Kuptimi i Pashkës; Ngjallja e Zotit - Intervistë e Radio “Ngjallja” me Mitropolitin e Elbasanit, Hirësi Andonin
Kuptimi i Pashkës – Ngjallja e Zotit
Mesazhi i shpresës, fitores mbi vdekjen dhe rilindjes shpirtërore
- Hirësi Andoni, cili është kuptimi i Pashkës dhe pse Kisha e Shenjtë e feston me kaq solemnitet këtë ngjarje të madhe?
Festa e Pashkës është padyshim festa kryesore në Kishën Orthodhokse. Në të kulmojnë të gjitha ngjarjet dhe e gjithë përpjekja shekullore për shpëtimin e njeriut, që nga krijimi i tij. Që në momentin e rënies në mëkat, Perëndia kishte përgatitur rrugën e shpëtimit.
Kjo “dalje”, ashtu siç nënkupton edhe fjala “Eksod”, nuk është vetëm çlirimi nga skllavëria tokësore, por mbi të gjitha çlirimi nga mëkati. Ky çlirim realizohet nëpërmjet Krishtit, i cili vjen si kurbani i vërtetë, Therorja e pafajshme, që sakrifikohet për mëkatet e njerëzve.
Nëpërmjet Mishërimit, Perëndia bëhet njeri dhe merr mbi Vete natyrën njerëzore, pa mëkat. Ai realizon atë që për njeriun është e pamundur: Ngjalljen prej së vdekurish. Duke qenë Vetë Krijuesi i jetës, Krishti e çliron njeriun nga mëkati dhe nga pushteti i vdekjes.
Ai është Adami i Ri, që i dhuron njerëzimit jetën e re. Të gjitha Shkrimet e Shenjta dhe profetët e Dhjatës së Vjetër drejtohen drejt kësaj ngjarjeje: ardhjes së Mesias. Me ardhjen dhe sakrificën e Tij, ne gëzojmë jetën e re dhe festojmë këtë kalim nga vdekja në jetë.
Prandaj, Pashka mbetet festa kulmore: Perëndia zbriti në tokë dhe ngriti njeriun drejt qiellit.
2. Në kulmin e gëzimit të Ngjalljes shfaqet edhe frika. Pse ekziston ende frika tek besimtarët?
Frika është një element i natyrës njerëzore. Askush nuk mund të thotë se është plotësisht pa frikë. Por Perëndia na jep forcën për ta përballuar dhe për ta kapërcyer atë.
Ngjarjet e vështira në jetën tonë nuk janë thjesht rastësi. Në providencën e Tij, Perëndia lejon edhe sprova, përmes të cilave na jep mesazhe dhe na udhëzon. Si një Atë i dashur, Ai na korrigjon dhe na tërheq vëmendjen drejt asaj që është vërtet e rëndësishme.
Këto situata, megjithëse të dhimbshme, na ndihmojnë të kuptojmë prioritetet e jetës. Gjërat materiale janë të përkohshme, ndërsa jeta shpirtërore është thelbësore. Për të krishterët, qëllimi kryesor është njohja e Perëndisë dhe bashkimi me Të.
Kisha ka gjithmonë misionin të japë zërin e saj profetik në çdo kohë. Ajo duhet jo vetëm të kuptojë vullnetin e Perëndisë, por edhe t’i përgjigjet atij me vepra konkrete, duke qenë e pranishme në jetën shoqërore.
Në vitet e fundit, Kisha Orthodhokse ka treguar këtë angazhim në fusha si arsimi, shëndetësia dhe ndihma sociale, sidomos në kohë krizash.
Në të njëjtën kohë, njeriu shpesh bie në tundimin e materializmit dhe egoizmit. Prandaj është e domosdoshme jeta shpirtërore dhe dëgjimi i fjalës së Ungjillit. Pa këtë dimension, pasuria materiale mund të kthehet në shkak shkatërrimi.
Mesazhi i Pashkës na fton të vendosim si prioritet pasurinë shpirtërore, e cila sjell edhe ekuilibrin në jetën materiale dhe shoqërore.
3. Si e përmbush sot Kisha misionin e saj për paqe, drejtësi dhe të vërtetën e Ungjillit?
Pashka është një moment kyç në jetën shpirtërore dhe mesazhi i saj i drejtohet jo vetëm besimtarëve, por gjithë shoqërisë.
Të gjithë jemi të thirrur të përhapim Lajmin e Mirë të Ngjalljes. Jeta është një përpjekje e vazhdueshme shpirtërore, intelektuale dhe fizike. Përmes kësaj përpjekjeje, njeriu arrin të kuptojë misteret e Perëndisë.
Kjo arrihet duke jetuar në Kishë: duke marrë pjesë në Liturgjinë Hyjnore, duke dëgjuar Shkrimin e Shenjtë dhe duke u udhëhequr nga mësimet e Etërve të Shenjtë.
Shpesh njerëzit kanë koncepte të gabuara për besimin dhe jetën shpirtërore. Prandaj është e rëndësishme të formohen kuptimet e drejta për:
besimin,
vullnetin e Perëndisë,
qëllimin e jetës,
dashurinë ndaj tjetrit.
Angazhimet e përditshme shpesh na lodhin dhe na zbrazin shpirtërisht. Nëse nuk ushqejmë shpirtin, mbetemi të varfër shpirtërisht, pavarësisht pasurisë materiale.
Vetëm Lajmi i Mirë – dashuria dhe falja e Perëndisë – mund ta mbushë këtë boshllëk. Perëndia na fton në një jetë me Të, që fillon këtu në tokë dhe vazhdon në përjetësi.
Prandaj, në këtë periudhë të Pashkës, besimtarët ftohen të marrin pjesë në shërbesat e Javës së Madhe, qoftë fizikisht, qoftë përmes mediave si Radio “Ngjallja”.
Uroj të gjithë besimtarët orthodhoksë një Pashkë të gëzuar dhe të bekuar, me përfitime shpirtërore. Zoti e bekoftë vendin tonë dhe i dhëntë çdo njeriu mundësinë për të vendosur prioritetet e duhura dhe për të jetuar një jetë të begatë shpirtërisht.
NGA: NIKOLLA BARKAJ