Transferimi i lipsaneve të Shën Nikollës u kremtua në Shelcan
Në Kishën e Shën Nikollës në Shelcan, Liturgjia Hyjnore u kryesua nga Mitropoliti i Elbasanit, Hirësia e Tij Andoni.
Në Kishën e Shën Nikollës në Shelcan të Elbasanit u kremtua në dt 02 06 2026 festa e Transferimit të lipsaneve të Shën Nikollës, sipas kalendarit të vjetër.
Kremtimi mori një kuptim të veçantë për komunitetin, pasi kisha mban emrin e këtij shenjti të madh, një nga më të dashurit dhe më të nderuarit në mbarë botën orthodhokse.
Liturgjia Hyjnore u kryesua nga Mitropoliti i Elbasanit, Hirësia e Tij Imzot Andoni, në bashkëmeshim me klerikët e zonës së Shpatit: Atë Pali, Atë Jani, Atë Sotiri dhe Atë Petro.
Besimtarë të shumtë morën pjesë në shërbesë, duke nderuar kujtimin e Shën Nikollës dhe duke marrë bekimet e kësaj dite festive për kishën dhe komunitetin.
Gjatë shërbesës u këndua edhe tropari i Shën Nikollës, ku shenjti lavdërohet si “kanun i besës, ikonë e butësisë dhe mësues i përkorësisë”. Kisha e thërret atë të ndërmjetojë te Krishti Perëndi për shpëtimin e shpirtrave.
Shën Nikolla mbetet për besimtarët shembull i bariut të mirë, i përulësisë dhe i dashurisë konkrete për njerëzit. Për këtë arsye, kremtimi i tij nuk është vetëm kujtim historik, por thirrje për të jetuar besimin me butësi, drejtësi dhe mëshirë.
Në përfundim, besimtarët u larguan me gëzimin e kësaj feste dhe me lutjen që Shën Nikolla të ndërmjetojë për forcimin e jetës shpirtërore të familjeve dhe të gjithë komunitetit.
Burimi/Fotot: Mitropolia e Hirshme e Elbasanit.