Java e Madhe 2026
Vëllezër dhe motra më Krishtin
Ja ku hapet skena e pësimeve. Krishti po shkon drejt rrugës së Kryqit dhe të shpëtimit tonë. Edhe ne duke pastruar mendjet tona, le të renditemi pranë Tij, le të kryqëzohemi me të, të shuajmë nëpërmjet Tij epshet trupore që të jetojmë me Atë.
Kisha na thërret sidomos gjatë Javës së Madhe që të vrapojmë me zell të shenjtë në Tempullin e Zotit. Duke ndjekur këto shërbesa na jepet mundësia që të kalojmë nga ankthi dhe lodhja e çdo dite në përulësinë shpirtërore.
Përjetimi i pësimeve të Krishtit nuk qashtëron vetëm ashpërsinë e shpirtit tonë dhe as nuk shpëton thjesht nga pasionet e ndryshme, ashtu siç shpesh herë mjaftohemi të qetësojmë dhe të kënaqim nevojat tona psiqike dhe shpirtërore. Pësimi i Krishtit mbi të gjitha hap sytë e shpirtit tonë dhe i thërret ata që të shohin humnerën në të cilën kanë rënë, të masin kaosin dhe peshën e rënies dhe të fajit të njeriut e më pas të mendojnë se sa shtrenjtë është shpaguar shpëtimi ynë dhe sa i madh në mëshirë dhe në dashuri është shpëtimtari ynë.
Pësimi, na zbulon madhështinë e hirit që derdhet dorëlëshuar në Misterin e shpëtimit të njeriut nga Zoti Triadik. Ky zbulim realizohet në personin e Perëndinjeriut, përbën për njeriun ngjarjen e fundit historike, e cila si një epilog tragjik, si një purifikim në dramën e rënies së njeriut të vdekshëm, i jep fund në mënyrë triumfale, ankthit dhe vdekjes së njeriut.
Në Mëngjesoren e të Mërkurës së Madhe dëgjojmë krijimin e Murgeshës Kasiani. Ky himn përbën në vetvete dhe shpreh ndjenjat e përulësisë që pushton zemrat tona duke ndjekur Pësimin e Krishtit.
Himni i Kasianisë
“O Zot, gruaja që ra në shumë mëkate, duke marrë vesh hyjninë
tënde, mori urdhër miroprurseje, e duke vajtuar të sjell miro para
varrimit, duke thënë: E mjera unë, se tek unë ka natë, nxitje për
shthurje, dhe dashuri mëkati të errët e të pahënë. Priti burimet e
lotëve të mi, Ti që shpie ndër retë ujin e detit; jepu ndër
psherëtimat e zemrës sime, Ti që dhe qiejt me mëshirën tënde të
patreguar. Do t'i puth dhe pastaj do t'i fshij me gërshetat e kokës
sime këmbët e tua të kulluara, trokëllimën e të cilave kur e dëgjoi
Eva në parajsë në mbrëmje t'i oshëtijë në veshë, nga frika u fsheh.
Shumicat e mëkateve të mia dhe avushat e gjykimeve të tua kush
do t'i gjurmësojë, o shpirtshpërblyes Shpëtimtari im? Mos më
hidh tej mua shërbëtoren tënde, Ti që ke mëshirë të pamatur.”
Dhe pason e Enjtja e Madhe.
Për herë të parë në historinë e jetës publike të Jesuit, goja e Tij u mbyll plotësisht.
Krishti që po gjykohet, Krishti që po hetohet dhe bëhet objekt kurthesh dhe temë konfliktesh. Po përballon cekëtinën e fjalës. Fjala qashtërohet që të ndotë Krishtin me gënjeshtrën dhe kontradiktat.
Tre vjet Krishti ndau bukën e Fjalës te njeriu. Ngopi popullin e uritur me të vërtetën e Tij dhe shoi etjen e tij me freskinë e Shpirtit të Shenjtë. Në këtë çast të Pësimit, Krishti nuk dëshiron të flasë, siç lexojmë në Ungjill.
Heshtja e Krishtit është apologjia më e mirë që mund t’iu jepej kryepriftërinjve dhe Pilatit. Pse Krishti hyri në misterin e heshtjes së Tij? Shumë shpjegime janë dhënë mbi heshtjen e Krishtit gjatë Pësimit.
Krishti ishte vetë Fjala e Zotit. E Vërteta e Plotë ndodhet para Udhëheqjes! Këtë të Vërtetë e shohin Kryepriftërinjtë dhe Pilati. Po e hetojnë! Po investigojnë! Por nuk munden Ta ndiejnë as Ta jetojnë! Prandaj Jesui nuk flet sepse fjala i përket kohës ndërsa heshtja përjetësisë.
Në luftë ushtria ka trumbeta që të lajmërojë sulmin. Në Pësim Jesui menaxhon rrugën e heshtjes, që të lajmërojë të vërtetën e Dashurisë së Tij! Pësimi është Dashuri! Dashuria nuk ka nevojë për fjalë! Heshtja është frymëmarrja e Ëngjëjve por heshtja e Krishtit nuk përbën mungesë së fjalës.
O Zot, nuk fole para udhëheqësve jo sepse nuk kishe mundësinë e të folurit por sepse e gjithë Fjala në ato çaste ishte një Madhështi e Heshtur! Me këtë Fjalë të heshtur, o Zot, eja që të thyhen kufijtë e logjikës sonë, të vulosen buzët tona me heshtjen plot fjalë të së vërtetës së Fjalës Tënde!
O i Kryqëzuari i Madh, kur në Golgotha dielli dhe shikimi Yt i ndritshëm u gjendën përballë njëri-tjetrit, dielli u turpërua dhe fshehu dritën e tij përpara Dritës së Dashurisë Sate. Gurët u thyen dhe Krijimi mbajti zi si me një re të errët!
… Kush e di nëse nuk rrodhën lot nga qepallat e resë në çastin kur goja Jote e shenjtë dha frymën me fjalën: «Mbaroi!» dhe Ti shpalle humbjen e vdekjes dhe të dhimbjes, pasi arrite deri në skajet e fundit të dhimbjes dhe të vdekjes së natyrës njerëzore…!
O Shpëtimtar i Kryqëzuar, në këmbët e Tua vendosim barrën e mëkateve tona. Dhimbja Jote hapi zemrat tona dhe gjithë helmi i mëkatit u derdh mbi Ty. Tani zemrat tona janë të lira të të ofrojnë dashurinë dhe adhurimin e tyre Ty Shpëtimtarit tonë. Në himnet e adhurimit tonë fshihet dëshira dhe lutja jonë:
… O Shpëtimtar i Kryqëzuar, qëndro mbi tokën tonë, pranë krijesës Sate, brenda zemrës sonë! Po! Prano lutjen tonë! Qëndro përgjithmonë me Kryqin Tënd në zemrën tonë! Zot, në shpellën e Bethlehemit, Dijetarët (Magët) të ofruan dhurata. Në rrëzë të Kryqit, ne çfarë të të ofrojmë?
..............
Nga lartësia e Kryqit Krishti përshëndet Pësimin e Tij. Momenti i Golgothasë është çasti më tragjik i jetës së Perëndinjeriut. Por kjo faqe e fundit e veprës shpëtuese për gjithë botën është e mbushur plot gëzim. Agimi i Ngjalljes ngjitet nëpërmjet kështjellës së rrënuar të mëkatit.
Krishti i Kryqit solli njeriun tek Zoti. Largësia e madhe që ndante njeriun nga Zoti u zhduk! Trupi i Zotit u bë urra dhe tashmë qëndroi përgjithmonë ndërmjet njeriut dhe Zotit që të mundet njeriu të ngjitet nga toka në qiell!
Krishti është Fitimtari! Shpëtimi njeriut i jepet si një Nder! Por Krishtit ju dha me realitetin e Kryqit. Njeriu lëshon veten në duart e Zotit! Bëhet i fortë kur merr forcë nga i Fuqishmi. Perëndinjeriu i bën shoqëri dashurisë së Tij, njeriut.
Nuk ekziston më makthi drithërues i jetës, vdekja, që të frikësojë njeriun. Krishti dërrmoi vdekjen me Vdekjen e Tij!
Lavditë Mëngjesore VII.
“Ja errësirë dhe mëngjes; dhe ti, o Mari, përse qëndron pranë varrit me mendje fort të errësuar? Prandaj po pyet ku e kanë vënë Jisuin. Por shiko dishepujt që rendën bashkë se si u bindën për Ngjalljen prej pëlhurave dhe prej rizës, dhe kujtuan Shkrimet që flisnin për të. Bashkë me ta, edhe ne që besuam përmes tyre, të përhimnojmë ty, Krishtin jetëdhënës.”
Besimi pra në Ngjalljen e Zotit, themeli i Kishës, nuk është i pavërtetueshëm. Tashmë këtu e njëzet shekuj. Ngjallja e Krishtit përbën ngjarje shpëtuese dhe burim force për mijëra shpirtra. Të mbushur dhe ne prej dritës dhe fuqisë të Ngjalljes, që erdhi pas Pësimit, le të pohojmë me fjalën dhe me jetën tonë të ngjallur besimin tonë në këtë ngjarje duke e përhapur kudo se “Me të vërtetë u Ngjall Zoti”!
Dr. Themistokli Bambulla
Msc Pedagogji, Phd. Teologji