Statuti i vitit 1944 ndau Kishën Orthodhokse Shqiptare në shtatë dhioqeza

2827
19:48
6
Foto është gjeneruar me IA dhe i përket UGO Foto është gjeneruar me IA dhe i përket UGO

Vijimi i materialit për Autoqefalinë trajton Sinodhin e Shenjtë, administrimin kishtar, seminarin, revistën dhe botimet

 

Autoriteti dhe Administrata Kishëtare

a) Në bazë të statutit në fuqi autoriteti më i lartë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë është Sinodhi i Shenjt episkopal i përbërë prej Episkopvet aktivë të çdo dhioqeze dhe prej Ikonomit të Madh Mitrofor nën kryesinë e Mitropolitit të qëndrës, Kryepiskopit të gjithë Shqipërisë (art. 4-të). Sinodhi i Shenjtë zgjedh Episkopët dhe klerikët, mbikqyr veprimet e tyre, ruan paprekshmërinë e besimit, të kultit e të disiplinës kishëtare në bazë të dogmave dhe të kanuneve të shenjta, kujdeset për edukatën fetare të besimtarëve me anë të predikimeve, të revistave dhe të librave fetare etj. Sinodhi i shenjtë mblidhet zakonisht një herë në vit. Për administrimin e pasurive kishëtare të çdo lloji dhe për rregullimin e çështjeve financiare të Kishës është krijuar në qëndër Këshilli Mikst i cili përbëhet nga anëtarët e Sinodhit të shenjtë dhe nga një anëtar laik prej çdo dhioqeze që zgjidhet prej këshillave kishëtare të zëvëndësive dhe të qëndrës. Këshilli Mikst cakton mënyrën e përgjithshme të administrimit të pasurive të Kishave dhe të manastireve, të çdo lloji dhurate si dhe të subvensionit shtetror, vendos tjetërsimin e pasurive, harton buxhetin preventiv të përgjithshëm të Kishës dhe kontrollon të gjitha veprimet e Këshillit Ekonomik të përhershëm. Mblidhet zakonisht një herë në mot. Këshilli Mikst e ushtron kompetencën e vet me anë të Këshillit Ekonomik të Përhershëm që përbëhet prej Kryepiskopit si kryetar dhe prej katër anëtarësh laikë të zgjedhur prej Këshillit Mikst për tri vjet. Këshilli Ekonomik harton në formë paraprake, projektin e buxhetit preventiv të përgjithshëm të Kishës, shqyrton dhe kontrollon buxhetet preventive e konsumtive të manastireve kujdeset për zbatimin e dispozitave të statutit e të rregullores si edhe të vendimeve të Këshillit Mikst dhe i mbështetur mbi raportet e inspektorëve të Kryesisë së Kishës, merr çdo masë të nevojshme për mbarëvajtjen e Kishës dhe administrimin e mirë të pasurive. Mblidhet sa herë që të jetë e nevojshme . b Kisha Orthodhokse Autoqefale Shqiptare, pas bashkimit të Tokave të Liruara nën jurisdiksionin e saj, ndahet sot administrativisht në shtatë dhioqeza: në të Tiranës-Durrësit, në të Korçës, në të Beratit, në të Gjirokastrës, në të Prizrenit, në të Peshkopisë dhe në të Strugës. Çdo dhioqezë administrohet prej Episkopit përkatës. Episkopi i dhioqezës së Tiranës-Durrësit mban titullin: Mitropolit Kryepiskop dhe është Kryetar i Kishës Orthodhokse Autoqefale. Çdo dhioqezë nënndahet në zëvëndësira. Në krye të çdo zëvëndësie qëndron përfaqësuesi i Mitropolitit ose i Episkopit, i ndihmuar prej Këshillës Kishëtare (dhimogjerondisë) që përbëhet në bazë të rregullores në fuqi, prej 6 vetash, të cilët zgjidhen prej besimtarëve në krye të dy vjetëve dhe dekretohen prej kryetarit të dhioqezës. Nga çdo zëvëndësi varen famullitë e qytetit dhe të katundeve të rrethit. Në krye të çdo famulie qëndron prifti famulltar i ndihmuar prej dy vetash të zgjedhur nga katundi ose nga qyteti dhe të dekretuar prej kryetarit të dhioqezës që përbëjnë pleqësinë kishëtare të famullisë. Këtu poshtë po japim një pasqyrë të shkurtër të zëvëndësive, të famullive dhe të famulltarëve të çdo dhioqeze: 48.

Me dekretin e Këshillit të Nalt, dt. 15.4.1944.

Emri i dhioqezës Sa zëvëndësira ka Sa famullira ka Sa famulltarë ka

1.Tirana-Durrësi 6 30 31

2. Korça 5 109 94

3. Gjirokastra 5 117 134

4. Berati 4 71 88

5. Prizreni 52 **

6. Peshkopija 4 38 26

7. Struga 2 35 36

** Në Tokat e Liruara, përveç famulltarëve aktivë, ka edhe priftërinj pensionista.

Seminari - Revista - Botimet

Për formimin kulturor të klerit Shqiptar, i cili nuk duhet të kufizohet vetëm në kryerjen e shërbimeve fetare, por të jetë prijës i popullit për çdo punë të mirë në dobi të shoqërisë, Kisha Orthodhokse Autoqefale që prej vitit 1930 mban një Seminar. Në fillim ky institut ka patur formën e një kursi ku kandidatët për priftërinj merrnin njohuritë më të nevojshme. Më vonë morri formën e një shkollë të mesme 5-vjeçare. Qenë marrë në fillim 16 nxënës bursistë të Kishës, nga të cilët ll veta absolvuan më 1936. Atë vit, me rastin e ardhjes në Kryesi të Kishës të Kryepeshkopit Hirësisë së Tij Imzot Kristofor Kissit seminari u riorganizua. Numri i nxënësve dhe i personelit u shtua dhe mënyra e zbatimit të programit të mësimevet u ndryshua. Kështu, sot shkolla ka 40 nxënës bursistë me 4 profesorë për mësimet theologjike, se mësimet enciklopedikë i ndjekin në Liceun shtetëror të Tiranës. Këta gëzojnë ushqimin, fjetjen dhe nevojat e tjera shkollore, përveç personelit tjetër shërbyes. Gjithashtu edhe koha e studimeve, nga 5 vjet që ka qënë, u shtua në tetë. Përveç Seminarit të Tiranës, më 1938, pas rregullimit të çështjes kishëtare me Patrikanën Ekumenike, u çel në Korçë edhe një tjetër Seminar, i cili, meqë mbahej nga fondet e mirëbërësit të madh korçar të ndierit Jovan Bankës, quhej Seminari: "Jovan Banka". Por s'pati jetë të gjate se, nga rrethanat e luftës së sotme, më 1941 u mbyll. Për përhapjen pastaj dhe forcimin e ndjenjës fetare dhe kombëtare në popull, Kisha, që prej vitit 1930 mban dhe një revistë. Revista ka patur tre periudha botimi. Në fillim dolli nën emrin "Kisha Orthodhokse Shqiptare" dhe vazhdoi për më se një vit. Dolën gjithsej 26 numura, format i madh 8 faqesh. Më 1934 dolli nën emrin "Predikimi" dhe kështu vazhdoi gjer më 1939, kur, e riorganizuar dhe e sistemuar, dolli, në format të rregullt 32 faqesh nën emrin "Jeta Kristiane". Nën këtë emër të fundit vazhdon të dalë gjer më sot një herë në muaj rregullisht me përmbajtje të ndryshme fetaro-morale. Por edhe letërsia kishëtare dhe theologjike nuk mbeti pas. Pas botimit të Ungjillit të Madh dhe të Apostollit (1930-31) - përkthim toskërisht i Kostandin Kristoforidhit - të ndara ashtu siç këndohen për çdo ditë e të djelë në Kishë dhe pas ribotimit të Librit të Shërbesës, të Librit të të Kremteve të Mëdha (1931) dhe të Shërbesës së Vajit të Bekuar (1931), të përkthyera prej Imzot Fan. S. Nolit dhe të shqyrtuara prej një komisioni të posaçëm (1929) të gjitha këto të nevojshme për shërbimet kishëtare, janë botuar edhe mjaft libra shkollore si: Historia e Dhjatës së Vjetër (1932), Historia e Dhjatës së Re (1933) dhe Katekizmi i Krishterë Orthodhoks (1933) prej Dhimitër Përmetit, ish Drejtor i Seminarit, Mësime fetare per fëmijët Orthodhoksë ne katër pjesë (1939-40) prej Dhimitër Bedulit, dhe mësime fetare orthodhokse (1943) për klasën II, III, IV dhe V të fillores prej H. së tij Episkop Irineut. Që më 1936 ekziston "Biblioteka Predikimi", e cila herë pas here nxjerr nga ndonjë broshurë fetare për popullin. Gjer sot kanë dalë: 1. Engolpioni Orthodhoks, 2. Jeta dhe çudirat e dëshmorit të madh Shën-Mitrit (1936), 3. Disa Këshilla Krishtërore (1938), 4. Ngjallja (1940), 5. Shën-Prokopi (1942), 6. Përse duhet të besojmë në Perëndi (1944), dhe 7. Historia e një Princi Hindian (1944), të gjitha këto të përpunuara prej Dh.Bedulit. Me kujdesin gjithashtu të Kr. H. së Tij ish Kryetarit të Kishës Orthodhokse Autoqefale Imz. Visarionit u përkthye dhe u botua më Jetërshkrimi dhe Akoluthia e Shën-Joan Vlladhimirit si dhe "Fjala e Mirë" një vepër në dy pjesë të z. Dh.Përmetit me shpjegimin e Ungjillit të çdo të Djelë dhe me nga një fjalim të shkurtër në mbarim të çdo pjesë (1943). Një hov të madh ka marrë letërsia fetare sidomos në këto kohë të fundit kur, pranë Kryesisë së Kishës, u formua seksioni i botimeve. Nën kujdesin e këtij seksioni dhe me ndihmën e shumë shpresëtarëve orthodhoksë është duke u botuar një seri e rëndësishme veprash fetare theologjike. Gjer më sot kanë dalë: 1. Mjeku Israilit Rosbali (rrëfenjë, 1944), 2. I Biri i Shtëpisë së Davidit (rrëfenjë, 1944), 3. Copë të zgjedhura nga kryeveprat e Joan Gojartit (1944) dhe 4. Ora e shpirtit, meditime të ndryshme fetare. Një kujdes të posaçëm ka treguar Kisha Orthodhokse Autoqefale dhe për muzikën kishëtare, bizantine dhe europiane. Në programin e Seminarit janë caktuar 4 orë në javë për këtë qëllim. Shoqëri korale të ndryshme janë themeluar nëpër qytete të ndryshme si psh. në Tiranë ku që prej vitit 1924, me ca ndërprerje të vogla, ekziston një kor kishëtar, në Korçë, në Vlorë, në Berat, në Pogradec e gjetiu(49). Janë përpiluar bile edhe tekste të ndryshme me nota bizantine dhe moderne si: "O Zot, thirra" dhe "Çdo frymë" në të tetë tingujt e Kishës, "Mesha e Shën-Joan Gojartit" në një, dy dhe tre zëra dhe "Shërbesa e Javës së Madhe" në bazë të tekstit të profesorit të muzikës Bizantine J. Saqellaridhit si dhe "Hymni Akathist", të gjitha këto të përpunuara e të vëna në nota bizantine prej Dhimitër Bedulit, "Librezë Muzike Kishëtare" me të 11 Mëngjesorët e disa hymne të tjerë në muzikë bizantine prej Dhimitër Andoniadhit nga Korça, "Përleshoret e të tetë tingujve" me muzikë bizantine prej Prof. Kostantin Trakos i cili ka harmonizuar për kor mikst me nota moderne dhe Meshën e Shën-Joan Gojaritit të melodisë bizantine sipas J. Saqellaridhit. Një libër i vlefshëm muzike me pjesë nga të Meshës prej kompozitorësh të ndryshëm është edhe "Hymnorja" prej Imz. Fan.S.Nolit (Boston, Mars 1936) në të cilën ai ka shtuar dhe disa melodi tradicionale bizantine të harmonizuara prej atij vetë. Një libër tjetër me muzikë është dhe: "Vajtimet e Përmbivarëshme", mbledhur dhe radhitur nga Prof. S. V. Kosmoja dhe botuar me ndihmën e ish Kryetarit të Kishës Imz. Vissarionit më 1935.

vijon

Burimi: Dhimitër Beduli- Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë gjer në vitin 1944, Botimi I, KOASh 1992, fq 28-37

Nëse vëreni një gabim, zgjidhni tekstin e nevojshëm dhe shtypni Ctrl+Enter ose Dërgo një gabim për ta raportuar tek redaktorët.
Nëse gjeni një gabim në tekst, zgjidhni atë me mousen dhe shtypni Ctrl+Enter ose këtë buton Nëse gjeni një gabim në tekst, theksoni atë me mousen dhe klikoni këtë buton Teksti i theksuar është shumë i gjatë!
Lexo gjithashtu