Mbrëmësorja e Shën Trinisë u kremtua në Pepel
Në Manastirin e Shën Trinisë në Dropull, Mitropoliti Nathanail kryesoi shërbesën përgatitore për të kremten e madhe.
Në Manastirin e Hirshëm të Shën Trinisë në Pepel të Dropullit u kremtua mbrëmjen e djeshme shërbesa e Mbrëmësores, në prag të së kremtes së madhe të Shën Trinisë.
Shërbesa u kryesua nga Mitropoliti i Gjirokastrës, Hirësia e Tij Imzot Nathanaili, me pjesëmarrjen e klerikëve dhe të shumë besimtarëve.
Në një atmosferë lutjeje dhe përgatitjeje shpirtërore, besimtarët morën pjesë me përkushtim në shërbesën e shenjtë, duke kërkuar ndriçimin dhe hirin e Shpirtit të Shenjtë.
Manastiri i Shën Trinisë në Pepel është një vend i lidhur me historinë dhe kujtesën shpirtërore të zonës. Për këtë arsye, kremtimi i kësaj të kremteje mblodhi besimtarë që ruajnë lidhje të veçantë me këtë vend të shenjtë.
Në përfundim të shërbesës, Mitropoliti Nathanaili u dha besimtarëve bekimin e tij atëror për një festë të bekuar, të mbushur me paqe, dashuri dhe bekimet e Perëndisë.
Burimi: Mitropolia e Hirshme e Gjirokastrës