Mbretëria e Përulur e Krishtit dhe Fitorja mbi Vdekjen
Nga Ngjallja e Llazarit te Diela e Dafinave: misteri i përulësisë, i paqes dhe i shndërrimit të vërtetë të njeriut në prag të Javës së Madhe
Predikim nga Fortlumturia e Tij, Joani
Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë
Katedralja “Ngjallja e Krishtit”
Tiranë, 5 prill 2026
Në kuptimin më strikt, Kreshma e 40 ditëve përfundoi të premten në darkë. Më pas kemi dy ditë festive për të filluar Javën e Madhe, ku kreshmimi bëhet akoma më i fortë dhe përqendrimi shpirtëror është edhe më intensiv. Po përse Kisha i ka vendosur pikërisht përpara fillimit të Javës së Madhe, ku kemi pësimin e Zotit, Kryqëzimin dhe në fund Ngjalljen, këto dy ditë festive?
Kuptimi i tyre ka shumë rëndësi. E para është e shtuna e Llazarit, e cila është një ditë dhe një festë shumë e rëndësishme në Kishën tonë, sepse nëpërmjet ngjalljes së Llazarit, Zoti tregoi fuqinë e tij mbi vdekjen, siç thonë dhe troparet e Kishës. Gjithashtu ishte edhe një profeci në veprim, për të treguar ngjalljen e vetë Zotit dhe një shenjë e ngjalljes së gjithë njerëzve në Ardhjen e Dytë të Jisu Krishtit. Dhe fitorja mbi vdekjen është një fitore jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse duke mundur vdekjen, Zoti mundi gjithçka që është e ligë. Vdekja është armiku më i madh i të gjithë njerëzve. Çdo njeri e ka frikë vdekjen. Vetëm njerëzit që jetojnë në Zotin, nuk e kanë më frikë atë, sepse te Zoti nuk ka të vdekur. Pa dyshim që vdekja është një goditje shumë e rëndë, sepse e ndan personin njerëzor; ndan shpirtin nga trupi. Siç e kemi thënë që në Kishën Orthodhokse theksohet që një trup pa shpirt është kufomë dhe një shpirt pa trup është fantazmë. Njeriu është trup edhe shpirt së bashku dhe Ngjallja e Zotit ishte trup edhe shpirt së bashku; dhe duke mundur vdekjen, Ai mundi thelbin e të keqes sonë, Ai e pastroi njeriun nga helmi i gjarprit. E shtuna e Llazarit mbetet gjithmonë një e shtunë shprese, sepse Zoti e mundi vdekjen.
Dita e sotme, që në gjuhën popullore njihet më shumë e Diela e Dafinave, është Hyrja triumfale e Zotit në Jerusalem. Hyrje triumfale, por jo në kuptimin e jashtëm. Zoti nuk erdhi siç hynin në atë kohë mbretërit ose perandorët, sidomos pasi kishin korrur një fitore kundër armiqve të tjerë kur hynin me kuaj, me qerre, me zhurmë edhe me një krenari të jashtëzakonshme. Zoti nuk hyri në Jerusalem në këtë formë, Ai hyri ndryshe: i hipur mbi një pulisht gomari. Njerëzit nga entuziazmi i madh, pasi kishin mësuar që kishte ngjallur Llazarin dhe fama e tij ishte përhapur në Jerusalem, e kuptuan që Ai ishte Mesia, shpëtimtari që po prisnin. Mesia hebraisht ka kuptimin ‘i lyeri’. I njëjti kuptim është edhe në përkthimin në greqisht Kristos që do të thotë ‘i lyeri’ nga Perëndia me vajin e shenjtë. Ata prisnin një lloj mesie tjetër, dikë që do të vinte t'i çironte nga zgjedha romane dhe të kishte një shpirt luftarak për t'i mundur romakët. Ata nuk e kuptonin që mbretëria e Krishtit nuk ishte e kësaj bote, ishte mbretëri e thellë shpirtërore. Zoti nuk erdhi për të ndryshuar botën nga jashtë, por për ta ndryshuar atë nga brenda. E dimë që, çfarëdolloj reformash ekonomiko-shoqërore që janë bërë, qindra revolucione, përmbysje sistemesh, përsëri e keqja ka vazhduar. Sepse nëse njeriu nuk ndryshon, çfarëdolloj reforme të bëjmë, çfarëdolloj shoqërie të ndërtojmë, nuk do të ketë drejtësi dhe e keqja do të triumfojë përsëri. Nëse nuk pastrohet zemra e njeriut, njeriu nuk mund të ndryshojë. Prandaj dhe Zoti duke qenë mjeku më i mirë i shpirtrave e di sesi mund të shërohet dhe shenjtërohet njeriu, duke hyrë Ai brenda tij. Mbretëria e Krishtit është një mbretëri shpirtërore dhe e thellë. Krishti erdhi i përulur, duke iu treguar të gjithë njerëzve që në këtë Mbretëri, nuk hyhet me krenari. Krenarët nuk mund të hyjnë në mbretërinë e qiejve, sepse krenarët kanë shpirt kundërshtues, mburravecë, merren me të tjerët, nuk merren me veten. Vetëm njerëzit që janë të përulur merren me veten; dhe duke u marrë me veten, ata fillojnë ta pastrojnë zemrën e tyre. Duke pastruar zemrën e tyre, ata hapin rrugën e Mbretërisë.
E Diela e Dafinave, pikërisht, kjo është që ne të njohim Krishtin si Mbretin tonë.
Si e njohim Krishtin si Mbretin tonë? Duke vëzhguar thellë në zemrën tonë.
A mbretëron Krishti në zemrën tonë apo mbretërojnë forca të tjera? A është zemra jonë e pastër? A kemi nerva, xhelozi, inate, mëri? Nëse i kemi këto, atëherë nuk mbretëron Krishti në zemrën tonë. Madje Zoti edhe në kryq, pasi e kryqëzuan, e poshtëruan, e tallën, nuk u hakmorr. Ai tha: Fali, o Atë, se s'dinë çfarë bëjnë (Llk. 23:34), sepse zemra pastrohet duke i kapërcyer hakmarrjet, inatet, zemërimet. Mëshira e Perëndisë e kapërcen drejtësinë e zakonshme të njerëzve. Ju kam treguar njëherë një histori nga Shën Isaak Siriani, një mjeshtër i madh i jetës shpirtërore dhe një shenjtor i madh i Kishës sonë, një nga psikologët më të mëdhenj të jetës shpirtërore që ka ekzistuar ndonjëherë. Ai provokonte nxënësit e tij duke u thënë këto fjalë: Ju mendoni që Perëndia është i drejtë? - Po i përgjigjeshin ato.
Ai u thoshte, jo. Ata shtangeshin, duke menduar si nuk është i drejtë Perëndia?!
Dhe ai vazhdonte fjalët, se nëse Ai është i drejtë, unë dhe ju do të ishim në ferr. Zoti është zemërdhembshur. Gjë që do të thotë se mëshira e Perëndisë e kapërcen drejtësinë e njerëzve. Prandaj dhe Zoti u thotë apostujve të Tij se nëse drejtësia juaj nuk e kapërcen atë të farisenjve, nuk do hyni në Mbretërinë e Qiejve (Mt.5:20). Dhe Mbretëria që inauguroi Zoti këtë të diel është pikërisht kjo Mbretëri: Mbretëria e paqes, Mbretëria shpirtërore, duke ardhur si i përulur dhe jo me zhurmë, jo me forcë dhe as me krenari dhe duke u mburrur. Fitorja e vërtetë ishte pikërisht kjo gjë: Hyrja në Mbretërinë e Zotit në mënyrë të përulur. Kjo është fitorja më e madhe në histori dhe Kisha i përmend këto dy ngjarje të mëdha, si Ngjalljen e Llazarit dhe Hyrjen e Krishtit si mbret në Jerusalem, pikërisht për të na përgatitur për Javën e Madhe. Nëse Javën e Madhe, që është Java e Pësimit të Krishtit, do ta ndjekim të gjithën, në çdo episode të saj, pa dyshim që shpirti i njeriut do të ligështohet, kur do të shohë fuqinë shkatërruese të së keqes që e sulmoi Krishtin, ndonëse Ai nuk kishte asnjë faj, por e tallën, e poshtëruan, e rrahën edhe e kryqëzuan.
Ne nuk e shikojmë vetëm në këtë dimension, por e shikojmë edhe në një dimension akoma më të thellë. E shikojmë që kryqi që mori Zoti për shpëtimin tonë ishte pikërisht instrumenti për të na shëruar dhe për të na çliruar ne. E njëjta gjë duhet të bëjmë dhe ne. Ne nuk mund ta integrojmë dot Zotin në jetën tonë, sepse Perëndia nuk integrohet dot. Ti nuk mund ta presësh në copa të vogla dhe të marrësh vetëm një pjesë. Zoti vetëm mund të imitohet. Prandaj dhe rruga e shpëtimit që bëri Zoti është një rrugë për gjithsecilin nga ne. Prandaj na thotë që kushdo që do vijë pas meje të marrë kryqin e tij dhe të më ndjekë pas, sepse vetëm nëpërmjet kryqit mund të arrijmë shërimin. Ky është misteri i kryqit: Instrument i tmerrshëm vdekjeje që ishte shpikur nga fenikasit të cilin Zoti e ktheu në instrumentin e jetës, në pemën e jetës. Sepse dashuria është më e fortë se e keqja, shumë më e fortë se urrejtja. Dashuria dhe dhembshuria që ka Perëndia është ajo që mundi botën e së keqes. Prandaj të dielën e sotme kujtojmë këtë ngjarje, për të na përgatitur për Javën e Madhe që vjen pas. Le ta kemi gjithmonë ndërmend që Mbretëria e Zotit është e pranishme. Zoti nuk është thjesht në një pikë të largët historisë ose në një vend, Ai
është gjithmonë i pranishëm. Krishti, duke hyrë në Jerusalem si Mbret, Etërit e Kishës e kanë krahasuar Jerusalemin si zemrën e njeriut. Kjo do të thotë që nëse do ta pranojmë Krishtin e përulur, do ta pranojmë kryqin e Tij, pa dyshim që do ta shijojmë edhe ngjalljen. Sepse nëse nuk kalojmë nëpërmjet përulësisë, nuk mund ta realizojmë dot këtë gjë. Siç përmenda, mendja krenare nuk mund të hyjë në mbretërinë e paqes dhe të dhembshurisë së Zotit. Krenari gjithmonë do të bëjë luftë me të tjerët. Pse ndodhin kaq shumë luftra në botë sot? Pikërisht nga egoizmi, nga ambiciet personale dhe nga interesa të ndryshme që vijnë pikërisht nga mendje krenare. Nëse do të kishte mendje paqtore, pa dyshim që nuk do të kishte luftra dhe do kishte paqe ndërmjet njerëzve. Zoti thotë: "Lum ata që janë paqebërës, sepse do të quhen bijtë e Perëndisë".
Dhe nuk thotë vetëm thjesht që lum ata që janë paqtorë. Të jesh paqtor, është shumë mirë, por thotë paqebërës. Pra, diçka akoma më tepër. Nuk mjafton vetëm të jemi njerëz të paqtë, por duhet të përpiqemi edhe për të përhapur paqe. Sepse Mbretëria e Zotit është një mbretëri e paqes dhe Ungjilli i Zotit është Ungjill i paqes. Edhe në letrën e Shën Pavlit që përmendëm sot thuhet që paqja e Perëndisë kapërcen çdo mendje. Nëse do të kemi këtë lloj paqeje në shpirtin tonë, këtë paqe që vjen vetëm nga përulësia, pa dyshim që do të ndiejmë gëzim jashtëzakonisht të madh. Dhe Kisha sot nuk e ka vënë rastësisht leximin nga Shën Pavli që thotë: "Gëzohuni në Zotin për gjithçka".
Çdo të thotë kjo gëzohuni për gjithçka në Zotin? Nëse do të gëzohemi vazhdimisht në Zotin për gjithçka, nuk do ta harrojmë Atë. Mendja e njeriut e harron Perëndinë. Vetëm një mendje që ka falenderim dhe gëzohet në Zotin, e ka Zotin gjithmonë të pranishëm. Prandaj, të Dielën e Dafinave, ku në mënyrë simbolike shpërndahet dafinë, duhet të kemi parasysh këtë gjë: Të përgatitemi për të pritur në zemrën tonë Mbretin e përulur. Dhe Mbreti i përulur që hyn sot në Jerusalem është pikërisht Ai që krijoi qiellin edhe dheun, është Zoti i gjithëfuqishëm. Zoti vjen i përulur në zemrën tonë. Dashuria, dhembshuria dhe përulësia hapin dyert e qiellit. Nëse nuk do të jemi të përulur, nuk mund ta takojmë dot Zotin. Nuk mund të jemi të përulur, nëse nuk arrijmë të kuptojmë që nuk jemi të denjë për shumë gjëra. Mendja krenare mendon se është e drejtë, se është e denjë, se i takojnë të gjitha. Njeriu i përulur dhe i shenjtëruar i njeh dobësitë e tij dhe ka shpresë që Shpirti i Shenjtë do t'i plotësojë të gjitha dobësitë e tij dhe do të mbushë zbrazëtinë e tij. Kjo është jeta e thellë shpirtërore e Krishterimit. Në këtë ditë ju uroj të gjithëve, gëzuar. Këto dy ditë t'i kemi parasysh në çdo gjë që do të përjetojmë javën që vjen, sepse nuk kujtojmë thjesht ngjarje, por i përjetojmë ato. Ky është misteri liturgjik. Liturgjia nuk është thjesht përsëritja e një diçkaje, por është përjetimi i saj.
Vetëm duke pasur parasysh që Zoti e mundi vdekjen dhe Ai është mbreti ynë, ne mund ta përjetojmë Javën e Madhe dhe mund ta ndiejmë thellësisht Ngjalljen e Zotit.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë