Kryepiskopi Joan përshëndet Patriarkun Vartholome në Imbros

2824
11:28
37
Imazhi shëputur nga transmetimi live i ertweb Imazhi shëputur nga transmetimi live i ertweb

Kryepiskopi i Shqipërisë kujtoi 65-vjetorin e priftërisë së Patriarkut Ekumenik dhe mbështetjen e Kishës Mëmë për ringritjen e Kishës Orthodhokse të Shqipërisë.

FJALË PËRSHËNDETËSE e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, z. Joan.

Kisha e Shenjtë Mitropolitane e Fjetjes së Hyjlindëses Panajia e Imbrosit, 13 gusht 2026. Tërëshenjtëria Juaj, Fortlumturia Juaj, Papa dhe Patriarku i Aleksandrisë dhe i Gjithë Afrikës, Theodhor, Hirësia Juaj, Mitropoliti i Imbros dhe Tenedos, Kiril. Me gëzim të thellë dhe emocion të sinqertë, po denjësohemi sot të gjendemi në Imbros, në vendlindjen Tuaj, dhe të bashkëmeshojmë me Ju në po këtë kishë, ku, pikërisht gjashtëdhjetë e pesë vjet më parë, më 13 gusht 1961, morët shkallën e parë të priftërisë, me vendosjen e duarve të Mitropolitit të ndjerë të Imbros dhe Tenedos, Melitonit. Prania jonë këtu, ndërsa afrohet festa e madhe e Fjetjes së Hyjlindëses së Përmbishenjtë, na bën pjesëmarrës jo vetëm në gëzimin Tuaj, por edhe në mallin Tuaj të thellë të kthimit. Homeri, poeti që nëpërmjet «Odisesë» i këndoi si askush tjetër dëshirës së kthimit, është po ai që në «Iliadë» përmend së bashku Tenedosin dhe Imbrosin: «μεσσηγὺς Τενέδοιο καὶ Ἴμβρου παιπαλοέσσης». I bashkoi në të njëjtin varg. Dhe, shekuj më vonë, Kisha i bashkoi përsëri nën të njëjtin emër: Mitropolia e Shenjtë e Imbros dhe Tenedos. Malli i kthimit, sipas Homerit, nuk është thjesht një kujtim, as një nostalgji kalimtare. Është një fuqi që vë në lëvizje tërë qenien. Tërëshenjtëria Juaj, Brenda kësaj kishe, gjashtëdhjetë e pesë vjet më parë, u gjunjëzuat për të marrë hirin e dhjakonisë. Këtu u takuan këto dy forma të mallit të kthimit: dashuria për vendlindjen dhe përgjigjja ndaj thirrjes së Atit qiellor. E dëgjuat zërin e Tij si një zë të njohur, si zërin e Bariut të Mirë, dhe ia dorëzuat lirisht veten thirrjes së Tij. Këtu morët shkallën e parë të priftërisë. Jo për t’ju shërbyer, por për të shërbyer; jo për të kërkuar lavdi njerëzore, por për të kullotur grigjën shpirtërore të Kishës së Krishtit.

Askush prej të pranishmëve atë ditë nuk mund ta njihte të gjithë udhën që hapej përpara atij dhjaku të ri. Vetëm Perëndia e njihte barrën që do të thirrej të mbante dhe përgjegjësinë që do të merrte përsipër ndaj Kishës dhe Orthodhoksisë. Paraardhësi Juaj në Fronin e Konstandinopojës, shën Joan Gojarti, shkruan se priftëria ushtrohet vërtet mbi tokë, por i përket rendit të gjërave qiellore. Prandaj edhe pesha e saj nuk mund të matet me masa njerëzore. Nga përkulja e qafës atë ditë filloi një udhë që do të çonte drejt Fronit të Tërënderuar Ekumenik. Sot, pas gjashtëdhjetë e pesë vjetësh, nuk lavdërojmë thjesht një njeri; lavdërojmë dhe falënderojmë Perëndinë, sepse koha shfaqi urtësinë e Përkujdesjes së Tij dhe vërtetoi thirrjen. Me besim, durim dhe këmbëngulje u shërbyet çështjeve të mëdha kishtare. Dhjetë vjet më parë, me hirin e Perëndisë dhe pas një përgatitjeje të mundimshme e të duruar, e cila zgjati më shumë se gjysmë shekulli, u mblodh në Kretë Sinodi i Shenjtë dhe i Madh i Kishës Orthodhokse. Ne kemi qenë dëshmitarë të përpjekjeve Tuaja për unitetin e Kishës, të mundimeve dhe të luftërave Tuaja. Dhe ato që pamë me sytë tanë dhe dëgjuam me veshët tanë, i dëshmojmë sot me mirënjohje. Kisha e Shqipërisë mori pjesë në Sinod me vetëdije të plotë për përgjegjësinë e saj historike dhe theologjike. Gjatë viteve të shërbesës Suaj patriarkale, Tërëshenjtëria Juaj, adhurimi orthodhoks jehoi sërish në vende ku kishte heshtur për dhjetëvjeçarë: në Kapadoki, në Panajia Sumela dhe në troje të tjera të shenjta të Etërve. Shkollat e Imbros u rihapën dhe fëmijët u kthyen në bankat e tyre. Grigja e Konstandinopojës u fuqizua dhe zëri i Patriarkanës Ekumenike u dëgjua me guxim në mbarë botën, duke përcjellë mesazhin e Orthodhoksisë, të paqes, të pajtimit dhe të mbrojtjes së krijimit të Perëndisë. Këtë përkujdesje të dhembshur të Kishës Mëmë e përjetoi edhe Kisha Orthodhokse e Shqipërisë, në një nga çastet më kritike të historisë së saj. Kur doli nga nata e gjatë e përndjekjes ateiste, e zhveshur nga strukturat e saj të dukshme dhe me fuqinë e saj njerëzore pothuajse të shteruar, Kisha Mëmë e Konstandinopojës nuk e la të vetme. Kisha e Shqipërisë ishte përndjekur, shkretuar dhe dukej e vdekur; por nuk kishte vdekur. Kishat dhe manastiret e saj ishin mbyllur, plaçkitur, tjetërsuar ose shkatërruar. Adhurimi ishte ndaluar me ligj. Klerikët ishin burgosur, internuar, kishin pësuar përndjekje të egra ose ishin martirizuar. Një brez i tërë ishte rritur pa e njohur nga afër jetën liturgjike të Kishës. Në atë gjendje shkretimi dhe sprove të thellë, Kisha Mëmë dërgoi si Ekzark Patriarkal një punëtor të denjë të Ungjillit, Kryepiskopin e ndjerë Anastas, i cili do të bëhej ringritësi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Ekziston, pra, edhe një lidhje tjetër që bashkon sot të tre Kryetarët e Kishave. Kjo lidhje është një person që nuk ndodhet më trupërisht mes nesh, por veprat dhe kontributi i të cilit lanë gjurmë të pashlyeshme në Kishat tona: Kryepiskopi i ndjerë i Shqipërisë, Anastasi. Jemi të bindur se shpirti i tij ngazëllohet, duke parë Kryetarët e Kishave të takohen në frymë vëllazërie dhe uniteti. Shumë herë ai kishte theksuar se një nga arritjet më të rëndësishme të Patriarkanës Suaj, Tërëshenjtëria Juaj, ishin pikërisht Takimet e Primatëve të Kishave Orthodhokse vendore. Dhe në këtë pikë, na lejoni, Fortlumturia Juaj, Papë dhe Patriark i Aleksandrisë, të drejtohemi me mirënjohje edhe drejt Jush dhe Patriarkanës së Aleksandrisë. Prandaj prania e sotme e dy Froneve të Lashta Patriarkale ka një domethënie të veçantë për Kishën e Shqipërisë. Aleksandria ishte hapësira e shërbesës së pjekur misionare të Anastasit, ndërsa Konstandinopoja ishte Kisha Mëmë që e dërgoi në Shqipëri si Ekzark Patriarkal. Tërëshenjtëria Juaj, Sot sjellim përpara Jush dashurinë, mirënjohjen, lutjet dhe urimet e klerit dhe të popullit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, duke e përsëritur sot dhe do ta përsërisim gjithmonë: Kisha e Shqipërisë ka shijuar dhe vazhdon të shijojë frytet e mundimeve, të dashurisë dhe të lutjeve Tuaja. Dhe Ju sigurojmë se vendi që dëshirojmë të kemi është ai i Aaronit dhe i Horit, të cilët, kur duart e Moisiut rëndoheshin, i mbanin lart, njëri nga njëra anë dhe tjetri nga ana tjetër; pra, vendi i atyre që mbështesin, i atyre që punojnë për paqen, pajtimin dhe unitetin e Kishës. Për shumë vjet, Tërëshenjtëria Juaj!

Nëse vëreni një gabim, zgjidhni tekstin e nevojshëm dhe shtypni Ctrl+Enter ose Dërgo një gabim për ta raportuar tek redaktorët.
Nëse gjeni një gabim në tekst, zgjidhni atë me mousen dhe shtypni Ctrl+Enter ose këtë buton Nëse gjeni një gabim në tekst, theksoni atë me mousen dhe klikoni këtë buton Teksti i theksuar është shumë i gjatë!
Lexo gjithashtu