Lutja e Shën Efrem Sirianit

2826
13:19
4
Shën Efrem Sirianit. Burimi: orthodhoksiaebashkuar Shën Efrem Sirianit. Burimi: orthodhoksiaebashkuar

Alexanter Shcmemann- Kreshma e madhe- Rrugëtim drejt Pashkës

Ndërmjet të gjitha lutjeve dhe himneve të Kreshmës së Madhe, një lutje e shkurtër mund të quhet lutja e Kreshmës së Madhe. Tradita ia atribuon atë njërit prej mësuesve më të mëdhenj të jetës shpirtërore, Shën Efrem Sirianit. Ja teksti i lutjes:

Zot dhe Mjeshtër i jetës sime, mos më jep frymë përtese, kureshtjeje, lavdidashjeje dhe kotësie.
Po falmë frymë urtësie, përulësie, durimi dhe dashurie.
Vlerësomë, o Zot dhe Mbret, t’i shikoj fajet e mia dhe të mos gjykoj tim-vëlla.
Se i bekuar je në jetë të jetëve. Amin.

Kjo lutje thuhet dy herë në fund të çdo shërbese të Kreshmës së Madhe, nga e Hëna deri të Premten. Nuk e themi të Shtunën dhe të Dielën, siç do ta shohim edhe më poshtë, sepse shërbesat e këtyre dy ditëve nuk kanë tipikonë e Kreshmës. Herën e parë, duke thënë lutjen, bëjmë një metani në çdo kërkesë. Më pas bëjmë dymbëdhjetë metani, duke thënë: “Ki mëshirë për mua mëkatarin”. E gjithë lutja përsëritet me një metani të fundit në fund të saj.

Pse kjo lutje e shkurtër dhe e thjeshtë zë një vend kaq të rëndësishëm në gjithë adhurimin e Kreshmës së Madhe? Sepse numëron, në një mënyrë të veçantë, të gjitha elementet negative dhe pozitive të pendimit dhe përbën, mund të themi, një “rregull kontrolli” të përpjekjes sonë personale gjatë periudhës së Kreshmës së Madhe. Kjo përpjekje synon para së gjithash në çlirimin tonë nga disa sëmundje themelore shpirtërore, të cilat formësojnë jetën tonë dhe na bëjnë vërtet të pafuqishëm madje edhe për të bërë fillimin e kthimit drejt Perëndisë.

Sëmundja themelore është përtesa. Është ajo përtaci e çuditshme dhe pasiviteti i tërë qenies sonë, që gjithmonë na shtyn më tepër drejt “poshtë” sesa drejt “lart” dhe që vazhdimisht na bind se nuk është e mundur të ndryshojmë dhe, rrjedhimisht, nuk ka nevojë ta dëshirojmë ndryshimin. Është një cinizëm i rrënjosur thellë, i cili ndaj çdo sfide shpirtërore përgjigjet me “pse?” dhe e katandis jetën tonë një kalbëzim të pafund shpirtëror. Kjo është rrënja e gjithë mëkatit, sepse helmon çdo aktivitet shpirtëror në burimin e saj më të thellë.

Pasojë e “përtesës” është ligështimi, dekurajimi. Është një gjendje frike shpirtërore, të cilën të gjithë Etërit e Kishës e konsideruan si rrezikun më të madh të shpirtit. Ligështimi, dekurajimi, është paaftësia e njeriut për të parë çdo gjë të mirë apo pozitive. Është shndërrimi i gjithçkaje në negativizëm dhe pesimizëm. Është vërtet një forcë djallëzore brenda nesh, sepse Satanai është në thelb një gënjeshtar. Ai i pëshpërit njeriut gënjeshtra për Perëndinë dhe për botën; e mbush jetën me errësirë dhe negativizëm. Ligështimi është vetëvrasja e shpirtit, sepse kur njeriu pushtohet prej saj, është krejtësisht i paaftë ta shohë dritën dhe ta dëshirojë atë.

Frymë lavdidashjeje! Duket e çuditshme se si përtesa dhe ligështimi janë pikërisht ato që e mbushin jetën tonë me dëshirën për lavdidashje. Duke helmuar të gjithë qëndrimin tonë ndaj jetës, duke e bërë atë bosh dhe pa kuptim, na shtyjnë të kërkojmë një kundërpeshë në një qëndrim rrënjësisht të gabuar ndaj personave të tjerë. Nëse jeta ime nuk është e orientuar drejt Perëndisë, nëse nuk synon vlera të përjetshme, në mënyrë të pashmangshme ajo do të bëhet egoiste dhe egocentrike, gjë që do të thotë se të gjithë të tjerët bëhen mjete për vetëkënaqësinë time. Nëse Perëndia nuk është “Zoti dhe Mjeshtri i jetës sime”, atëherë Uni im bëhet zot dhe mjeshtër i imi, bëhet qendra absolute e botës sime dhe filloj të vlerësoj gjithçka mbi bazën e nevojave të mia, ideve të mia, dëshirave të mia dhe gjykimeve të mia. Kështu dëshira për lavdidashje bëhet mëkati im themelor në marrëdhëniet me qeniet e tjera, bëhet një kërkim për nënshtrimin e tyre ndaj meje. Nuk është gjithmonë e domosdoshme që lavdidashja ime të shprehet si nevojë e fortë për të urdhëruar dhe për të sunduar “të tjerët”. Mund të shprehet gjithashtu edhe si indiferencë, përçmim, mungesë interesi, kujdesi dhe respekti. Dhe është pikërisht “përtesa”, bashkë me “ligështimin”, që kësaj here drejtohen ndaj të tjerëve. Kështu vetëvrasja shpirtërore plotësohet me vrasjen shpirtërore.

Së fundi është kotësia. Nga të gjitha krijesat në përgjithësi, vetëm njeriu u pajis me dhuratën e fjalës. Të gjithë Etërit shohin në këtë dhuratë “vulën” e saktë të ikonës hyjnore tek njeriu, sepse vetë Perëndia u zbulua si Fjalë (Gjon. 1,1). Por, duke qenë fjala dhurata më e lartë, ajo është edhe rreziku më i fuqishëm. Ashtu siç përbën shprehjen sunduese të njeriut, mjetin për përmbushjen e tij personale, po për të njëjtën arsye është edhe mjeti i rënies së tij, i vetëshkatërrimit të tij, i tradhtisë dhe i mëkatit. Fjala shpëton dhe fjala vret, fjala frymëzon dhe fjala helmon. Fjala është mjeti i së Vërtetës, por është edhe mjet për gënjeshtrën djallëzore. Duke pasur një fuqi në thelb pozitive, fjala ka njëkohësisht edhe një fuqi tmerrësisht negative. Fjala, domethënë, krijon pozitivisht ose negativisht. Kur shkëputet nga prejardhja e saj hyjnore dhe qëllimi i saj hyjnor, bëhet kotësi. Ajo e forcon përtesën, ligështimin dhe lavdidashjen dhe e shndërron jetën në ferr. Bëhet forca mbizotëruese e mëkatit.

Këto katër pika janë “synimet” negative të pendimit. Janë pengesat që duhet të hiqen. Por vetëm Perëndia mund t’i heqë ato. Pikërisht për këtë arsye pjesa e parë e kësaj lutjeje është një britmë nga thellësitë e zemrës së njeriut të pafuqishëm. Më pas lutja kalon te synimet pozitive të pendimit, të cilat përsëri janë katër.

Urtësi! Nëse nuk e kufizojmë — gjë që shpesh dhe shumë gabimisht bëhet — kuptimin e fjalës “urtësi” vetëm në domethënien e saj trupore, ajo mund të kuptohej si e kundërta pozitive e fjalës “përtesë”. “Përtesa”, para së gjithash, është plogështia, thyerja e mprehtësisë së të parit dhe e veprimtarisë sonë, paaftësia për të parë gjithçka në mënyrë të plotë dhe të gjithanshme. Prandaj kjo tërësi është krejt e kundërta e plogështisë. Nëse jemi mësuar që me fjalën urtësi të kuptojmë virtytin e kundërt me prishjen trupore, kjo është sepse karakteri ynë i përçarë nuk shfaqet askund më mirë sesa në dëshirën trupore, e cila është tjetërsimi i trupit nga jeta dhe kontrolli i shpirtit. Krishti e rikthen “tërësinë” (urtësinë) brenda nesh dhe e bën këtë duke rivendosur shkallën e vërtetë të vlerave, duke na udhëhequr përsëri te Perëndia.

Fruti i parë dhe i mrekullueshëm i urtësisë është përulësia. Kemi folur tashmë për të. Mbi të gjitha, ajo është fitorja e së vërtetës brenda nesh, largimi i gënjeshtrës brenda së cilës zakonisht jetojmë. Vetëm përulësia është e denjë për të vërtetën; vetëm me të, domethënë, mundet dikush t’i shohë dhe t’i pranojë gjërat ashtu siç janë dhe kështu të shohë Zotin, madhështinë e Tij, mirësinë e Tij dhe dashurinë e Tij në çdo gjë. Ja përse, siç e dimë, Perëndia “krenarëve u kundërvihet, por të përulurve u jep hirin”.

Pas urtësisë dhe përulësisë, në mënyrë të natyrshme, vjen durimi. Njeriu “natyror” ose “i rënë” është i paduruar, sepse është i verbër ndaj vetvetes dhe i nxituar për të gjykuar dhe dënuar të tjerët. Me njohjen e tij të copëzuar, të papërsosur dhe të shtrembëruar të gjërave, ai mat gjithçka sipas parapëlqimeve dhe ideve të veta. Është indiferent ndaj kujtdo rreth tij, përveç vetvetes; ai do që jeta e tij të jetë e suksesshme tani, në këtë çast. Durimi, natyrisht, është një virtyt vërtet hyjnor. Perëndia është i duruar jo sepse është “i butë”, por sepse sheh thellësinë e të gjitha gjërave, sepse realiteti i tyre i brendshëm, të cilin ne me verbërinë tonë nuk mund ta shohim, është i hapur për Të. Sa më afër i afrohemi Perëndisë, aq më të durueshëm bëhemi dhe aq më shumë pasqyrojmë këtë vlerësim të pafund për të gjitha qeniet, gjë që është vetia kryesore e Perëndisë.

Së fundi, kulmi dhe fryti i të gjitha virtyteve, i çdo kultivimi dhe i çdo përpjekjeje, është dashuria. Kjo dashuri, që siç kemi thënë, mund të jepet vetëm nga Perëndia, është dhurata që përbën qëllimin e çdo përgatitjeje dhe ushtrimi shpirtëror.

Të gjitha këto përmblidhen në kërkesën përfundimtare të lutjes së Shën Efremit, me të cilën kërkojmë: “...vlerësomë, o Zot dhe Mbret, t’i shikoj fajet e mia dhe të mos gjykoj tim-vëlla...”. Këtu, në fund, nuk ka veçse një rrezik: krenaria. Krenaria është burimi i së keqes dhe e gjithë e keqja është krenaria. Megjithatë, nuk mjafton për mua të shoh “fajet e mia”, sepse edhe ky virtyt i dukshëm mund të shndërrohet në krenari. Tekstet etërore janë të mbushura me paralajmërime për formën e fshehtë të pseudo-besimtarisë, e cila, në të vërtetë, nën petkun e përulësisë dhe të vetëqortimit, mund të çojë në një krenari vërtet djallëzore. Por kur i shohim gabimet tona dhe nuk i gjykojmë vëllezërit tanë, kur, me fjalë të tjera, urtësia, përulësia, durimi dhe dashuria bëhen një në ne, atëherë dhe vetëm atëherë armiku i përjetshëm — krenaria — do të zhduket brenda nesh.

Pas çdo kërkese në këtë lutje bëjmë një metani (gjunjëzim). Metanitë nuk kufizohen vetëm te lutja e Shën Efremit, por përbëjnë një nga karakteristikat e veçanta të gjithë adhurimit të Kreshmës së Madhe. Këtu, megjithatë, kuptimi i tyre zbulohet më shumë se kudo tjetër.

Në përpjekjen e vazhdueshme dhe të vështirë të shërimit shpirtëror, Kisha nuk e ndan shpirtin nga trupi. I gjithë njeriu u largua nga Perëndia; i gjithë njeriu duhet të ngrihet përsëri, i gjithë njeriu duhet të kthehet. Shkatërrimi i mëkatit ekziston kur mishi — kafshërorja, e paarsyeshmja, dëshira trupore brenda nesh — fiton mbi atë që është shpirtërore dhe hyjnore. Por trupi është i lavdëruar, trupi është i shenjtë, aq i shenjtë sa vetë Perëndia “u bë mish”. Si rrjedhim shpëtimi dhe pendimi nuk janë përçmim i trupit, as neglizhencë ndaj tij, por rivendosje e trupit në funksionimin e tij të vërtetë, që është shprehja dhe jeta e shpirtit, tempulli i shpirtit njerëzor të paçmuar. Asketizmi i krishterë është luftë jo kundër, por për trupin. Prandaj i gjithë njeriu — shpirt dhe trup — pendohet. Trupi merr pjesë në lutjen e shpirtit, ndërsa ky lutet brenda trupit dhe përmes trupit. Kështu gjunjëzimet, këto shenja “psikosomatike” të pendimit, të përulësisë, të adhurimit dhe të bindjes, janë një rit i veçantë i Kreshmës së Madhe.

 

Alexanter Shcmemann- Kreshma e madhe- Rrugëtim drejt Pashkës- Botimet Akritas

Fq 30-34

Përktheu, Përgatiti

Dr. Themistokli Bambulla

 

Nëse vëreni një gabim, zgjidhni tekstin e nevojshëm dhe shtypni Ctrl+Enter ose Dërgo një gabim për ta raportuar tek redaktorët.
Nëse gjeni një gabim në tekst, zgjidhni atë me mousen dhe shtypni Ctrl+Enter ose këtë buton Nëse gjeni një gabim në tekst, theksoni atë me mousen dhe klikoni këtë buton Teksti i theksuar është shumë i gjatë!
Lexo gjithashtu