E diel, 5 prill 2026 - Shenjtori i ditës

2824
05 Prill 21:10
E diel, 5 prill 2026 - Shenjtori i ditës

Dëshmorët Klaudi, Diodori, Viktori, Viktorini, Papi, Serapioni, Niqifori. Dëshmorët Theodhora dhe Didimi. Oshënare Theodhora e Selanikut dhe e bija, Theopisti. Dëshmor Thermi

E Diela e Dafinave
- HYRJA E KRISHTIT NË JERUSALEM -
Në këtë ditë kremtojmë hyrjen panigjirike të Zotit Jisu Krisht në Jerusalem. Gjatë ardhjes në Jerusalem, Krishti dërgoi dy nga nxënësit e Tij që të merrnin një pulisht dhe hipur mbi të hyri në qytet.
Sapo dëgjoi populli se po vjen Krishti menjëherë morën dega palmash në duar dhe dolën për ta pritur. Edhe disa shtruan rrobat e tyre në vendin që Jisui do të kalonte. Edhe të gjithë bashkë, të vegjël e të mëdhenj, thërrisnin: “Hosana, i bekuar është Ai që vjen në emrin e Zotit, mbreti i Izraelit”.
Krishti rivjen në Jerusalem për të përmbushur Ligjin. Krishti nuk i jep rëndësi të veçantë hyrjes panigjirike, por ardhjes në kryq edhe në ngjallje.
Hyrja e Krishtit në Jerusalem është një hyrje martirike për në jetën pa mbarim drejt Perëndisë. Edhe për pak ditë do të martirizohet dhe do të vdesë në kryq, për të mposhtur vdekjen dhe për të dhuruar jetën me ngjalljen e Tij.
* * * * *
- DËSHMORËT KLAUDI, DIODORI, VIKTORI, VIKTORINI, PAPI, SERAPIONI E NIQIFORI -
Këta shtatë martirë u arrestuan në Korinth gjatë përndjekjes që shpalli Deci (249-251), dhe u çuan para Tertit, prokonsullit të Peloponezit. I rrahën me kamxhik dhe i dhunuan me lloj-lloj torturash. Të shtatë martirët fituan kurorat e tyre të fitores.
* * * * *
- OSHËNARE THEODHORA E SELANIKUT DHE E BIJA, THEOPISTI -
Oshënare Theodhora lindi rreth vitit 812, në ishullin e Egjinës. Nëna i vdiq pak pas lindjes së saj dhe i ati, që ishte prift, ia besoi fëmijën kumbarës për ta edukuar dhe pastaj u bë murg. Ajo u rrit në dijen dhe në frikën e Perëndisë dhe e fejuan që në fëmijëri me një nga mëtuesit më të mirë të ishullit. Pas vrasjes nga piratët saraçenë të njërit prej vëllezërve, u detyrua të strehohej në Selanik me të gjithë familjen. Kur arriti në moshën e duhur, u kremtua martesa dhe lindi një vajzë, pastaj edhe dy fëmijë të tjerë, që fatkeqësisht vdiqën në moshë të njomë. Theodhora nuk i la vend dëshpërimit, por e ngushëlloi të shoqin dhe i propozoi t’ia kushtonin Perëndisë vajzën e tyre gjashtëvjeçare, në manastirin e Shën Llukait.

Pas vdekjes së të shoqit, edhe ajo braktisi botën dhe u pranua në manastirin e Shën Stefanit, që drejtohej nga një e afërme, Ana, e cila kishte vuajtur për të mbrojtur ikonat e shenjta. Duke pasur frikë se mos vejusha e re do të ndryshonte mendje dhe do të kthehej në botë qysh në sprovat e para, në fillim Ana ngurroi. Më vonë u dorëzua para lutjeve të Theodhorës dhe e pranoi në mes të motrave të manastirit, por e vuri në shumë prova, për t’u siguruar për qëndrueshmërinë e saj. Theodhora tregonte zell të madh për të fituar të gjitha virtytet dhe shquhej në veçanti për bindjen e saj të plotë dhe pa paparagjykim, si ndaj igumenes ashtu edhe ndaj motrave të tjera.

Ajo u shërbente me përulësi edhe në punët më të përulura. Me anë të rrëfimit të menjëhershëm largonte të gjitha mendimet që i sugjeronin të kthehej në botë dhe, duke medituar për mundimet e ferrit, e shikonte veten si më të padobishmen e komunitetit. Pas fjetjes së igumenes, që e kishte pranuar, vajza e saj u fut në manastirin ku ndodhej e ëma dhe ndanin të njëjtën qeli. Djalli e shfrytëzoi këtë rast për të ngjallur përsëri në shpirtin e Theodhorës ndjenjat e dashurisë amësore.

Igumenia Ana e kuptoi se ky ishte një tundim i fortë, që mund t’i bënte të dyja të largoheshin nga qëllimi i tyre i shenjtë. Një ditë e kapi në befasi Theodhorën duke rregulluar rrobat e së bijës dhe e pyeti me ton të ashpër: “Theodhora, çfarë është kjo vajzë e re për ty?”. Dhe duke u rikujtuar fjalët e Zotit, që thotë: “Kush e do të atin ose nënën e tij, birin ose bijën e tij më shumë se mua, nuk është i denjë për mua!” (Matth. 10:37), ajo ua ndaloi çdo lloj komunikimi dhe madje u dha urdhër as të mos i flisnin njëra-tjetrës. Për pesëmbëdhjetë vjet nëna dhe vajza e ruajtën me shumë korrektësi këtë rregull, ndërkohë që vazhdonin të kishin të njëjtën qeli, të punonin dhe të hanin së bashku. Theodhora u sëmur rëndë dhe igumenia, me kërkesën e motrave të tjera, e lejoi të fliste me të bijën. Murgeshat panë me habi se ato nuk provonin asgjë tokësore sipas afërsisë së gjakut, por e shikonin njëra-tjetrën si motra në Krishtin, pa pasion, njësoj siç i shikonin edhe motrat e tjera të vëllazërisë.

Kur Theodhora ishte pesëdhjetë e gjashtë vjeçe, e bija, Theopisti, u caktua nga episkopi i Selanikut për të zëvendësuar Anën, që ishte shumë e moshuar dhe e paaftë mendërisht. Theodhora u bë bija shpirtërore e së bijës dhe tregonte të njëjtën bindje si më parë, duke kryer pa u ankuar shërbimin ndaj igumenes së sëmurë dhe zemërake. Kur ishte 75 vjeçe, Theodhora u lirua nga çdo punë, por pavarësisht kësaj, vazhdoi t’u shërbente motrave, duke mbajtur ujë fshehtazi nën mantelin e saj ose duke thurur litarë me fijet e lirit të hedhura si të padobishme nga murgeshat e tjera. Vepronte në këtë mënyrë, sepse sillte ndër mend me frikë fjalët e apostullit që thotë: “Nëse dikush nuk do që të punojë, as të mos hajë” (2 Thes. 3:10).

Kur fjeti në paqe, më 892, në praninë e tërë komunitetit të motrave, fytyra e saj e plakur dhe e rrudhosur u ndriçua papritur nga shkëlqimi i rinisë, ndërsa një aromë qiellore u përhap në qeli. Pak kohë më vonë, vaji i kandilit që ishte varur mbi varrin e saj, nisi të derdhej me bollëk, dhe kryheshin mrekulli tek ata që lyheshin me besim. Ikona e shenjtores buroi miro me aromë të mrekullueshme, prandaj shën Theodhora, njësoj si shën Dhimitri, mori epitetin Mirovlite. Sipas disa të tjerëve, Theodhora u bë igumene pas Anës dhe Theopisti, që ishte motra dhe jo e bija, e pasoi në këtë detyrë.

Kur u pushtua Selaniku (1430), turqit thyen sarkofagun e vyer dhe e copëtuan lipsanin e shenjtë, që ishte i paprishur.
Por të krishterët arritën t’i mblidhni copat dhe lipsani i saj vazhdon të nderohet edhe sot në manastirin, që ka marrë emrin e shën Theodhorës. Për shën Theodhorën thuhet se (nëse nuk bëhet fjalë për ndonjë tjetër shenjtore me të njëjtin emër) kur e hapën varrin e saj për të vendosur aty trupin e igumenes, që fjeti pak kohë pas saj, trupi i nxënëses, duke iu bindur edhe pas vdekjes, u tërhoq vetë në një qoshe, për t’i lëshuar vendin.
* * * * *
- DËSHMORËT THEODHORA DHE DIDIMI -
Në kohën e persekutimeve të Dioklecianit dhe Maksimianit (289-305) ndaluan në Aleksandri një virgjëreshë të përkushtuar te Perëndia, Theodhorën. Kishte rrëfyer me kurajë Krishtin përpara guvernatorit dhe kështu e kishin futur në një shtëpi prostitucioni.Burri i parë që shkoi për të abuzuar me të ishte një ushtarak me emrin Didim. Nga pastërtia rrezatuese e vajzës, ai u kthye nga qëllimet e tij të këqija dhe e veshi vajzën me rrobat ushtarake, i dha edhe armët e tij që të mund të dilte prej andej e gjallë dhe pa u prekur. Kur kjo gjë u zbulua, e morën Didimin dhe e çuan para qeveritarit.

Kur i kërkuan arsyen e asaj që kishte bërë, ai u përgjigj qetësisht se priste një kurorë të dyfishtë: nga njëra anë se kishte çliruar nusen e Krishtit nga njerëzit e shthurur, dhe nga ana tjetër se priste martirizimin e tij. Ia prenë kokën dhe trupin ia dogjën në zjarr. Edhe shën Theodhora mori kurorën e martires duke e djegur të gjallë.

 

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

Nëse vëreni një gabim, zgjidhni tekstin e nevojshëm dhe shtypni Ctrl+Enter ose Dërgo një gabim për ta raportuar tek redaktorët.
Nëse gjeni një gabim në tekst, zgjidhni atë me mousen dhe shtypni Ctrl+Enter ose këtë buton Nëse gjeni një gabim në tekst, theksoni atë me mousen dhe klikoni këtë buton Teksti i theksuar është shumë i gjatë!
Lexo gjithashtu