Kryepiskopi Joan: predikim mbi bindjen dhe Ungjillin e Llukait
Në predikimin e së dielës I të Llukait, Fortlumturia thekson rëndësinë e bindjes, përuljes dhe misionit të çdo të krishteri për të përhapur dritën e Ungjillit.
Ungjilli mbetet në qendër të mesazhit shpirtëror që Fortlumturia e Tij, Joani, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, i drejtoi besimtarëve në predikimin e tij mbi E diela I e Llukait. Sipas tekstit të plotë të predikimit të mbajtur në Katedralen "Ngjallja e Krishtit" në Tiranë, tema kryesore ishte episodi ungjillor sipas Llukait (Llk.5:1-11).
Çdo i krishter duhet ta jetojë dhe ta përhapë vlerën e Ungjillit. Predikim nga Fortlumturia e Tij, Joani Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë. E diela I e Llukait (Llk.5:1-11). Këtë të diel fillojmë Ungjillin sipas Llukait. Siç e kemi përmendur shpesh, Ungjilli mbetet gjithmonë një libër i jashtëzakonshëm. Nëse duam të gjejmë të vërtetën mbi veten tonë dhe të marrim përgjigje për pyetjet që të kemi për ekzistencën tonë, Ungjilli është i vetmi libër që i jep ato në mënyrë të thjeshtë dhe të thellë. Prandaj edhe shenjtorët e lexonin aq shpesh; sepse Ungjilli është një libër që e mbush shpirtin e njeriut me një hir shpirtëror. Sa më shumë ta lexojmë, aq më qartë do të fillojmë ta kuptojmë. Dhe sa më tepër t'i praktikojmë mësimet që na thotë Zoti, aq më shumë do të ndriçohet mendja jonë për të kuptuar më në thellësi të vërtetat hyjnore.
Ungjilli i sotëm tregon një episod. Pasi Krishti ndodhej pranë liqenit të Galilesë, hipi në lundrën e Simon Pjetrit dhe filloi t'i mësonte njerëzit. Ai, pasi e përfundoi fjalën e Tij, i thotë Simonit: "çoje varkën në ujëra më të thella dhe hidhe rrjetën për peshkim". Por Simoni iu përgjigj: "Mësues, kemi punuar gjatë gjithë natës e nuk kapëm asgjë; po për hir të fjalës Sate, do ta hedh rrjetat". Të gjithë e dinë që koha më e mirë dhe më e përshtatshme për peshkim është nata. Kështu, kur hodhi rrjetën, ajo u mbush aq shumë sa po fillonte të çahej. Atëherë, ai thirri për ndihmë edhe dy shokët me të cilët bashkëpunonin, që ishin bijtë e Zebedeut, Joanin dhe Jakovin, dhe mbushën plot me peshq të dyja lundrat. Kur pa këtë mrekulli Pjetri i thotë Zotit këto fjalë: Largohu prej meje, o Zot, sepse jam mëkatar. Ndërsa Krishti iu përgjigj, duke i thënë se nga sot do të fillosh të jesh peshkatar i njerëzve. Ky është Ungjilli i sotëm.
Çfarë na thotë ai neve sot? Së pari, na tregon një vlerë shumë të rëndësishme: bindjen. Zoti i tha Pjetrit diçka që ndoshta çdo njeri do ta kundërshtonte, duke menduar se nuk mund të kapet peshk në mëngjes, aq më tepër kur nuk kishin zënë asgjë gjatë tërë natës. E megjithatë, ai u bind. Bindja ndaj fjalëve të Zotit është shumë e rëndësishme. Ne kemi një problem shumë të madh: të gjithë njerëzit e lexojnë Ungjillin, ndoshta edhe e besojnë, u pëlqejnë shumë historitë e tij, por gjithmonë janë selektivë. Ata binden vetëm për ato gjëra që dëshirojnë. Në fjalët e tjera, që ndoshta janë të vështira, gjejnë justifikime duke thënë: "Jo, por ne tani nuk jemi shenjtorë", apo "nuk jemi të tillë". Bindja ndaj fjalëve të Zotit duhet të jetë e plotë, në çdo gjë. Nëse ne nuk i bindemi qoftë edhe një urdhërimi, i kemi shkelur të gjitha urdhërimet. Në letrën e Jakovit mësojmë: "Sepse ai që të ruajë gjithë ligjin dhe të mëkatojë në një, është fajtor në të gjitha" dhe përsëri dënohet. Prandaj, bindja ndaj fjalëve të Zotit është tepër e rëndësishme për ne, madje edhe kur nuk i kuptojmë ato. Jo të gjitha gjërat që na thotë Zoti mund t'i kuptojmë menjëherë, por nëse do të bindemi, dalëngadalë do të fillojmë të ndriçohemi dhe do të kuptojmë që ato janë për të mirën tonë.
Kur Zoti na ndalon shumë gjëra, duke na thënë: "Mos bëj këtë", "mos bëj atë" apo "mos vepro ashtu", ndoshta nuk mund t'i kuptojmë dhe konceptojmë të gjitha me mendje dhe mund të nxjerrim arsyet tona, duke pyetur: "Çfarë të keqe ka të bëhet kjo gjë?". Por, kur fillojmë të bindemi, nisim të kuptojmë se të gjitha këto gjëra që Zoti na i ndalon të mos i bëjmë, janë pikërisht për të mirën tonë, sepse përndryshe ato do të na shkatërronin shpirtërisht e fizikisht. Bindja ka qenë cilësia e të gjithë shenjtorëve, siç e shohim edhe te Urtësia e Shkretëtirës, në të cilën kemi histori shumë të bukura që e ilustrojnë këtë gjë.
Në shkretëtirën e Nitrisë, që ndodhet në jug të Aleksandrisë, rreth 90 km larg saj, dikur lulëzoi murgëria. Mijëra murgj banonin në atë shkretëtirë. Midis tyre ishte një atë i famshëm, ava Pambo, një shenjtor i madh i Kishës sonë. Dy nga nxënësit e tij, shën Paisi i Madh dhe shën Joani i Shkurtër, u bënë nga shenjtorët më të mëdhenj. Historia tregon se kur shën Joani i Shkurtër ishte i ri, shkoi në manastir dhe i tha igumenit, që ishte ava Pambo: "Çfarë duhet të bëj unë në manastir?". Siç duket, igumeni vuri re ndoshta ndonjë shenjë krenarie apo diçka tjetër tek ai dhe shkopin e thatë që mbante në dorë ia dha dhe i tha: "Merre këtë shkopin, mbille dhe ujite". Ati iu duk e habitshme kjo gjë; si të mbjellësh një shkop të thatë në shkretëtirë? Megjithatë, ai u bind, e mbolli, ndërkohë që uji ndodhej tetë orë larg. Kështu, ai udhëtonte tetë orë për të mbushur ujë në shkretëtirë, kthehej përsëri për tetë orë të tjera dhe e ujiste shkopin. Dhe këtë punë e vazhdoi për tre vjet. Mbas tre vjetësh, Perëndia, duke parë bindjen e madhe dhe devotshmërinë e tij, bëri që brenda natës shkopi të mbinte, të rritej e të jepte fruta. Në mëngjes, Ava Pambo mori frutat, mblodhi të gjithë vëllezërit që ishin në manastirin e tij dhe u tha: "Ejani e hani nga frutat e bindjes!".
Bindja jep gjithmonë fryte. Sa më tepër t'u bindemi fjalëve të Perëndisë, edhe kur ato na duken të palogjikshme, vetë bindja do të na sjellë fryte shumë të mëdha e do të na falë bekime. Nëse nuk kemi bekimin e Perëndisë, çfarëdo gjëje që të bëjmë, ne do të dështojë. Njerëzit mund të grumbullojnë gjëra pafund, por nëse nuk do të jetë bekimi i Perëndisë, nuk do të kemi asnjë dobi prej tyre; madje, shpeshherë ato mund të kthehen në mallkim për ne. Prandaj psalmisti thekson: "Nëse nuk e ruan Zoti qytetin, më kot vigjilojnë ata që e ruajnë. Nëse nuk e ndërton Zoti shtëpinë, më kot përpiqen ata që ndërtojnë". Çdo gjë që bëjmë, duhet ta bëjmë me bindje ndaj mësimeve të Zotit, sepse vetëm kështu do të kemi edhe bekimin e Tij. Historia e pafund e shenjtorëve, e pasur me qindra dëshmi të tilla, tregon pikërisht këtë: se bindja e vërtetë na sjell gjithmonë fryte shumë të mëdha.
Një aspekt tjetër shumë i rëndësishëm për jetën tonë shpirtërore është reagimi i shën Pjetrit. Ai kuptoi se në personin e Krishtit është vetë Perëndia, sepse në fillim i drejtohet: "Mësues, peshkuam gjatë gjithë natës e nuk kapën asgjë". Por, kur pa mrekullinë, i drejtohet me fjalën "Zot" duke i thënë: "Zot, largohu prej meje, sepse jam njeri mëkatar!". Pse i tha këto fjalë shën Pjetri? Ne e dimë që ai ishte njeri i devotshëm, peshkatar i thjeshtë, por me zemër shumë të madhe dhe me dashuri të pamasë për Zotin dhe për gjithë ligjin e Tij. Përse atëherë i tha që ishte mëkatar? Ky reagim nuk është vetëm i shën Pjetrit; ne e dëgjojmë vazhdimisht këtë gjë në Shkrimin e Shenjtë. Edhe profeti Isaia, kur pa fronin e lavdisë, tha: "Mjerë unë, se jam një njeri me buzë të ndyra dhe pashë Mbretin e lavdisë"! Përse këta njerëz, kur përjetojnë shfaqjen e Zotit, thonë pikërisht këto fjalë? Pikërisht sepse ndriçohen. Nëse njeriu ka një përvojë me Perëndinë, ai do ta kuptojë se sa mëkatar është. Nëse ndriçohet zemra e tij, ai do të shohë në të mijëra njolla të zeza. Prandaj edhe shenjtorët ishin aq të përulur.
Nëse lexoni lutjen përpara Kungimit, të shkruar nga shën Simeoni Theologu i Ri, i cili është një nga tre shenjtorët që kanë marrë këtë titull në Kishën Orthodhokse, bashkë me shën Joan Theologun dhe shën Grigor Theologun, që e fillon me katër vargje që ndoshta ne i lexojmë, por nuk ndalemi t'i mendojmë. Ai thotë për veten e tij: "Prej buzësh të ndyra, prej zemre të fëlliqur, prej shpirti të njollosur dhe gjuhe të papastër...". Dhe i drejtohet Zotit pikërisht me këto fjalë. Shenjtori thotë që zemër të fëlliqur, gjuhë të papastër e buzë të ndyra, sepse ai ishte njeri i ndriçuar nga prania e Perëndisë. Nëse edhe ne do të ndriçohemi nga prania e Perëndisë, do ta ndiejmë që jemi fajtorë, sepse përpara Zotit të gjithë janë mëkatarë. Nëse ndriçohemi nga Perëndia, do t'i dallojmë edhe njollat më të vogla. Kjo i ngjan një dhome që shpeshherë duket krejtësisht e pastër, por nëse në të depërton një rreze dielli, do të shohim mijëra grimca pluhuri dhe nuk do na duket më aq e pastër. Ashtu ishin edhe shenjtorët. U ndriçuan nga hiri dhe prania e Perëndisë, ndaj e kuptuan që ishin mëkatarë e të sëmurë, dhe prandaj e kërkuan shërimin. Dhe, duke ndjekur porositë e Zotit, u shëruan dhe u shenjtëruan.
Nëse ne mendojmë se jemi të drejtë, kemi një problem. Nëse mendojmë se jemi të shenjtë dhe s'kemi asnjë gabim, ky është një problem akoma më i madh. Mëkati më i madh është kur njeriu nuk e kupton mëkatin e tij, kur e ka humbur ndjeshmërinë ndaj mëkatit. Shenjtorët e dallonin këtë gjë sepse ishin të ndriçuar nga hiri i Perëndisë. Duket si paradoks, por pikërisht sepse ishin të ndriçuar nga hiri, ata i shihnin njollat e zeza që mund të kishin në shpirt. Nëse jetojmë në errësirë, do na duket vetja në rregull; gjithçka do na duket e pastër, e drejtë dhe e shenjtë.
Ju kam treguar njëherë një provokim që i bënte shën Isaak Siriani nxënësve të tij, duke u thënë: "Ju mendoni që Perëndia është i drejtë?". Ata i thoshnin: "Po". Ai u thoshte: "Jo!". Ata shtangeshin duke menduar që si kishte mundësi që Perëndia të mos ishte i drejtë?! Pastaj shenjti vazhdonte: "Nëse Perëndia do të ishte i drejtë, unë dhe ju do të ishim në ferr". Zoti është zemërdhemshur. Që do të thotë se Zoti na jep hirin jo sepse ne jemi të drejtë dhe e meritojmë, por sepse Ai është i mirë dhe zemërdhembshur. Prandaj edhe shenjtorët ishin të përulur vazhdimisht, sepse e dallonin fajin e tyre. E dallonin që diçka nuk shkonte mirë brenda tyre, prandaj edhe kërkuan mjekimin dhe u shëruan. Shën Joan Gojarti u thoshte njëherë njerëzve në kishë: "Nëse dikush nga ju mendon se është i drejtë, le të dalë jashtë nga kisha. Unë s'kam Ungjill për të drejtët". Këtë e thoshte për të theksuar që Ungjilli është mjekim, dhe mjekimi është për të sëmurët. Mjekimi merret pikërisht nga njerëzit që e kuptojnë që janë të sëmurë dhe, mbasi shërohen, ata falënderojnë mjekun. Dhe me shenjtorët pikërisht kështu ndodhi: mbasi u shenjtëruan, falëndonin vazhdimisht Perëndinë, sepse e kishin kuptuar nga çfarë i kishte shpëtuar.
Pika e tretë shumë e rëndësishme e Ungjillit të sotëm ka të bëjë me fjalët që Zoti i thotë Simon Pjetrit: Duke filluar nga tani do të jesh peshkatar njerëzish. Pra, ai nuk do të kapte më peshq, por do të fitonte shpirtrat e njerëzve për t'i kthyer në rrugën e drejtë. Dhe ky është një mision jo vetëm për shën Pjetrin dhe jo vetëm për klerikët - priftërinjtë, episkopët e të tjerët - por për të gjithë të krishterët. Çdo i krishter duhet ta përhapë vlerën e Ungjillit. Çdo i krishter duhet të mundohet që këtë dritë dhe atë dritë që mendon se e ka, duhet ta përhapë edhe te të tjerët. Ja çfarë ndodh me dritën e hirit të Shpirtit të Shenjtë: nëse e mbajmë vetëm për vete, ajo do të fillojë të pakësohet, derisa të shuhet fare; nëse e ndajmë me të tjerët, ajo do të shtohet akoma më shumë. Të gjithë jemi të thirrur që, nëse besojmë në Jisu Krishtin dhe besojmë që hiri i Tij na ka ndriçuar shpirtin, ta përhapim këtë dritë kudo. Bota e sotme është në një errësirë shpirtërore dhe ka nevojë për këtë dritë. Duke përhapur këtë dritë, ne shpëtojmë veten tonë dhe shpëtojmë edhe shumë njerëz që janë rrotull nesh. Zoti na e jep këtë mision: Dhuratë na e jep neve, dhuratë duhet ta shpërndajmë edhe tek të tjerët. Prandaj, leximi i vazhdueshëm i Ungjillit është shumë i rëndësishëm, sepse është i vetmi libër ku mund të gjejmë përgjigjet për çdo pyetje të jetës sonë. Amin.
Katedralja "Ngjallja e Krishtit" Tiranë, 27 shtator 2026
