Liturgjia e Shën Triadhës u kremtua në Pepel
Në manastirin historik të Dropullit, Mitropoliti Nathanail kreu Liturgjinë Hyjnore dhe përshpirtje për etërit që shërbyen aty.
Në Manastirin e Hirshëm të Shën Triadhës në Pepel u kremtua Liturgjia Hyjnore, nën drejtimin e Mitropolitit të Gjirokastrës, Hirësisë së Tij Imzot Nathanailit.
Në shërbesë morën pjesë klerikë dhe besimtarë të shumtë, të cilët u mblodhën në këtë vend të shenjtë për të kremtuar me lutje dhe përkushtim.
Manastiri i Shën Triadhës përbën një qendër të rëndësishme shpirtërore të krahinës së Dropullit. Para periudhës së regjimit komunist, në të ka pasur vëllazëri murgërore, e cila i shërbeu me përkushtim manastirit dhe popullit të Perëndisë.
Në përfundim të Liturgjisë, Mitropoliti Nathanail kreu përshpirtje në kujtim të etërve që kanë jetuar, kanë shërbyer dhe janë prehur në këtë vend të shenjtë.
Ky manastir lidhet gjithashtu me kalimin dhe veprimtarinë predikuese të Shën Kozmait. Gjatë udhëtimeve të tij hierapostolike në këto treva, shenjtori predikoi fjalën e Ungjillit dhe la gjurmë të thella në jetën shpirtërore të banorëve.
Kremtimi u zhvillua në një atmosferë lutjeje dhe devocioni, duke sjellë gëzim, bekim dhe forcim shpirtëror për të gjithë të pranishmit.
Burimi: Mitropolia e Hirshme e Gjirokastrës
Foto
Mitropolia e Hirshme e Gjirokastrës