit të grave morën misterin e Pagëzimit dhe Mirosjes. Ky moment shtoi gëzimin shpirtëror të së kremtes dhe të gjithë komunitetit.

Gjatë muajit u kremtuan edhe ditëlindjet e fëmijëve në qendrën “Horizont”, duke i dhënë veprimtarisë katekitike edhe një dimension më të ngrohtë komunitar.

Më 30 maj, në prag të Pentikostisë, në pothuajse të gjitha kishat e Mitropolisë u krye shërbesa e së Shtunës së Shpirtrave, me lutje për të fjeturit.

Më 31 maj, në të kremten e Pentikostisë, nisi projekti “Të rinjtë dhe fëmijët për një shoqëri dashurie, kujdesi dhe shërbimi”, në bashkëpunim me World Vision.

Ky projekt synon fuqizimin dhe formimin e të rinjve dhe fëmijëve si pjesë aktive e komunitetit. Ai i orienton ata drejt vlerave të dashurisë, kujdesit dhe shërbimit, në përputhje me mësimet e Kishës Orthodhokse.

Programi përqendrohet në edukimin shpirtëror dhe social të të rinjve, përmes katekizmit, veprimtarive ndërgjegjësuese dhe nismave konkrete në terren. Temat kryesore lidhen me mbrojtjen e mjedisit, ndërtimin e një shoqërie pa bullizëm dhe përkushtimin ndaj veprave bamirëse.

Takimi i parë u zhvillua me temën “Mbrojtja e mjedisit, përmbushja e Porosisë së Zotit”. Mitropoliti Nikolla, së bashku me katekistët dhe grupin e të rinjve, kaluan kohë cilësore pranë bregdetit të Semanit.

Pjesë e veçantë e kësaj veprimtarie ishte edhe pastrimi i një sipërfaqeje në pyllin e Semanit, si shenjë konkrete e përgjegjësisë për krijimin dhe mjedisin.

Mitropoliti Nikolla falënderoi të rinjtë për kontributin e tyre në jetën kishtare. Ai theksoi se kur të rinjtë rriten dhe përparojnë shpirtërisht, rritet edhe Kisha dhe forcohet i gjithë komuniteti.

Veprimtaritë e muajit maj treguan se katekizmi nuk është vetëm mësim teorik, por jetë kishtare, lutje, shërbim, miqësi, kujdes për tjetrin dhe përgjegjësi ndaj krijimit të Perëndisë.

Burimi: Mitropolia e Shenjtë e Apollonisë dhe Fierit.

Foto
Mitropolia e Shenjtë e Apollonisë dhe Fierit

Nëse vëreni një gabim, zgjidhni tekstin e nevojshëm dhe shtypni Ctrl+Enter ose Dërgo një gabim për ta raportuar tek redaktorët.
Nëse gjeni një gabim në tekst, zgjidhni atë me mousen dhe shtypni Ctrl+Enter ose këtë buton Nëse gjeni një gabim në tekst, theksoni atë me mousen dhe klikoni këtë buton Teksti i theksuar është shumë i gjatë!
Lexo gjithashtu