Radio Ngjallja paraqet dëshmi mbi shenjtorët e hershëm në Shqipëri

2827
16:51
Radio Ngjallja paraqet dëshmi mbi shenjtorët e hershëm në Shqipëri

Një shkrim i Ilirjan Gjikës mbledh të dhëna historike dhe arkeologjike për përkushtimin e kishave paleokristiane ndaj shenjtorëve në disa qytete shqiptare.

Shkrimi mbi shenjtorët e hershëm në Shqipëri paraqet një panoramë të përhapjes së kulteve të krishtera në truallin shqiptar gjatë antikitetit të vonë. Sipas Radio Ngjallja, ndërtimi i kishave pas Ediktit të Milanos më 313 u shoqërua me përkushtimin e tyre ndaj shenjtorëve të hershëm. Në material theksohet se këto zhvillime lidhen me shekujt IV-VI dhe me zgjerimin e krishtërimit në provincat e Ilirisë së Jugut.

Artikulli përmend disa dëshmi nga Durrësi, Elbasani, Bylisi, Berati, Antigoneja dhe Saranda. Sipas tij, kisha e Anargjirëve Kozma dhe Damian në Durrës lidhet me perandorin Anastas I, ndërsa në paraklisin e amfiteatrit të Durrësit janë zbuluar figura shenjtorësh si Shën Mëria, Shën Sofia, Shën Irini dhe kryengjëjt Gabriel e Mihal. Materiali ndalet edhe te hipoteza se ky objekt mund t’i jetë kushtuar Shën Astit.

Në vijim, autori sjell të dhëna për kishën e Shën Pjetrit në Skampin, për dedikimin ndaj Shën Andreas në Bylis dhe për një mbishkrim kushtuar Shën Mërisë në Berat. Për Antigonenë thuhet se mozaiku i absidës së një bazilike paleokristiane paraqet Shën Kristoforin, ndërsa për bazilikën e Dyzetë Shenjtorëve në Sarandë nënvizohet roli i saj si qendër pelegrinazhi.

Materiali vëren gjithashtu se nderimi i shenjtorëve nuk kufizohej vetëm te kishat, por shfaqej edhe në objekte të përdorimit të përditshëm. Si shembuj përmenden gjetje arkeologjike në Durrës, Shkodër dhe Paleokastër, ku dalin motive biblike dhe emra shenjtorësh. Në mbyllje, autori e paraqet këtë përmbledhje si një hyrje të shkurtër në historinë e kultit të shenjtorëve gjatë krishtërimit të hershëm në Shqipëri.

UGO kishte raportuar mbi përvjetorin e parë të zgjedhjes së Kryepiskopit Joan të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë pak më parë.

Shkrimi i publikuar nga Radio Ngjallja mbështetet në një varg referencash studimore dhe arkeologjike, duke përfshirë punime të Aleksandër Meksit, Neritan Cekës, Dhorka Dhamos, Moikom Zeqos dhe studiuesve të tjerë. Në këtë mënyrë, materiali e vendos vëmendjen te dëshmitë konkrete që lidhen me formimin e traditës së nderimit të shenjtorëve në hapësirën shqiptare.

 

Më poshtë kemi shkrimin e plotë ashtu si u publikua nga Radio Ngjallja:

Nisja e ndërtimit të kishave të para pas publikimit të Ediktit të Milanit, në vitin 313 nga Kostandini i Madh, do të shoqërohej edhe me dedikimin e tyre ndaj shenjtorëve të hershëm. Një fakt i tillë dëshmohet jo vetëm nga burimet historike por edhe nga të dhënat arkeologjike. Këto zhvillime do të ndodhnin rreth shek. IV-VI, në periudhën kur Perandoria Romake e Lindjes (Bizanti), do të drejtohej nga perandorët: Anastas I (491-518), Justin (518-527) dhe Justinian (527-565). Pikërisht në këtë kohë, Krishtërimi, do të merrte një zhvillim të madh në rajonin e Ilirisë së Jugut, ku bënin pjesë provincat romako-bizantine të Prevalit, Dardanisë, Epirit të Ri dhe Epirit të Vjetër. Kështu, krahas organizimit të strukturave kishtare dhe ngritjes së objekteve të kultit, në qytetet kryesore të tyre do të zhvilloheshin kultet e një sërë shenjtorësh (1). Burimet historike dëshmojnë se kisha e ‘’Anargjirëve Kozma dhe Damian’’ në Durrës, ishte ngritur nga perandori Anastas I dhe shërbente edhe si katedrale peshkopale e këtij qyteti (2). Po kështu, gërmimet arkeologjike në paraklisin e amfiteatrit të Durrësit, një objekt kulti që mendohet se i përket shek. VI-VII, kanë zbuluar figurat e disa shenjtorëve (3). Të konfirmuara prej studimeve shumëvjeçare ato i përkasin martirit Stefan, Shën Mërisë, Shën Sofies, Shën Irinit dhe kryengjëjve Gabriel dhe Mihal (4). Ndërkohë e diskutueshme ka mbetur figura e Krishtit, për të cilën autorë të ndryshëm si Nicole Tierri, Dhorka Dhamo, Moikom Zeqo, Kliti Kallamata, etj, mendojnë se është një prej figurave kryesore të këtij mozaiku (5). Ndërsa një hipotezë interesante lidhur me dedikimin e këtij paraklisi, ngrenë edhe studjuesit, Anthony Bryer dhe Helmut Buschhausen, të cilët mendojnë se ky objekt kulti i kushtohet njërit prej shenjtorëve të parë të krishtërimit në Durrës: Shën Astit (6). Po kështu, gjatë mesjetës ai njihej edhe si shenjti mbrojtës i këtij qyteti, një traditë e krijuar qysh në periudhën e antikitetit të vonë. “Shën Astit dhe Shën Isaurit’’, të Apolonisë fqinje, i dedikohej edhe kisha katedrale e Durrësin në mesjetën e vonë, dëshmitë rreth të cilës vijnë nga një dokument raguzian i vitit 1383 (7). Ndërkohë, burimet historike dëshmojnë se gjatë antikitetit të vonë, emrin e një tjetër shenjtori, mbante edhe katedralja e ‘’Shën Pjetrit’’ në qytetin e Skampinit (Elbasanit) (8). “Pa hyrë ende në Skampin peshkopi i nderuar i qytetit, Troi, së bashku me klerin dhe popullin e tij, na dolën për të na takuar… u bë një mbledhje në kishën e Shën Pjetrit’’, shkruhet në njërën prej letrave që tregon pritjen e të dërguarve të papës Hormisdas, gjatë vizitës së tyre të vitin 579 (9). Një shembull tjetër i nderimit të shenjtorëve është edhe rasti i Shën Andreas, që dëshmohet nga mbishkrimi i një pilastre mermeri, të gjetur në gërmadhat e bazilikës së Ballshit. Objekti i cili vinte nga Bylisi, përmbante një tekst të shkruar, sipas të cilit Pakatiani, e shoqja Agllaia dhe e bija, Pakta, financonin ndërtimin e një kishe kushtuar Shën Adreas (10). ‘’O zot, ndihmo shërbëtorin tënd Pakatianin krijusdashësin, dhe shërbëtoren tënde Agllainë, porosidashësen dhe të përvuajtur. Shën Andre, ndihmo shërbëtorin tënd Pakatian’’, lexohet në tekstin e kësaj pilastre (11).

 

 Ndërkohë zbulimi në Balizikën B të Bylisit, i një mbishkrimi tjetër me emrat e Pakatianit dhe Agllasisë, solli identifikimin e kishës së ‘’Shën Andreas’’, e cila kishte shërbyer dikur edhe si katedralja peshkopale e qytetit të Bylisit (12). Po kështu, në një mozaik tjetër të kësaj bazilike, ndeshet edhe skena ku një peshkatar ka hedhur grepin, ndërsa një tjetër tërheq rrjetën e mbushur me peshq. Në këtë rast, sipas arkeologut Skënder Muçaj, në të dyja figurat paraqitet Simon Pjetri, ndërsa Neritan Ceka, mendon se kemi të bëjmë me ‘’ … dy dishepujt e parë të Krishtit, vëllëzërit peshkatarë Simon (Pjetër) dhe Andrea nga Nazareti …’’ (13). Ndërsa një tjetër dedikim i shek. V, kushtuar Shën Mërisë, na vjen edhe nga Berati. I tillë është mbishkrimi i një fragmenti mozaiku që i përkiste një kishe paleokristiane ‘’extra muros’’, zbuluar brenda hapësirës së qytetit të sotëm. Pikërisht këtu, midis motiveve të luspave të mbivendosura trengjyrëshe dhe kornizave me zbukurim gjarpëruese, u gjet një fragment mbishkrimi. ‘’Enë … Hyjlindëse Ma(ri)’’ shkruhej me shkronja të zeza greqisht mbi një sfond të bardhë (14). Por një rast i veçantë dhe unik në paraqitjen e shenjtorëve të hershëm, na vjen nga rrënojat e qytetit antik të Antigonesë (Gjirokastër). Kështu, në mozaikun e absidës qendrore të një bazilike paleokristiane të shek. V-VI, është paraqitur figura e Shën Kristoforit (15). Rreth tij, studjuesja e artit mesjetar, Dhorka Dhamo, thekson se ky imazh është ‘’ … paraqitja më e hershme jo vetëm e Kristoforit si shenjt, por edhe si figurë mishëruese e dogmës themelore të Krishtërimit’’. Ndërsa për Aleksandër Meksin ai përbën ‘’ … shembullin më të vjetër të kësaj paraqitje ikonografike’’. (16). Vendosja e këtij mozaiku në qendër të altarit, përmasat e konsiderueshmë të tij, origjinaliteti dhe realizimi mjeshtëror, përbëjmë disa fakte që të çojnë te mendimi se, ky objekt kulti i dedikohej Shën Kristoforit (17). Ndërkohë një tjetër shembull tregues vjen përsëri nga provinca e Epirit të Vjetër. Bëhet fjalë për bazilikën e ‘’Dyzetë Shenjtorëve’’ prej së cilës do të merrte emrin edhe qyteti i Sarandës.

 

E ngritur në shek. V-VI, një pjesë të kompleksit të kësaj kishe të madhe e zinte edhe baptisteri, një ambient që përbëhej nga disa mjedise, të cilat shërbenin për pritjet e besimtarëve dhe organizimin e ceremonive fetare (18). Pagëzimorja (baptisteri) e saj përbëhej nga nëntë vaska dhe dy pishina, të ndërtuara sipas imazhit të liqenin e Sebastës, ku u martirizuan të Dyzetë Shenjtorët, fakt që tregon se qysh në fillim kjo bazilikë i dedikohej atyre. Po kështu, gjetja e një numri të madh kandilash qelqi dhe balte, llampa shandanesh, lidhëse plumbi për fiksimin e tyre, tregon se bazilika e ‘’Dyzetë Shenjtorëve’’ ka qënë një qëndër e madhe pelegrinazhi (19).

 

Ndërkohë, dëshmi të tërthorta për nderimin e shenjtorëve të hershëm, na vijnë edhe nga bazilika e Linit (Pogradec), ngritur mbi kodrën e ‘’Shën Thanasit'', nga emërtimet e gjireve detare të Karaburunit dhe Sazanit (Shën Andreas, Shën Janit, Shën Vasilit, Shën Kollit), nga bazilika paleokristiane e Arapajt (Durrës), rrënojat e së cilës u gjetën në kodrën e ‘’Shën Mëhillit’’, etj (20). Përveç dedikimit të kishave të ndryshme, gjatë shek. IV-VI, shenjtorët e hershëm nisën të nderoheshin edhe nëpërmet objekteve të ndryshme të përdorimit të përditshëm. Shembuj tipikë na vijnë nga gjetjet arkeologjike në të gjithë vendin. Kështu në Durrës, janë zbuluar një sërë pjatash importi të shek III-IV, tek të cilat gjenden motivet biblike (21). Ndërsa në Muzeun Historik i Shkodrës, kryeqendrës së dikurshme të provincës së Prevalit, ndeshen të tjera objekte interesante. Të tilla janë një kupë e shek. IV ku paraqitet jeta e profetit Daniel dhe një flakon balte i shek. IV-VI, ku pasqyrohet figura e Shën Minait (22). Ndërkohë, zbulimi në rrënojat e bazilikës së kështjellës së Paleokastrës (Gjirokastrës), i një tulle me emrat e Anargjirëve Kozma dhe Damian, tregon përhapjen e kultit të këtyre shenjtorëve në këtë rajon qysh në shek. IV (23). Shembuj të tjerë mund të ketë përsëri! Por ky është një përshkrim i shkurtër rreth përhapjes së kultit të shenjtorëve të parë në truallin shqiptar, gjatë periudhës së krishtërimit të hershëm. Me zhvillimet e mëvonshme gjatë periudhës së mesjetës, kemi dëshmi shumta të nderimit të figurave të kultit kristian, përfshirë apostujt, ungjillorët, etërit e shenjtë, profetët, martirët e besimit, etj.

 

******

1-Afrim Hoti, Aspekte të përhapjes së krishtërimit të hershem në provincën e Epirit të Ri, 2000 vjet art dhe kulturë kishtare në Shqipëri, KOASH, Tiranë 2003, f. 23

2-A. Meksi, Arkitektura mesjetare në Shqipëri, Monumentet, 2, Tiranë 1985, f. 15; A. Llukani, Mitropolia e Durrësit, tiranë 2019, f. 12

3-A. Meksi, Arkitektura mesjetare në Shqipëri, Monumentet, 2, Tiranë 1985, f. 149; V. Toçi, Amfiteatri i Dyrrahit, Monumentet, 2, Tiranë 1971, f. 40

4-Zh. R. Zhando, Mozaiku mural në kapelën e amfiteatrit të Dyrrahut, Iliria, 1, Tiranë 1983, f. 225-228; M. Zeqo, Maria Andaloro, I Mosaici parietali di Durrazzo o dell’origine costantinopolitano del tema iconografico di Maria Regina, Mainz 1986, Iliria, 1, Tiranë 1989, f. 285; N. Ceka, Ilirët, Migjeni, Tiranë 2005, f. 273-274; A. Meksi, Kishat e Shqipërisë-shek. IV-XV, Plejad, Tiranë 2022, f. 148-149; K. Kallamata, Ikona, K & P. SBILIAS S. A. Athens 1998, f. 24-25

5-N. Thierry, Une mosaique a Dyrrachium, Cahier Arkelogiques, 1968, XVIII, 227-229; M. Zeqo, Maria Andaloro, I Mosaici parietali di Durrazzo o dell’origine costantinopolitano del tema iconografico di Maria Regina, Mainz 1986, Iliria, 1, Tiranë 1989, f. 285; K. Kallamata, Ikona, K & P. SBILIAS S. A. Athens 1998, f. 24; Dh. Dhamo, Aspekte të artit paleokristian në Shqipëri, 2000 vjet art dhe kulturë kishtare në Shqipëri, KOASH, Tiranë 2003, f. 130

6-A. Bryer, Saint Asteios and the Amphitheatër in Dyrrhachion, Thymiana, Athen 1994, II, f. 41-45; H. Buschhausen, Durrësi dhe fillimet e krishtërimit në Shqipëri, 2000 vjet art dhe kulturë kishtare në Shqipëri, KOASH, Tiranë 2003, f. 97-101

7-J. Radonic, Dubrobacka akta i povelje (Acta et Diplomata Ragusana) Zbornik sa istorija I, 1934, f. 115

8-Acta Albaniae, I, 29

9-Neritan Ceka, Ilirët, Migjeni, Tiranë 2005, f. 278

10-Koço Zheku, Peshkopata e Bylisit një nga peshkopata më të hershme në Shqipëri, 2000 vjet art dhe kulturë kishtare në Shqipëri, KOASH, Tiranë 2003, f. 67

11-Theofan Popa, Mbishkrime të kishave në Shqipëri, ASH, Tiranë 1998, f. 145

12-Koço Zheku, Peshkopata e Bylisit një nga peshkopata më të hershme në Shqipëri, 2000 vjet art dhe kulturë kishtare në Shqipëri, KOASH, Tiranë 2003, f. 66; S. Muçaj, Gjurmët e krishtërimit në antikitetin e vonë, Art e Trashëgimni, 7, IMAF, 2016, f. 82; Bylis (Albanie), Bulletin de Correspondance Hellenique, 126, 2002, f. 667

13-S. Muçaj, Dy monumente të antikitetit të vonë në Bylis, Iliria 1, Tiranë 1986, f. 324; N. Ceka, Ilirët, Migjeni, Tiranë 2005, f. 282

14-Dritan Çoku-Genc Samimi, Kishat e kalasë së Beratit, Pegi, Berat 2019, f. 103-115; Dritan Çoku, Pasuria ndërtimore e kulturore e trashëguar në shekuj, Alsar, 2022, f. 68 (tekst i përkthyer prej Kostandinos Giakumis)     

15-Dh. Dhamo, Konsideta mbi zhvillimin e mozaikut paleokristian në Shqipëri, 1, Iliria, Tiranë 1986, f. 311-319; N. Ceka. Antigoneia-Qyteti i dashurisë së parë, Migjeni, Tiranë 2009, f. 47; M. Zeqo, Arkeologjia dhe hyjnitë ilire, Arnissa Edition, Tiranë 2011, f. 91; A. Meksi, Kishat e Shqipërisë, shek. IV-XV, Plejad, Tiranë 2022, f. 139

16-Dh. Dhamo, Konsideta mbi zhvillimin e mozaikut paleokristian në Shqipëri, 1, Iliria, Tiranë 1986, f. 311-319; A. Meksi, Arkitektura mesjetare në Shqipëri, Tiranë 1983, f. 29

17-Dh. Budina, Mozaiku i Trikonkës paleokristiane të Antigonesë, Iliria, 7-8, Tiranë 1977, f. 225-228; Dh. Dhamo, Konsideta mbi zhvillimin e mozaikut paleokristian në Shqipëri, 1, Iliria, Tiranë 1986, f. 311-319; N. Ceka. Antigoneia-Qyteti i dashurisë së parë, Migjeni, Tiranë 2009, f. 47; M. Zeqo, Arkeologjia dhe hyjnitë ilire, Arnissa Edition, Tiranë 2011, f. 91; A. Meksi, Kishat e Shqipërisë, shek. IV-XV, Plejad, Tiranë 2022, f. 139

18-A. Meksi, Arkitektura Paleokristiane në Shqipëri, Monumentet, 2, Tiranë 1985, f. 26-27; A. Meksi, Kishat e Shqipërisë, shek. IV-XV, Plejad, Tiranë 2022, f. 121-126; Gazmend Muka, Bazilika që i dha emrin Sarandës, Monumentet, Tiranë 2002, f. 7, 12

19-S. Mucaj, K. Lako, S. Bushi, S. Xhyheri, Monumenti i 40 shenjtorëve 2013, Iliria, 38, Tiranë 2014, f. 321-326; S. Mucaj, K. Lako, S. Bushi, S. Xhyheri, Monumenti i 40 shenjtorëve 2012, Iliria, 37, Tiranë 2013, f. 379-386

20-V. Manastirli, Mozaikë të rinj, revista Ylli, 7, Tiranë 1968, f. 23; M. Zeqo, Rezultate të kërkimeve arkeologjike në Karaburun e në Rrëzën e Kanalit, Monumentet, 2, Tiranë 1987, f. 154-173; M. Zeqo, Motive Arkeologjike, 8 Nëntori, Tiranë 1990, f. 67; S. Muçaj, Vendet e shenjta të pelegrinazhit në Shqipëri, Candavia, 4, Tiranë 2014, f. 9: S. Hidri, Rezultate gërmimesh në bazilikën e Arapajt (1980-1982), Iliria, 1, Tiranë 1983, f. 233

21-Afrim Hoti, Të dhëna arkeologjike për krishterimin e hershëm në Dyrrah (shek. IV-VII), Iliria, 1-2, Tiranë 1996, f. 174

22-Z. Tafilica, Disa objekte në Muzeun Historik të Shkodrës, Shkodra në shekuj, I, Shkodra në shekuj, Shkodër 1998, f. 199-210; G. Hoxha, Dëshmi materiale të artit paleokristian nga provinca Praevalis, 2000 vjet art dhe kulturë kishtare në Shqipëri, KOASH, Tiranë 2003, f. 32-33

23-Luan Përzhita-Roberto Perna, Indagini presso la fortezza di Palokastra: campagne 2018 – 2019, Iliria, XLII, Tiranë 2019, f. 247-264

AUTORI: ILIRJAN GJIKA, HISTORIAN

MEDIA NGJALLJA, 14 KORRIK 2026

Nëse vëreni një gabim, zgjidhni tekstin e nevojshëm dhe shtypni Ctrl+Enter ose Dërgo një gabim për ta raportuar tek redaktorët.
Nëse gjeni një gabim në tekst, zgjidhni atë me mousen dhe shtypni Ctrl+Enter ose këtë buton Nëse gjeni një gabim në tekst, theksoni atë me mousen dhe klikoni këtë buton Teksti i theksuar është shumë i gjatë!
Lexo gjithashtu