Zbulimi i Perëndisë në zemrën njerëzore- Serafim Rouz!
KËRKIMI
Pse dikush studion fenë? Ka shumë arsye dytësore, por vetëm një arsye nëse dikush studion seriozisht: me një fjalë, e bën për të hyrë në kontakt me realitetin, për të gjetur një realitet më të thellë se ai i përditshmërisë, i cili ndryshon kaq shpejt, zbehet, nuk lë asgjë pas dhe nuk i ofron shpirtit njerëzor një lumturi që të zgjasë. Çdo fe që është e sinqertë përpiqet të sjellë njeriun në kontakt me këtë realitet. Sot do të doja të them disa fjalë mbi mënyrën se si Krishterimi Orthodhoks përpiqet ta bëjë këtë – të hapë realitetin shpirtëror për kërkuesin fetar.
Kërkimi i realitetit është një ndërmarrje e rrezikshme. Pa dyshim, të gjithë keni dëgjuar histori për mënyrën se si të rinj të kohës sonë “u dogjën” duke u përpjekur të gjenin realitetin, dhe ose vdiqën të rinj ose përfunduan si qenie të mjera, me aftësitë e tyre shpirtërore dhe mendore të copëtuara. Personalisht, kujtoj një mik nga koha e kërkimit tim, rreth 25 vjet më parë, kur Aldous Huxley sapo kishte zbuluar vlerën e supozuar “shpirtërore” të LSD-së dhe kishte ndikuar shumë njerëz ta ndiqnin. Ky i ri, një kërkues tipik i fesë që ndoshta do të ndiqte një cikël leksionesh si ky, më tha njëherë: “Çfarëdo që të mund të thuash për rreziqet e drogës, duhet të pranosh se gjithçka është më mirë se jeta e përditshme amerikane, e cila është shpirtërisht e vdekur.” Unë nuk rashë dakord, sepse edhe atëherë po filloja të shihja në mënyrë të zbehtë se jeta shpirtërore hap dy drejtime: mund ta çojë dikë më lart se kjo jetë e përditshme e shthurjes, por gjithashtu mund ta çojë më poshtë dhe të shkaktojë në kuptimin e drejtpërdrejtë një vdekje shpirtërore – si edhe fizike. Ai ndoqi rrugën e tij, dhe para se të mbushte 30 vjeç ishte një rrënojë njerëzore e plakur, me mendje të shkatërruar, që kishte braktisur çdo kërkim për realitetin.
Shembuj të ngjashëm mund të gjenden midis atyre që kërkojnë forma të ndryshme përvojash psikike, eksperimentojnë me gjendje jashtë trupit, kanë takime me UFO, e gjëra të ngjashme. (Përvoja e vetëvrasjes masive në Jonestown më 1980 mjafton për të na kujtuar rreziqet e brendshme të kërkimit fetar). Literatura jonë Orthodhokse gjatë 2000 viteve të fundit ka jo pak shembuj didaktikë të këtij lloji. Këtu do të përmend vetëm një, nga jeta e shën Nikitës së Shpellave të Kievit, i cili jetoi rreth 1000 vjet më parë në Rusi:
I nxitur nga zelli, Nikita kërkoi nga igumeni i tij bekim për t’u bërë eremit. Igumeni (atëherë ishte shën Nikoni) ia ndaloi, duke i thënë: “Biri im, nuk është e mirë për ty që je i ri të rrish në plogështi. Më mirë për ty është të jetosh me vëllezërit. Duke u shërbyer atyre, nuk do ta humbasësh shpërblimin tënd. Ti vetë e di se Isaaku u mashtrua nga demonët në shkretëtirë. Do të kishte vdekur po të mos e shpëtonte hiri i veçantë i Perëndisë, me anë të lutjeve të Etërve tanë të shenjtë Andonit dhe Theodosit.”
“Ati im,” u përgjigj Nikita, “nuk do të mashtrohem kurrë nga mashtrime të tilla, por dua të qëndroj i palëkundur përballë dredhive të demonëve dhe t’i kërkoj Perëndisë të më japë dhuntinë e mrekullibërjes, si Isaak asketit, i cili edhe tani kryen shumë mrekulli.”
“Dëshira jote,” tha përsëri igumeni, “është përtej forcave të tua. Ruaju, mos e lartëso veten dhe të biesh. Unë, në kundërshtim me planet e tua, të vendos si rregull t’u shërbesh vëllezërve, dhe do të marrësh kurorë nga Perëndia për bindjen tënde.”
Por Nikita, i tërhequr nga zelli i fortë për jetën eremitike, nuk pati as dëshirën më të vogël të dëgjonte fjalët e igumenit. Bëri atë që kishte vendosur në mendje. U bë eremit i mbyllur dhe lutej vazhdimisht pa dalë kurrë jashtë. Pas një kohe, ndërsa po lutej, dëgjoi një zë që lutej bashkë me të dhe ndjeu një aromë të jashtëzakonshme. I mashtruar nga kjo, tha me vete: “Nëse ky nuk do të ishte engjëll, nuk do të lutej me mua dhe nuk do të kishte aromën e Frymës së Shenjtë.” Nikita filloi të lutej me sinqeritet, duke thënë: “Zot, zbuloje Veten Tënde para meje që të mund të të shoh.”
Atëherë një zë i tha: “Nuk do të të shfaqem, sepse je i ri, që të mos lartësosh veten dhe të biesh.”
Eremiti u përgjigj me lot: “Zot, nuk do të mashtrohem, sepse igumeni më mësoi të mos i kushtoj vëmendje mashtrimeve demoniake, por do të bëj çfarëdo që të më urdhërosh.”
Atëherë, pasi fitoi pushtet mbi të, gjarpri vrasës i shpirtrave tha: “Është e pamundur për një njeri të më shohë ndërsa është ende në trup. Por ja, po dërgoj engjëllin tim të qëndrojë me ty. Bëj vullnetin e tij.”
Me këto fjalë, një demon me formë engjëlli iu shfaq eremitit. Nikita ra në këmbët e tij dhe e adhuroi sikur të ishte engjëll. Demoni i tha: “Që tani e tutje mos u lut, por lexo libra. Në këtë mënyrë do të lidhesh në mënyrë të qëndrueshme me Perëndinë dhe do të marrësh fuqinë për të dhënë mësime të dobishme atyre që vijnë tek ti; unë do të lutem pandërprerë te Krijuesi i gjithësisë për shpëtimin tënd.”
Eremiti i besoi këto fjalë dhe u mashtrua edhe më shumë. Ndaloi së luturi dhe merrej me lexim. E shihte demonin duke u lutur vazhdimisht dhe gëzohej, duke menduar se një engjëll lutej me të. Pastaj filloi të fliste shumë frymëzuar nga Shkrimet tek ata që vinin tek ai dhe të profetizonte si të mbyllurit e Palestinës.
Fama e tij u përhap mes njerëzve të botës dhe arriti deri në oborrin e princit të madh. Në të vërtetë nuk profetizonte, por u tregonte atyre që vinin tek ai ku ishin fshehur pasuritë e vjedhura, ose çfarë ndodhte në një vend të largët, duke marrë informacionin nga demoni që e mbikëqyrte. Kështu i tha princit të madh Izjasllav për vrasjen e princit Gleb të Novgorodit dhe e këshilloi të dërgonte të birin të merrte principatën dhe të qeveriste në vend të tij. Kjo mjaftoi që njerëzit e botës ta përshëndesnin të mbyllurin si profet. Është vënë re se njerëzit e botës, madje edhe murgj pa dhunti dalluese shpirtërore, pothuajse gjithmonë magjepsen nga mashtrues, sharlatanë, hipokritë dhe ata që janë në mashtrim shpirtëror, dhe i marrin për shenjtorë dhe shërbëtorë të vërtetë të Perëndisë.
Askush nuk mund të krahasohej me Nikitën në njohjen e Dhiatës së Vjetër. Por ai nuk mund ta duronte Dhiatën e Re, nuk përdorte kurrë fjalë nga Ungjijtë apo nga letrat e Apostujve dhe nuk lejonte asnjë nga vizitorët e tij të përmendte diçka nga Dhiata e Re. Nga kjo prirje e çuditshme në mësimin e tij, etërit e manastirit të shpellave të Kievit kuptuan se ishte mashtruar nga një demon. Në atë kohë kishte shumë murgj të shenjtë në manastir, të pajisur me dhunti shpirtërore dhe hir hyjnor. Me lutjet e tyre e dëbuan demonin nga Nikita. Nikita pushoi së pari atë. Etërit e nxorën nga vetmia e tij dhe i kërkuan t’u thoshte diçka nga Dhiata e Vjetër. Por ai u betua se nuk i kishte lexuar kurrë këto libra, të cilat më parë i dinte përmendësh. U zbulua se kishte harruar madje edhe si të lexonte, aq e madhe ishte ndikimi i mashtrimit satanik; dhe vetëm me shumë vështirësi mësoi sërish të lexonte. Me anë të lutjeve të etërve të shenjtë, erdhi në vete, njohu dhe rrëfeu mëkatin e tij, e qau me lot të hidhur dhe arriti një shkallë të lartë shenjtërie dhe dhuntinë e mrekullibërjes përmes një jete të përulur mes vëllezërve. Më pas shën Nikita u shugurua peshkop i Novgorodit.*
(Peshkop Ignati Brianchaninov, “Arena” – titulli i botimit në anglisht)
Kjo histori ngre një pyetje për ne sot. Si mundet një kërkues fetar të shmangë kurthet dhe mashtrimet që has në kërkimin e tij? Ka vetëm një përgjigje për këtë pyetje: Dikush duhet të jetë në kërkim fetar jo për hir të përvojave fetare, të cilat mund të mashtrojnë, por për hir të së vërtetës. Çdokush që studion fenë seriozisht përballet me këtë pyetje. Është në kuptimin e drejtpërdrejtë një çështje jete dhe vdekjeje.
Ndërsa besimi ynë Orthodhoks krahasohet me konfesionet e tjera perëndimore, shpesh quhet mistik. Besimi ynë është në kontakt me një realitet shpirtëror që prodhon rezultate që zakonisht quhen të mbinatyrshme – përtej çdo lloj logjike apo përvoje tokësore.
Nuk ka nevojë të kërkojë dikush në literaturën e lashtë për të gjetur shembuj, sepse jeta e një mrekullibërësi të kohëve tona është plot me elemente mistike. Kryepeshkopi Joan Maksimoviç, i cili vdiq vetëm 15 vjet më parë dhe jetoi pikërisht në këtë vend të Kalifornisë si Kryepeshkop i San Franciskos, është parë shumë herë duke rrezatuar dritë, duke u ngritur në ajër gjatë lutjes, ishte i tejdukshëm në njohje, kryente shërime mrekullibërëse... Megjithatë, asnjë nga këto nuk është i jashtëzakonshëm në vetvete; mund të imitohet lehtësisht nga mrekullibërës të rremë. Si e dimë se ai ishte në kontakt me të vërtetën?
vijon.....
ugo.al