Mitropoliti Anastas shënon një vit nga Fronëzimi në Korçë
Në Katedralen Ngjallja u zhvillua meshë solemne me pjesëmarrjen e Mitropolitit të Beratit Asti dhe shumë besimtarëve nga disa qytete.
Mitropolia e Korçës shënoi një vit nga dita e Fronëzimit të Mitropolitit të Korçës, Hirësisë së Tij Anastasi, në këtë Mitropoli të Shenjtë. UGO ndodhej atje dhe mblodhi informacionin për ditën e shënuar, ngjarja u festua me një meshë panihierike kryepriftërore në Katedralen Ngjallja në qytet.
Meshën hyjnore e udhëhoqën Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij Anastasi, dhe Mitropoliti i Beratit, Hirësia e Tij Asti. Në ceremoni morën pjesë të gjithë klerikët e Mitropolisë së Shenjtë Korçë dhe klerikë të Mitropolisë së Beratit, përfaqësues të pushtetit lokal,përfaqësues të besimeve të tjera, drejtues të institucioneve të KOASH-it, nxënës të shkollës "Platon", si dhe besimtarë të shumtë nga Korça, Berati dhe Tirana. Pjesëmarrja gjatë meshës dhe gjatë urimeve që pasuan ishte tepër e lartë dhe në frymë të një dashurie të theksuar më Krishtin.
Në fund të Meshës Hyjnore, pas fjalëve përshëndetëse të mbajtura nga Hirësia e Tij Asti, protopresviter Atë Ilia Kotnani dhe vetë Mitropoliti i Korçës Anastasi, iu dha ofiqi stavrofor Atë Konstandin Mujos, klerik nga Zvirina, për kontributin e tij shpirtëror. Nga ora 11:30 deri në 13:30, në selinë e Mitropolisë së Shenjtë Korçë, Mitropoliti Anastas priti vizitat përgëzuese me rastin e njëvjetorit.
Më parë, Mitropolia e Shenjtë kishte pritur pelegrinë franceze në Mitropolinë e Korçës, një tjetër moment i rëndësishëm në jetën shpirtërore të Mitropolisë gjatë këtij viti.
