At Lekë Matrënga, një nga autorët e parë të letërsisë shqipe - Nga Ilirjan Gjika

2827
19 Shkurt 22:52
Foto: Arkivi UGO Foto: Arkivi UGO

Rëndësia e këtij libri është shumë e madhe për historinë e letërsisë, të gjuhës dhe kulturës shqiptare. Përveç të qënit vepra e parë me të cilën nis tradita arbëreshe e shkrimit shqip ajo përbën edhe monumentin e dytë të letërsisë shqipe.

Në letërsinë shqipe një vend të veçantë zë edhe shkrimtari Lekë Matrënga (1560-1619). Vepra e tij ‘’E Mbsuame e Kreshterë’’ (Doktrina e Krishterë) konsiderohet si libri i dytë i saj pas ‘’Mesharit’’ të Gjon Buzukut të vitit 1555 (1). Matrënga, një ‘’ … prift i ritit bizantin nga Hora e Arbëreshëvet në Siçili, i cili njihet edhe si shkrimtari më i vjetër i letërsisë së arbëreshëve, si dhe autor i vjershës së parë të shkruar në gjuhën shqipe’’, thekson në librin e tij ‘’Arbëreshët midis realitetit dhe mitit’’ autori Fatmir Toçi (2). ‘’Në sa Buzuku njifet si i pari shkrimtar deri më sot i shqipes, dhe shkroi në djalektin gegë, Matrënga asht i dyti dhe e punoi veprën e vet në djalektin toskë … ’’, shprehet në këtë rast Kol Ashta, në studimin e botuar në vitin 1957: ‘’Shënime e vërejtje rreth gjuhës dhe leksikut të Lekë Matrëngës’’ (3).

At Lekë Matrënga, një nga autorët e parë të letërsisë shqipe - Nga Ilirjan Gjika фото 1

Por cili ishte At Lekë Matrënga?! Ai do të lindte në vitin 1560 në Horën e Arbëreshëve një nga ngulimet më të mëdha të arbëreshëve në ishullin e Siçilisë (4). E quajtur Piana degli Albanesi në italish dhe Hora e Arbëreshëve në arbërisht, emri fillestar i këtij vendbanimi do të ishte: Piana dell Arcivescovo. Ndërsa për disa shekuj me radhë për shkak të liturgjisë kishtare të praktikuar në greqishten bizantine ajo do të emërtohej edhe si Piana dei Greci (5). Lidhur me Matrëngën, te ‘’Historia e Letërsisë Shqiptare’’, vëllimi I, botuar në vitin 1959 nga Universiteti Shtetëror i Tiranës, midis të tjerave thuhet se: ‘’Rridhte nga një familje e njohur, të ardhur nga Himara, që është shquar në luftën për të mbrojtur zakonet e ritit ortodoks ndër shqiptarët e Italisë kundër ndërhyrjeve të peshkopëve italianë’’ (6). Ndërsa në studimin ‘’Histori e Letërsisë shqiptare’’, autori Robert Elsie shkruan se: ‘’Lekë Matrënga …. ka qenë një klerik ortodoks i bashkësisë arbëreshe të Siçilisë …. pinjoll i një familjeje arbëreshe që kishte emigruar në Siçili, ndoshta nga Peloponezi, rreth viteve 1532-1533 (7). Sipas Kol Ashtës, ‘’Familja Matrënga asht një nga ma të moçmet që n’origjinën e Horës s’Arbëreshëve, pati edhe stemën e vet’’ (8). Ndërsa dokumentet historike tregojnë se Hora e Arbëreshëve është themeluar në vitin 1488, ku antroponimet, toponimet, dialekti dhe elementët gjuhësorë dëshmojnë se, pjesa më e madhe e banorëve të saj vinin nga viset e Himarës, Labërisë, Çamërisë dhe arbëreshëve të Greqisë (Peloponezi).

Pikërisht në këtë qendër ku dominonin themeluesit nga Himara dhe Çamëria, veçohen kryesisht mbiemrat Dragoti, Kamenica, Golemi, Bua edhe Matrënga (9). Ndërkohë në Shqipëri pavarësisht toponimit Matarangë që e ndeshim në zonën e Beratit, Matrëngët, dokumentohen gjatë shek. XIII-XIV si zotërues të trevës së Myzeqesë, nga Shkumbini në Seman me qendër në Karavasta dhe Vreg (Bashtovë) (10). Pavarësisht se një prej pinjollëve të kësaj familjeje fisnike del në një dokument të vitit 1304 si neofit (i konvertuar), Matrëngët, përgjithësisht rezultojnë si ortodoksë. Të tillë ishin Nikollë Matrënga, gjyqtar i lartë i Bizantit në vitin 1337-1340; sevastokratori Vlash Matrënga, zot i Vregut në vitin 1358; apo Aleks Matrënga, të cilin e ndeshim si noter në Durrës në vitin 1338 (11). Një pjesë e këtij fisi do të emigronte në Greqi ne shek. XIV ku do të vendosej në Peloponez (12). Ndërsa më pas, së bashku me familjet e tjera të mëdha shqiptare si Kastriotët, Topiajt, Arianitët, Muzakajt, Zenebishët, Buajt, Shpatajt, Gropajt dhe Skurajt, ata do të emigronin në fund të shek. XV në Mbretërinë e Napolit në Itali (13). Ka shumë gjasa që prej kësaj familjeje të ishte edhe Lekë Matrënga, prej së cilës gjatë viteve 1596-1850 do të dilnin edhe kronistë, shkrimtarë, ndërtues, dhurues kishash, priftërinj e kryepriftërinj, përfshirë edhe Bazil Matrëngën, krypeshkop i Ohrit, vdekur në vitin 1748 (14). Pikërisht emblema heraldike e gdhëndur mbi varrin e këtij hierarku të lartë kishtar me moton, ‘’Bekuarë, gëzuarë’’, tregon origjinën fisnike të Matrëngëve të Italisë (15).

Lekë Matrënga emri i të cilit në italisht shkruhet Lukë Matranga do të studjonte për 5 vjet (1582-1587) në kolegjin ortodoks të ‘’Shën Athanasit’’ në Romë, duke qenë një nga priftërinjtë e parë që u përgatitën në këtë shkollë (16). "Lekë Matrënga nga Monreale e Siçilisë, me kombësi shqiptare, student i rëndomtë, studioi kulturën e lashtë greke e latine, pastaj u largua për arsye sëmundjeje, pasi kishte kaluar pesë vjet në këtë kolegj", shkruhet në ‘’Kronikën e të gjithë studentëve të Kolegjit Grek që nga themelimi e deri më 1630’’ (17). ‘’Matrënga studio në Kolegjin e Sh. Athanasit, që u themelua më 1557 për të përgatitur klerikë të ritit ortodoks, që t’i shërbenin Vatikanit në Lindje, por edhe te arbëreshët e Italisë’’, thekson Dhimitër Shuteriqi në studimin ‘’Tekste shqipe dhe shkrimi i shqipes në vitet 879-1800’’ (18). Ndërkohë në vitin 1592, atë e ndeshim si prift në vendlindje, kohë, kur shkruan dhe boton librin ‘’E Mbsuame e Kreshterë’’ (19). Duke qenë se bashkëfshatarët e tij nuk kuptonin italisht, Matrënga, përktheu nga latinishtja në arbërisht një libër katekizmi të shkruar nga prifti spanjoll, jezuiti Jakob Ledesma (1516-1575). Vepra u botua po atë vit në Romë nga botuesi Gulielm Façoti në dialektin tosk që flitej në Horën e Arbëreshëve. Libri përbëhej nga 28 faqe, ku katekizmi zhvillohej në formën e dialogut dhe pranë përkthimit arbërisht ishte vendosur edhe teksti në gjuhën italine (20).

Përsa i përket kompozicionit vepra përbëhet nga disa pjesë. Ajo hapet nga ‘’Letra e Kushtimit’’, të cilën autori ja dedikon kryepeshkopit të Monreales, kardinalit Ludovico II de Torres (21). ‘’ … drejtuar arqipeshkvit të Montereales, qendër fetare pranë Palermos, kardinalit Ludovico de Torres, prej të cilit mvareshin edhe ortodoksët arbëreshë të Sicilisë, theskon Dhimitër Shuteriqi në këtë rast (22). E shkruar në italishten e kohës, në këtë pjesë Matrënga tregon qëllimin e veprës për të ndihmuar të gjithë arbëreshët në fushën e besimit, duke përfishirë edhe komunitetet e tyre që jetonin në Kalabri dhe Pulje (23). Në pjesën e dytë, ‘’Këngën e Përshpirtshme’’, kemi një vjershë fetare në gjuhën arbëreshe të shkruar në tetë vargje njëmbëdhjetërrokësh, me rimë të alternuar që sipas Dhimitër Shuteriqit: ‘’ …. është edhe gjurma e parë e botuar e vjershërimit shqip’’ (24). Ndërsa në pjesë e tretë të titulluar, ‘’Katekizmi’’, kemi të paraqitur në formën e dialogut pyetje-përgjigje doktrinën kristiane mbi: Shën Marien, Trininë e Shenjtë, Uratat, Urdhëresat, Mëkatet, Sakramentet, Virtytet, Veprat e Mira dhe Misteret. Në libër ndeshen rreth 450 fjalë, për të cilat Matrënga, përveç sistemit të vetë alfabetik përdor edhe alfabetin italisht. Ndërsa përpos shkronjës q ai huazon edhe dy shkronja të tjera nga latinishtja, si: x dhe ae (25).

‘’E Mbsuame e Kreshterë’’ e Lekë Matrëngës do të humbiste nga koha dhe do të zbulohej në bibliotekën e Vatikanit nga francezi Mario Roques, studjues i historisë së letërsisë mesjetare, i cili e gjeti në fondin R. G. Teologia V. 1269 (26). Ndërkohë do të ishte gjuhëtari Marko La Piana (1883-1958) i cili e publikoi për herë të parë në vitin 1912, në të përkohshmen ‘’Roma l’ Oriente’’ (27). E përbërë nga një dorëshkrim prej tre kopjesh kjo vepër ruhet në sot Bibliotekën e Vatikanit (Codex Barberini latini 3454, XLIII), ndërsa një fotokopje e plotë e saj ndodhet në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë (28). Rëndësia e këtij libri është shumë e madhe për historinë e letërsisë, të gjuhës dhe kulturës shqiptare. Përveç të qënit vepra e parë me të cilën nis tradita arbëreshe e shkrimit shqip ajo përbën edhe monumentin e dytë të letërsisë shqipe (29). Ndërsa në aspektin historik, Lekë Matrënga, është autori i parë që do të përdorte termin arbëresh (30).

******
1-Historia e Letërsisë Shqiptare, I, USHT, Tiranë 1959, f. 196-201
2-Fatmir Toçi, Arbëreshët midis realitetit dhe mitit, Toena, Tiranë 2001, f. 161
3-Kol Ashta, Shënime e vërejtje rreth gjuhës dhe leksikut të Lekë Matrëngës, Buletin për Shkencat Shoqërore, I, ISHT, Tiranë 1957, f. 83
4-Historia e Letërsisë Shqiptare, I, USHT, Tiranë 1959, f. 198; F. Toçi, Arbëreshët midis realitetit dhe mitit, Toena, Tiranë 2001, f. 357
5-Fatmir Toçi, Arbëreshët midis realitetit dhe mitit, Toena, Tiranë 2001, f. 79
6-Historia e Letërsisë Shqiptare, I, USHT, Tiranë 1959, f. 198
7-Robert Elsie, Histori e Letërsisë shqiptare, Përkthyer nga origjinali anglisht “History of Albanian Literature (1995)” nga Abdurrahim Myftiu, Tiranë (1997), 4.2
8-Kol Ashta, Shënime e vërejtje rreth gjuhës dhe leksikut të Lekë Matrëngës, Buletin për Shkencat Shoqërore, I, ISHT, Tiranë 1957, f. 83
9-Po aty, f. 83
10-Anthimos D. Alexoudes, Syntonos Historike Perigrafe Tes Hieras Metropoles Belegradon, H Ionia, Kerkyra 1868, f. 52; Historia e Popullit Shqiptar, Toena, I, Tiranë 2002, f. 283; Acta Albaniae, I, 528; Gj. Varfi, Heraldika shqiptare, Dituria, Tiranë 2000, f. 57; Dh. S. Shuteriqi, Tekste shqipe dhe shkrimi i shqipes në vitet 879-1800, ASHSH-IGJL, TIranë 2005, f. 122
11-A. Ducellier, La façade maritime de l’Albania au Mouen Age, Durazzo et Valona du XI au XV sicle, Tessalonike 1981, p. 496; P. Xhufi, Nga Paleologët te Muzakajt, 55, Tiranë 2005, f. 61-67, 143
12-Dhimitër S. Shuteriqi, Tekste shqipe dhe shkrimi i shqipes në vitet 879-1800, ASHSH-IGJL, TIranë 2005, f. 126
13-Historia e Popullit Shqiptar, Toena, I, Tiranë 2002, f. 283; F. Toçi, Arbëreshët midis realitetit dhe mitit, Toena, Tiranë 2001, f. 92.
14-Kol Ashta, Shënime e vërejtje rreth gjuhës dhe leksikut të Lekë Matrëngës, Buletin për Shkencat Shoqërore, I, ISHT, Tiranë 1957, f. 84
15-Gjin Varfi, Heraldika shqiptare, Dituria, Tiranë 2000, f. 57
16-K. Ashta, Shënime e vërejtje rreth gjuhës dhe leksikut të Lekë Matrëngës, Buletin për Shkencat Shoqërore, I, ISHT, Tiranë 1957, f. 84; Historia e Letërsisë Shqiptare, I, USHT, Tiranë 1959, f. 199
17-K. Ashta, Shënime e vërejtje rreth gjuhës dhe leksikut të Lekë Matrëngës, Buletin për Shkencat Shoqërore, I, ISHT, Tiranë 1957, f. 84; R. Elsie, Histori e Letërsisë shqiptare, Përkthyer nga origjinali anglisht “History of Albanian Literature (1995)” nga Abdurrahim Myftiu, Tiranë (1997), 4.2
18-Dhimitër S. Shuteriqi, Tekste shqipe dhe shkrimi i shqipes në vitet 879-1800, ASHSH-IGJL, TIranë 2005, f. 122
19-Kol Ashta, Shënime e vërejtje rreth gjuhës dhe leksikut të Lekë Matrëngës, Buletin për Shkencat Shoqërore, I, ISHT, Tiranë 1957, f. 84
20-Fjalori Enciklopedik Shqiptare, Tiranë 1985, f. 680; Historia e Letërsisë Shqiptare, I, USHT, Tiranë 1959, f. 198; R. Elsie, Histori e Letërsisë shqiptare, Përkthyer nga origjinali anglisht “History of Albanian Literature (1995)” nga Abdurrahim Myftiu, Tiranë (1997), 4.2
21-Kol Ashta, Shënime e vërejtje rreth gjuhës dhe leksikut të Lekë Matrëngës, Buletin për Shkencat Shoqërore, I, ISHT, Tiranë 1957, f. 85-86
22-Dhimitër S. Shuteriqi, Tekste shqipe dhe shkrimi i shqipes në vitet 879-1800, ASHSH-IGJL, TIranë 2005, f. 120
23-Historia e Letërsisë Shqiptare, I, USHT, Tiranë 1959, f. 200; K. Ashta, Shënime e vërejtje rreth gjuhës dhe leksikut të Lekë Matrëngës, Buletin për Shkencat Shoqërore, I, ISHT, Tiranë 1957, f. 85-86
24-Fjalori Enciklopedik Shqiptare, Tiranë 1985, f. 680; Historia e Letërsisë Shqiptare, I, USHT, Tiranë 1959, f. 200
25-Kol Ashta, Shënime e vërejtje rreth gjuhës dhe leksikut të Lekë Matrëngës, Buletin për Shkencat Shoqërore, I, ISHT, Tiranë 1957, f. 85-86
26-Dh. S. Shuteriqi, Bibliografi e letërisë së vjetër shqiptare 1332-1850, Buletin i Universitetit Shtetëror të Tiranës, Seria Shkencat Shoqërore, I, USHT, Tiranë 1962, f. 127-128; Dh. S. Shuteriqi, Tekste shqipe dhe shkrimi i shqipes në vitet 879-1800, ASHSH-IGJL, TIranë 2005, f. 122
27-Eqrem Çabej, Në botën e arbëreshëve të Italisë, ‘’8 Nëntori’’, Tranë 1987, f. 33; Wikipedia, Mario Roques
28-Dhimitër S. Shuteriqi, Bibliografi e letërisë së vjetër shqiptare 1332-1850, Buletin i Universitetit Shtetëror të Tiranës, Seria Shkencat Shoqërore, I, USHT, Tiranë 1962, f. 128
29-Historia e Letërsisë Shqiptare, I, USHT, Tiranë 1959, f. 200-201
30-Fatmir Toçi, Arbëreshët midis realitetit dhe mitit, Toena, Tiranë 2001, f. 158

Nëse vëreni një gabim, zgjidhni tekstin e nevojshëm dhe shtypni Ctrl+Enter ose Dërgo një gabim për ta raportuar tek redaktorët.
Nëse gjeni një gabim në tekst, zgjidhni atë me mousen dhe shtypni Ctrl+Enter ose këtë buton Nëse gjeni një gabim në tekst, theksoni atë me mousen dhe klikoni këtë buton Teksti i theksuar është shumë i gjatë!
Lexo gjithashtu