Mendimet e mira dhe mendimet e këqija
Një mendim (logjismos) i mirë vlen sa një agripni shpirtërore shumëorëshe!
Fuqia e mendimit (logjismos 1) të mirë
— Gjerond, në Dhiatën e Vjetër, në Librin IV të Makabenjve, thuhet: “Mendimi i devotshëm nuk është çrrënjosës i pasioneve, por kundërshtar i tyre”. Çfarë do të thotë kjo?
— Shiko: pasionet janë të rrënjosura thellë brenda nesh, por mendimi i devotshëm, mendimi i mirë, na ndihmon që të mos bëhemi skllevër të tyre. Kur njeriu sjell vazhdimisht mendime të mira dhe stabilizohet në një gjendje të mirë shpirtërore, pasionet pushojnë së vepruari; atëherë është sikur të mos ekzistonin. Pra, mendimi i devotshëm nuk i çrrënjos pasionet, por i lufton ato dhe mund t’i mposhtë. Mendoj se autori përshkruan se çfarë mundën të duronin Shtatë Djemtë e Shenjtë, nëna e tyre, Shën Solomonia, dhe mësuesi i tyre, Shën Eleazari, duke pasur mendime të devotshme, pikërisht për të treguar fuqinë e mendimit të mirë.
Një mendim (logjismos) i mirë vlen sa një agripni shpirtërore shumëorëshe! Ka fuqi të madhe. Ashtu si sot disa armë të reja ndalojnë me rreze lazer raketën që në bazën e saj dhe e pengojnë të lëshohet, po kështu edhe mendimet e mira i paraprijnë dhe i gozhdojnë mendimet e këqija në “aeroportet” e djallit, prej nga nisen. Prandaj përpiquni, sa të mundeni, para se tundimi të arrijë t’ju mbjellë mendime të këqija, të mbillni ju mendime të mira, që zemra juaj të bëhet kopsht me lule dhe lutja juaj të shoqërohet nga aroma hyjnore e zemrës suaj.
Kur dikush mban qoftë edhe pak mendim të “majtë”, domethënë mendim të keq, për dikë, çfarëdo ushtrimi shpirtëror të bëjë — agjërim, pagjumësi, e të tjera — shkon dëm. Për çfarë do ta ndihmojë asketizmi, nëse nuk përpiqet njëkohësisht të mos i pranojë mendimet e këqija? Përse të mos e zbrazë më parë nga ena gjithë llumin e vajit, që vlen vetëm për sapun, dhe pastaj të hedhë vajin e mirë, por e përzien vajin e mirë me atë të pavlefshmin dhe e ndot?
Një mendim i pastër, i mirë, ka fuqi më të madhe se çdo ushtrim shpirtëror. Për shembull, një i ri luftohet nga djalli dhe ka mendime të papastra; ai bën pagjumësi, agjërime, tri ditë kreshmë, që të çlirohet prej tyre. Mirëpo një mendim i pastër që do të sjellë në mendje ka fuqi më të madhe edhe se pagjumësitë, edhe se agjërimet që bën, dhe e ndihmon më pozitivisht.
— Gjerond, kur thoni “mendim i pastër”, i referoheni vetëm çështjeve të veçanta apo edhe më gjerë?
— Edhe më gjerë. Sepse njeriu, kur i sheh të gjitha me mendime të mira, pastrohet dhe mbushet me hir nga Perëndia. Me mendimet e majta ai i gjykon dhe i padrejtëson të tjerët, pengon Hirin hyjnor të vijë, dhe pastaj vjen djalli e e mundon.
— Domethënë, Geronda, ngaqë gjykon, i jep të drejtë djallit ta mundojë?
— Po. Gjithë baza është mendimi i mirë. Kjo është ajo që e ngre njeriun lart dhe e ndryshon për mirë. Njeriu duhet të arrijë në pikën që t’i shohë të gjitha pastër. Është ajo që tha Krishti: “Mos gjykoni sipas pamjes së jashtme, por gjykoni me gjykim të drejtë”. Pastaj njeriu arrin në një gjendje ku i sheh të gjitha me sy shpirtërorë, jo me sy njerëzorë. Të gjitha i shpjegon me kuptimin e mirë.
Duhet të kemi kujdes që të mos pranojmë telegramet e liga të djallit, që të mos ndotim “Tempullin e Shpirtit të Shenjtë” dhe të mos largohet Hiri i Perëndisë, me pasojë të errësohemi. Shpirti i Shenjtë, kur e sheh zemrën tonë të pastër, vjen dhe banon brenda nesh, sepse e do pastërtinë; prandaj edhe u shfaq si pëllumb.
Sëmundja më e madhe: mendimet e majta
— Gjerond, shqetësohem kur kam për të rregulluar një problem dhe nuk mund të fle.
— Te ti problemi kryesor janë mendimet e shumta. Po të mos i kishe këto mendime të shumta, do të mund të jepje shumë më tepër si në shërbimin tënd, ashtu edhe në jetën tënde shpirtërore. Dëgjo një mënyrë për t’iu shmangur mendimeve të shumta: kur të të vijë në mendje diçka që, për shembull, duhet ta bësh nesër, t’i thuash mendimit tënd: “Kjo punë nuk është për sot; do ta mendoj nesër”. Gjithashtu, kur duhet të vendosësh për diçka, mos e mundo veten me mendimin për të gjetur më të mirën dhe të shtysh vazhdimisht. Zgjidh diçka dhe ec përpara. Pastaj lëre Perëndinë të kujdeset për më tej. Përpiqu t’i shmangesh hollësisë së tepruar, që të mos e trullosësh mendjen. Të bësh atë që mundesh me ndërgjegje dhe me fisnikëri shpirtërore, dhe të lëvizësh thjesht e me besim të madh te Perëndia. Ne, në njëfarë mënyre, e “detyrojmë” Perëndinë të na ndihmojë kur ia besojmë Atij të ardhmen dhe shpresat tona. Me mendime të shumta edhe një njeri i shëndetshëm bëhet i paaftë. Dikush që vuan dhe ka dhimbje është i justifikuar nëse mërzitet. Por ai që ka shëndetin e tij dhe trulloset e vuan nga mendimet e majta, ai është për t’u lidhur! Të jetë mirë e mirë dhe të mundohet nga mendimet e veta!
Në kohën tonë, sëmundja më e madhe janë mendimet e kota të njerëzve laikë. Njerëzit mund t’i kenë të gjitha, përveç mendimeve të mira. Mundohen, sepse nuk i përballojnë gjërat shpirtërisht. Për shembull, dikush niset të shkojë diku; makina e tij pëson një defekt të vogël dhe vonohet pak të arrijë në destinacion. Nëse ka mendim të mirë, do të thotë: “Duket se Perëndia i Mirë e solli këtë pengesë, sepse ndoshta do të pësoja ndonjë aksident po të mos kisha këtë vonesë. Si të të falënderoj, o Perëndia im, për këtë?”, dhe lavdëron Perëndinë. Ndërsa, nëse nuk ka mendim të mirë, nuk do ta përballojë shpirtërisht situatën; do të zemërohet me Perëndinë dhe do të shajë: “Ja, do të shkoja më herët, u vonova, çfarë fatkeqësie! Edhe ky Zoti…”.
Njeriu, kur e pranon atë që i ndodh me mendim të djathtë, ndihmohet. Ndërsa, kur punon “majtas”, mundohet, shkrihet, çmendet. Një herë, para shumë vitesh, hipëm në një kamion që kishte për ndenjëse disa dërrasa, për të ardhur nga Uranopoli në Selanik. Brenda ishte rrëmujë e madhe: valixhe, portokalle, peshq, arka të pista peshqish që i kthenin mbrapsht, fëmijë nga Athoniadha, disa ulur, disa në këmbë, murgj, laikë… Një laik erdhi dhe u ul pranë meje. Ishte edhe i shëndoshë dhe, ngaqë u ngjesh pak, filloi të bërtiste: “Ç’gjendje është kjo!...”. Pak më tutje ishte një murg, i gjori, i mbuluar gjer sipër me arka dhe vetëm kokën e kishte jashtë. Ndërkohë, ndërsa kamioni tundej — rruga ishte si rrugë qerresh, e prishur — arkat e grumbulluara binin dhe i mjeri përpiqej t’i shtynte majtas e djathtas me duar, që të mos e godisnin në kokë. Dhe tjetri bërtiste, sepse ishte ulur pak ngushtë. “A nuk e sheh, i thashë, se si është ai atje, dhe ti bërtet?”. E pyeta edhe murgun: “Si po ia kalon, atë?”. Dhe ai, duke buzëqeshur, më tha: “Më mirë se në ferr është këtu, Gjerond!”. Njëri mundohej, megjithëse ishte ulur, ndërsa tjetri gëzohej, ndonëse arkat gati po e mbulonin. Dhe kishim dy orë rrugë; nuk ishte afër. Mendja e laikut shkonte te rehatia që do të kishte po të udhëtonte me autobus dhe gati po pëlciste, ndërsa murgu mendonte për ngushticën që do të kishte po të gjendej në ferr dhe ndiente gëzim. Mendoi: “Për dy orë do të mbërrijmë dhe do të zbresim, ndërsa të gjorët në ferr vuajnë përjetësisht. Pastaj, atje nuk ka arka, njerëz, e të tjera, por është ferr. Lavdi Ty, o Perëndi, këtu jam më mirë”.
— Ku i detyrohet, Gjeronda, ndryshimi i besimit, për shembull, i dy murgjëve në ushtrim shpirtëror ndaj gjerondit të tyre?
— Mendimit. Njeriu mund të ketë mendim të prishur për çdo gjë dhe për këdo. Nëse njeriu nuk ka mendim të mirë dhe nuk e nxjerr veten jashtë veprimeve të tij — domethënë, nëse vepron me interes vetjak — nuk ndihmohet nga asnjë shenjtor. Jo vetëm po të ketë një gjerond të shenjtë apo një gjerondisa të shenjtë; jo vetëm po të kishte Shën Andonin për gjerond (udhëheqës shpirtëror me eksperiencë) shpirtëror, por edhe të gjithë shenjtorët, nuk mund të ndihmohet. As vetë Perëndia nuk mund ta ndihmojë një njeri të tillë, megjithëse dëshiron shumë. Kur dikush e do veten, domethënë ka dashuri të sëmurë për veten, të gjitha i shpjegon ashtu siç i pëlqen vetes së tij. Dhe sheh se disa i shpjegojnë gjërat në mënyrë mëkatare, disa ashtu si u sjell qetësi vetjake, dhe dalëngadalë këto shpjegime të paarsyeshme u bëhen të natyrshme. Sido që të sillesh, ata skandalizohen.
Ka disa që, nëse u kushton pak vëmendje, nëse u thua një fjalë të mirë, fluturojnë nga gëzimi. Nëse nuk u kushton vëmendje, trishtohen shumë, kalojnë në skaje, të cilat janë të tundimit. Për shembull, shohin një lëvizje dhe thonë: “Ah! Kështu do të ketë ndodhur”, dhe pastaj përfundojnë të sigurt se kështu ka ndodhur. Ose shohin tjetrin serioz dhe mendojnë se ka diçka me ta, ndërsa tjetri mund të jetë serioz sepse e shqetëson diçka. Para disa ditësh erdhi edhe tek unë dikush dhe më tha: “Pse më parë më fliste filani dhe tani nuk më flet? I kisha bërë një vërejtje; mos vallë për këtë?”. “Shiko, i thashë, mund të të ketë parë dhe të mos të ketë vënë re, ose mund të ketë pasur ndonjë të sëmurë dhe e kishte mendjen të kërkonte mjek, ose të gjente valutë për të shkuar jashtë vendit, e të tjera”. Dhe vërtet tjetri kishte një njeri të sëmurë, kishte një mori shqetësimesh, ndërsa ky kishte pretendimin që ai të ndalej e t’i fliste dhe vendoste në mendje një mori mendimesh.
Shën Paisi Agjioriti, “Fjalë”, vëll. III, “Lufta shpirtërore”, fq. 12–15.
1: Fjala “logjismos” në gjuhën asketike tregon ose një mendim të thjeshtë që kalon në mendje, ose një lëvizje të shpirtit drejt së mirës apo drejt së keqes, ose një prirje të mirë apo të keqe, e cila është fituar me bashkëpunimin e mendjes, ndërgjegjes, ndjenjës dhe vullnetit. Meqenëse mendimet i paraprijnë çdo veprimi, prandaj lufta e çdo besimtari, por sidomos e murgut, që të jetë e drejtë, duhet të drejtohet para së gjithash te shqyrtimi i mendimeve, në mënyrë që të kultivohen mendimet e mira dhe të largohen të këqijat.
UGO